1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
ShoqëriaBelgjikë

Bruksel: Molenbeek, “zona gri” që po përpiqet të ringrihet

18 Tetor 2023

Në Bruksel sërish pati një atentat terrorist ndaj dy suedezëve. Por vitet e fundit, pas sulmeve terroriste në Paris në vitin 2015, është investuar për përmirësimin e imazhit të Brukselit.

https://p.dw.com/p/4XbHi
Bruksel: Pamje e Grande Halle, qendra më e madhe sociale e Molenbeek
Grande Halle, ish-ndërtesa industriale që dikur shërbente si magazinë automjetesh, sot është qendra më e madhe sociale e Molenbeek me anë të një investimi të BEFotografi: Elona Elezi/DW

Hetimet asokohe arritën në përfundimin se ideatorët dhe realizuesit e sulmeve në Francë ishin banorë të Molenbeekut, ekstremistë të radikalizuar. Tetë vite më pas, gjithçka këtu duket e qetë, por lagjja vijon të mbetet një ndër më të stereotipizuarat. Projekti Grande Halle, ish-ndërtesa industriale, është shndërruar sot në një qendër sociale për vendasit.

Qindra servise automjetesh qëndrojnë të rreshtuar njëri pas tjetrit në lagjen Molenbeek në Bruksel. Aq shumë syresh ka, sa të duket sikur banorët e kësaj zone nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër, veçse të ndreqin makina të prishura.

Bruksel: Pamje e një rruge në Molenbeek
Rrugicë në Molenbeek, ngjitur me godinën e Grande Halle, ku gjendet një numër shumë i madh servisesh të automjeteveFotografi: Elona Elezi/DW

Mesdita këtu nuk i ngjason aspak mesditës në qendër të Brukselit, plot gjallëri dhe me rrugë të mbushura plot. Edhe pse thuajse 15 minuta larg qendrës, Molenbeek është i qetë dhe pa shumë lëvizje. Për këtë arsye, autobusi me gazetarë që kanë ardhur të vizitojnë qendrën Grande Halle, tërheq vëmendjen këtej pari.

Grande Halle është një ish-godinë post-industriale e ndërtuar rreth viteve 1920, që shërbente si magazinë automjetesh. Sot është një qendër sociale e rinovuar, me qëllim krijimin e aktiviteteve të përbashkëta për komunitetin dhe ofrimin e shërbimeve publike për të, siç është një infermieri, kopësht fëmijësh dhe banesa sociale.

Bruksel, pamje nga kanali në lagjen Molenbeek
Bruksel: "Canal", kanali i cili u ndërtua në vitet 1930, me dhé të marrë nga minierat e qymyrit. Dekontaminimi i dheut ka qenë pjesa më sfiduese e projektit të Grande HalleFotografi: Elona Elezi/DW

Shndërrimi i "Grande Halle”

"Nga këndvështrimi social, meqë ndodhemi në një ‘zonë gri', popullsia përreth konsiderohet e brishtë. Përbëhet nga emigrantë të hershëm por edhe të kohëve të fundit. Ata duhen mbështetur, nuk duhen refuzuar. Duhet të bësh një hapësirë publike dedikuar atyre” – thotë për Deutsche Welle një nga arkitektët e këtij projekti, Olivier Bastin. Në vitin 2016, ai dhe kolegu i tij Karel Petermans fituan projektin e shndërrimit e sipërfaqes prej 1638 m2 të Grande Halle dhe nisën punën për rigjallërimin e qendrës. Studimi i tyre zgjati deri në vitin 2020, kur ata kishin gati konceptin e ri të hapësirës dhe nisën rindërtimin, i cili përfundoi një vit më parë, me një kosto prej rreth 4 milionë eurosh, me fondet e Bashkimit Europian dhe rajonit të Brukselit.

Arkitekti Olivier Bastin, që projektoi Grande Halle në Molenbeek, Bruksel - veshur me xhaketë blu dhe syze
Olivier Bastin, arkitekti që projektoi Grande Halle në Molenbeek, qendër sociale multi-funksionaleFotografi: Elona Elezi/DW

Bastin thekson se sfida më e madhe e këtij projekti ka qenë dekontaminimi i zonës. "E gjithë zona varej nga ndërtimi i Kanalit dhe ai u ndërtua në vitin 1930, por për ndërtimin e bregut të tij nevojitej dhé, i cili u soll nga minierat e qymyrit. Kuptohet që ishte dhé shumë i ndotur. Na u desh shumë punë që ta izolonim atë, me qëllim që të mbrojmë fëmijët dhe njerëzit e kësaj zone” – thotë Bastin.

Përpjekje për të lënë pas të shkuarën

"Ne nuk donim që të kishim një gardh, por fatkeqësisht na u desh ta ndërtonim një të tillë. Nëse do të krijonim një godinë të zbuluar, nata do të ishte e vështirë, duke marrë parasysh edhe situatën aktuale të migracionit. Dhe ne nuk mund t'u kërkojmë familjeve që të jetojnë këtu – janë 9 të tilla që kanë përfituar banesa sociale – që të kujdesen për të gjithë këtë hapësirë të madhe dhe për atë çka mund të ndodhë. Prandaj ne e dizenjuam gardhin por fatmirësisht qendra është e hapur gjatë gjithë ditës” – sqaron arkitekti Bastin.

Por a është edhe ky gardh pjesë e paragjykimit për zonën? "Unë jetoj këtu dhe mund t'ju them se jeta është shumë e qetë, nuk kemi probleme” – thotë arkitekti tjetër i qendrës, Karel Petermans, teksa na shoqëron në mjediset e brendshme të infermierisë dhe kopshtit të fëmijëve. Ai flet me bindje kur e përshkruan si të qetë lagjjen Molenbeek, e cila pavarësisht "famës” së emrit, përpiqet të vijojë në rrjedhën normale të jetës së përditshme.    

Jasmina është mësuese e shkollës fillore publike në Molenbeek dhe është rritur këtu nga prindër emigrantë. Ajo nuk preferon ta thotë vendin e origjinës. Frika nga stigmatizimi është më kryeneçe se interesi i gazetarëve. Në këtë qendër sociale, ajo sjell vajzën e saj të vogël që të luajë tek lodrat. "Vajza ime vjen shpesh të luajë tek kjo qendër. E sjell mamaja ime, ndërkohë që unë jam në punë. Së fundi kam filluar dhe vetë ta frekuentoj, sepse kalohet mirë dhe madje kam filluar t'ua rekomandoj edhe nxënësve të mi” – thotë ajo për Deutsche Welle.

Banorja e Molenbeekut, Jasmina, së bashku me të bijën
Jasmina, banore e Molenbeek e cila frekuenton shpesh Grane Halle, së bashku me të bijënFotografi: Elona Elezi/DW

Pak metra më tutje, në trotuarin e anës tjetër të rrugës, sytë e kureshtarëve që gjenden në serviset e makinave e hedhin vetëtimthi shikimin diku tjetër, sapo kuptojnë që po u afrohesh t'i pyesësh. Ata janë mbase të lodhur nga pesha e rëndë e emrit të lagjes së tyre. Mbase në ditët kur aty nuk gjenden gazetarët, ata përpiqen me të gjithë forcën që të jetojnë normalisht. 

 

 

 

Elona Elezi, portret, shikon drejt e në kamera.
Elona Elezi Korrespondente nga Shqipëria dhe Ballkani