1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Borrell kërkon të pezullohen operacionet policore në veri

30 Maj 2023

Një ditë pas dhunës ndaj ushtarëve të KFOR-it, politikanë të ndryshëm nga Gjermania dhe Evropa e kanë dënuar dhunën dhe kanë paralajmëruar zero tolerancë. Borrell dëshiron një takim të ri të nivelit të lartë.

https://p.dw.com/p/4RxWL
 Josep Borrell
Josep Borrell, i ngarkuari i BE per pune te jashtme dhe te siguriseFotografi: European Union

Komisioni i BE-së është i shqetësuar për shkak të gjendjes së krijuar në veri të Kosovës. Në një prononcim në prag të takimit me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatovic, i ngarkuari i BE-së me politikë të jashtme, Josep Borrell, tha se “aktet e dhunshme ndaj qytetarëve, ndaj medias, ndaj forcave të rendit dhe trupave të KFOR-it, siç i kemi parë ditët e fundit,  janë absolutisht të papranueshme dhe sjellin një situatë shumë të rrezikshme.” Borrell tha më tej se BE e mbështet tërësisht KFOR-in në përmbushjen e misionit të tij në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Borrell: Kam kërkuar takim të niveli të lartë

Kryediplomati i BE-së tha se kishte folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq: “Kërkoj nga të dyja palët që urgjentisht të marrin masa për uljen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të tensioneve dhe që të shmangin çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe të rivendosin qetësinë”. Si hap të parë, pres që autoritetet e Kosovës të pezullojnë operacionin policor të  fokusuar në ndërtimin komunave në veri të Kosovës dhe që protestuesit e dhunshëm të largohen”.

BE, tha më tej Borrell, pret që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e mundësuar nga BE, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme e që garanton siguri për të gjithë qytetarët në veri dhe hap rrugën për zbatimin e marrëveshjes së re në kuadër të normalizimit. “Prandaj jam duke punuar për organizimin e një takimi urgjent për dialog të nivelit të lartë”,  tha zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, Josip  Borrell, i cili ka dërguar në Kosovë zëvendësin e tij, Charles Fries, që të eksplorojë mundësitë e zgjidhjes së konfliktit.

“Palët  duhet të japin kontribut të frytshëm për sigurinë në rajon”, tha Borrell. “Kemi pasur shumë dhunë në Evropë. Dhe kemi ende. Një konflikt të ri nuk mund ta përballojmë”,  tha politikani 76-vjeçar. “Shpresoj se zëri im do të dëgjohet dhe se njerëzit do të sillen në përputhje me këto kërkesa”,

Borrell tha se shtetet anëtare tani janë duke u informuar nga Komisioni Politik dhe i Sigurisë dhe po diskutojnë masat e mundshme që duhen marrë nëse palët vazhdojnë t'i rezistojnë hapave të propozuara për shpërshkallëzim, tha Borrell.

Gjermania e shqetësuar

Ndërkohë, shqetësimi për një shkallëzim serioz të mëtejshëm në Ballkan ka nisur të rritet edhe te vendet anëtare, e sidomos te Gjermania, e cila është një nga vendet më të angazhuara të BE-së në Kosovë.

Ministri i mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi në Twitter: 

“Jam i shqetësuar për përplasjet e fundit në veri të Kosovës, ku janë lënduar ushtarë nga Italia dhe Hungaria. Të gjithë të lënduarve dhe të plagosurve i uroj një shërim sa më të shpejtë.”

Më parë qeveria gjermane e kishte dënuar dhunën ndaj ushtarëveKFOR-it ushtruar gjatë protestave në veri të Kosovës, të hënën, më 29 maj 2023.

"Dënojmë me forcë sulmet e dhunshme të papranueshme në veri të Kosovës, të cilat plagosën dhjetëra ushtarë të KFOR/NATO-s dhe disa civilë. Mendimet tona janë me të lënduarit të cilëve u urojmë shërim të shpejt”, thuhet ndër të tjera në një deklaratë për media të ministrisë së punëve të jashtme  gjermane, shpërndarë të martën 30.05. në mëngjes. “Bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo dhune dhe të gjitha veprimeve që krijojnë tensione. Tani nevojitet urgjentisht një shpërshkallëzim i situatës”, thuhet më tej në deklaratë.

Nje ushtar i KFOR-it  perpara shkaterrimeve te bera ne gjate protestave ne Zvecan.
Pamje nga Zvecani, ku te henen, me 29 maj 2023 pati serish perplase mes serbeve dhe KFOR-it. Fotografi: Dejan Simicevic/AP Photo/picture alliance

"Kosova dhe Serbia të fillojnë bisedimet"

"I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të fillojnë pa vonesë bisedimet për këtë qëllim dhe të vazhdojnë të punojnë për zbatimin e marrëveshjes së normalizimit të arritur në shkurt dhe mars, duke përfshirë edhe Asociacionin e Komunave Serbe”, thuhet po ashtu në deklaratën e Gjermanisë zyrtare. Në fund të deklarata thekson mbështetjen e plotë për  të dërguarin e posaçëm të BE-së Miroslav Lajčák në përpjekjet e tij për të zbutur tensionet.

Roth: Eshtë mbushur kupa

Edhe parlamentarët gjermanë kanë reaguar ndaj trazirave të së hënës në komunën e Zveçanit. 

Michael Roth, kryetari i Komisionit të Jashtëm në Bundestag, shkroi në Twitter:

"Një pikë e ulët gjatë një vije të gjatë përshkallëzimi në raportin midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Por me  dhunën fizike ndaj ushtarëve të KFOR-it nga serbët radikalë, është mbushur kupa. Këto trazira jo vetëm që janë të papranueshme, por duhet të kenë pasoja”, kërkon politikani socialdemokrat.

Ahmetoviç: Të shqyrtohet rritja e kontingjentit të KFOR-it

Raportuesi i grupit parlamentar të socialdemokratëve në Bundestag, Adis Ahmetoviç, është shprehur ngjashëm në deklaratën e tij për media: Edhe ai e dënon dhunën, kërkon uljen në tryezë të të dyja palëve, por kërkon edhe që të shqyrtohet mundësia e shtimit  të prezencës gjermane në KFOR.

“Sulmet e djeshme e bëjnë të qartë se sa i nevojshëm është KFOR-i për vendosjen e paqes dhe sigurisë në rajon, edhe 24 vjet pas përfundimit të luftës. Duhet shqyrtuar mundësia e shtimit të kontingjentit të KFOR-it për të ndërhyrë në raste serioze".

Të premten e kaluar (26 05.23),  Bundestagu e zgjati edhe me një vit mandatin e prezencës gjermane në kuadër të trupës paqeruajtëse të KFOR-it. Aktualisht në Kosovë janë stacionuar afro 70 ushtarë, por në rast nevoje Gjermania mund të dërgojë deri në 400 ushtarë.  

Edhe kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut në parlamentin gjerman, Renata Alt, FDP, i ka dënuar sulmet ndaj KFOR-it.

"Dënoj fuqishëm shpërthimin e dhunës në Kosovë dhe sulmin ndaj KFOR-it. Populistët në Ballkan vazhdojnë të abuzojnë me konfliktet etnike për qëllimet e tyre dhe duan të sabotojnë bashkëjetesën paqësore në vend që të forcojnë institucionet demokratike siç janë zgjedhjet”, ka shkruar Alt në një mesazh në Twitter.

Thomas Hacker: Përgjegjësia bie mbi Listën Serbe

Politikani liberal Hacker fajeson Listen Serbe per pershkallezimin e situates: “Lista Serbe mban përgjegjësi  për situatën aktuale në veri të Kosovës. Nëse partia, e cila kontrollohet nga Beogradi, do të kishte vendosur të merrte pjesë në zgjedhjet lokale në katër komunat ku jetojnë shumica e serbëve të Kosovës, do të na ishin kursyer këto pamje të shëmtuara”, tha Hacker në një prononcim për DW.  Sulmi i fundit ndaj forcave të sigurisë së NATO-s KFOR nga serbët militantë është i paprecedent dhe për t’u dënuar. Autorët duhet të vihen para përgjegjësisë”, kërkoi Hacker. Ai gjithashtu ka kërkuar implementimin e procesit të normalizimit, përndryshe ekziston rreziku që ai të dështojë dhe të bëhet top loje për të dyja palët, tha deputeti liberal.

Gjatë trazirave të fundit në veri ishin lënduar, sipas NATO-s mbi 30 ushtarë, kryesisht italianë dhe hungarezë, dhe disa persona civile.

 

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni gjithashtu e dënoi dhunën ndaj ushtarëve. "Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë shpreh ndjenjat e mia më të sinqerta të afërsisë me ushtarët italianë të plagosur gjatë trazirave në Kosovë. Shpreh gjithashtu dënimin tim më të fortë për sulmin që u bë kundër misionit të KFOR-it, ku përfshihen edhe ushtarë nga kombet e tjera. Kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme. Ne nuk do të tolerojmë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it”, ka paralajmëruar Meloni.

*) artikull i përditësuar