1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bizneset gjermane në Shqipëri duan siguri e transparencë

14 Maj 2024

Sipërmarrjet gjermane në Shqipëri shohin një përmirësim të lehtë të klimës së biznesit krahasuar me vitin e kaluar. Por sfidat ekonomike si mungesa e fuqisë punëtore, kosto e punës e kursi i këmbimit mbeten.

https://p.dw.com/p/4fpOK
Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, (DIHA) prezantoi të hënën (13.05) rezultatet e anketimit vjetor. Ambasadori gjerman, Karl Bergner, drejtori i DIHA-s, Mankollari në tavolinë, pas flamujt e Shqipërisë e Gjermanisë
Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, (DIHA) prezantoi të hënën (13.05) rezultatet e anketimit vjetor, Ambasadori gjerman, Karl Bergner, drejtori i DIHA-s, MankollariFotografi: Rashela Shehu/DW

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, (DIHA) prezantoi të hënën (13.05) rezultatet e anketimit vjetor për klimën e biznesit dhe të investimeve. Anketimi i plotësuar nga anëtarët e DIHA-s në periudhën shkurt -mars 2024 sinjalizon për një përmirësim të lehtë të situatës ekonomike në vend krahasuar me vitin e kaluar, me 45% të kompanive që e vlerësojnë atë "të kënaqshme”. "Gjatë vitit të kaluar kemi një ulje të numrit të të pakënaqurve, por edhe një ulje të numrit të atyre që mendojnë se është kënaqshëm” – u shpreh Drejtori Ekzekutiv i DIHA-s, Bledar Mankollari, i cili prezantoi rezultatet në një konferencë për shtyp. "Edhe pse ekonomia është në përmirësim, fuqia punëtore, kualifikimi i tyre dhe kostot e punës, kanë ndikim negativ”, u shpreh Presidentja e DIHA-s, Stephanie Siege Farka, teksa shtoi se pavarësisht pengesave rajonale dhe globale, vendi duhet të përqëndrohet tek integrimi në Bashkimin Europian.
Bizneset gjermane - pak pritshmëri për të rritur të ardhurat

Pavarësisht se klima e biznesit në Shqipëri perceptohet si më e favorshme, sipërmarrjet gjermane nuk shfaqen optimiste për rritjen e të ardhurave të tyre për shkak të rritjes së kostove. Rezultatet e anketimit tregojnë se 38% e kompanive të pyetura presin një ulje të të ardhurave gjatë vitit të ardhshëm, një përqindje kjo më e lartë krahasuar me 5 vitet e fundit. Vetëm 32% e bizneseve janë shprehur se presin rritje të të ardhurave, ndërsa 38% e tyre mendojnë se niveli i të ardhurave do të jetë i njëjtë me atë të një viti më parë. Megjithatë pjesa më e madhe e sipërmarrjeve gjermane (54%) nuk planifikojnë ndryshime në numrin e të punësuarve pranë kompanive të tyre. Sipas anketimit 24% e bizneseve kanë gatishmërinë për të rritur numrin e punonjësve, ndërsa 22% e tyre presin që ta shkurtojnë numrin e të punësuesve.

Mungesa e sigurisë ligjore dhe korrupsioni - pengesa për bizneset

Pasiguria ligjore dhe korrupsioni vlerësohen ndër faktorët më negative që dëmtojnë bizneset gjermane në Shqipëri. Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, theksoi se vendi ka nevojë për krijimin e një kuadri ligjor të sigurt në mënyrë që të përthithë sa më shumë investime të huaja.  "Për ne është e qartë se sipërmarrja dhe investimet mund të  të zhvillohen atje ku ka siguri ligjore, një administratë profesionale dhe me integritet sikundër, dhe një politikë të hapur për dialog si për punëdhënësit dhe me punëmarrësin. Ne e mbështesim Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimit të shtetit ligjor” u shpreh ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner. Sipas Bergner, pavarësisht vlerësimit momental, Gjermania do të vijojë të japë kontributin e saj përmes investimeve të ndryshme që Shqipëria të përparojë në zhvillimin e saj ekonomik, integrimin rajonal si dhe atë europian.

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, (DIHA) prezantoi të hënën (13.05) rezultatet e anketimit vjetor për klimën e biznesit dhe të investimeve
Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, (DIHA) prezantoi të hënën (13.05) rezultatet e anketimit vjetor për klimën e biznesit dhe të investimeveFotografi: Rashela Shehu/DW

Faktorë negative që pengojnë klimën e investimeve për bizneset gjermane janë edhe transparenca e tenderave publike dhe korrupsioni. "Bizneset shprehen se kanë shumë probleme me afatet e dorëzimit të dokumenteve në tendera”, u shpreh Bledar Menkollari, Drejtor Ekzekutiv i DIHA. Nga ana tjetër kompanitë kanë vlerësuar politivisht përmirësimin e infrastrukturës, negociatat për arsimin dhe furnitorët lokalë.

Anketim mbi situatën ekonomike në rajon

Anketimi mbi klimën e biznesit dhe investimeve realizohet në 16 vende të Europës Qendrore dhe Jug- Lindore dhe pjesëmarrës janë anëtarët e Dhomave Gjermane të Tregtisë në këto rajone.  Rezultatet tregojnë se Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me rritjen më të lartë të kostos së punës dhe uljes së produktivitetit në Ballkanin Perëndimor. Në Shqipëri iu përgjigjën pyetësorit 51% e anëtarëve të DIHA-s. Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri u formua në vitin 2008 dhe angazhohet si zëri i biznesit gjerman për interesat në çështjet ekonomike.


 

Pastiçeri në Tiranë
Fotografi: Ani Ruci/DW

 

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana