1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biden në Berlin: Lufta në Ukrainë pikë kthese në histori

19 Tetor 2024

Presidenti i SHBA Joe Biden e vlerësoi Gjermaninë si aleaten më të ngushtë e më të rëndësishme të SHBA. Nën Bidenin, boshti Uashington-Berlin pati një rivlerësim cilësor, shkruan Auron Dodi.

https://p.dw.com/p/4lxx3
Präsident Joe Biden in Deutschland mit Olaf Scholz
Fotografi: Markus Schreiber/AP/picture alliance

Vizita zyrtare e Presidentit të SHBA Joe Biden në Gjermani është një vlerësim i SHBA për rolin e Gjermanisë në Evropë dhe në botë.

Me sulmin e Rusisë kundër Ukrainës, Gjermania i kujtoi të gjithë pse është kaq e rëndësishme aleanca e Natos, tha Biden. Në Berlin, Bideni e cilësoi Gjermaninë "më të ngushtin dhe më të rëndësishmin nga aleatët" e SHBA. 

Presidenti amerikan solli me vete vlerësime të larta për mikpritësit gjermanë. Para takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz, Joe Bideni theksoi se nën drejtimin e Scholzit Gjermania u ngrit në këmbë dhe u përball me momentin. Kancelarin Scholz, Bideni iu drejtua me fjalët se "ju treguat vendosmërinë, për ta përshtatur politikën e jashtme gjermane, me realitetet e reja dhe për të qëndruar përkrah Ukrainës fort dhe pa u lëkundur."

Joe Biden dhe Frank-Walter Steinmeier. Biden e vlerësoi Gjermaninë si aleaten më të ngushtë. Rivlerësim cilësor i boshtit Uashington-Berlin, shkruan Auron Dodi
Fotografi: Matthias Schrader/picture alliance/AP

Në kuadër gjeopolitik, Presidenti Biden i njohu kancelarit Scholz meritën se kishte reaguar drejt në momentin e duhur. "Ju treguat mençurinë që të kuptonit se kjo luftë shënoi një pikë kthese në histori."

Bideni tha në Berlin se Gjermania është angazhuar në mënyrë të pabesueshme për Ukrainën. Ai veçoi shprehimisht dy mbështetësit e më të mëdhenj të Ukrainës. "Amerika dhe Gjermania janë dy mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës në luftën e saj për të mbijetuar si një komb i lirë dhe i pavarur", tha Biden. Më tej ai çmoi mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Izraelit dhe luftën kundër antisemitizmit e urrejtjes në Gjermani.

Dekorata më e lartë e RFGJ për Presidentin Biden

Gjermania e vlerësoi të premten (18.10.) Presidentin Biden me dekoratën më të lartë: me "Nivelin special të Kryqit të Madh të Urdhrit të Meritës". Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, në ceremoninë e posaçme në Pallatin Bellevue në Berlin tha si motivacion: "Për përkushtimin prej dekadash, ndaj aleancës transatlantike, udhëheqjen tuaj të shquar në momentin më të rrezikshëm të Evropës dhe shembullin tuaj moral që mbetet, për shërbim, sinqeritet dhe dinjitet".

Gjermania ka vlerësuar deri tani me këtë dekoratë vetëm një President të SHBA, nga 14 presidentë amerikanë që prej themelimit të RFGJ: George Bushin e vjetër. Mbështetja e Bushit të vjetër qe vendimtare për ribashkimin e Gjermanisë, më 1989.

Dihet se Bideni është në fund të mandatit, ai punon tashmë për amanetin politik të tij. Në 5 nëntor në SHBA zgjidhet një President i ri. Që ai megjithatë erdhi në Gjermani, tregon se Joe Biden i sheh marrëdhëniet solide SHBA-Gjermani si pjesë të këtij amaneti.

Presidenti i fundit i SHBA që e vizitoi zyrtarisht Gjermaninë ishte Barack Obama, tetë vjet më parë.  Presidenti Trump nuk erdhi për vizitë zyrtare në Gjermani. Bideni kishte qendruar në Gjermani në takimin e G-7, në Elmau, në qershor 2022, por jo në vizitë zyrtare.

Biden ne Berlin. Biden e vlerësoi Gjermaninë si aleaten më të ngushtë. Rivlerësim cilësor i boshtit Uashington-Berlin, shkruan Auron Dodi
Fotografi: Axel Schmidt/REUTERS

Përmirësim i ndjeshëm i marrëdhënieve SHBA-Gjermani

Në raport me Gjermaninë, Bideni korrigjoi jo vetëm teprimet e panevojshme në stilin e komunikimit me Berlinin të administratës së kaluar amerikane.

Por ai ushqeu një raport miqësor me kancelarin Olaf Scholz. Mbi të gjitha avancoi bashkëpunimi në aspektin politik dhe të sigurisë.

Përmirësim i marrëdhënieve lidhet edhe me personin e Joe Biden-it, aktiv në politikë që në vitin 1972, kur Gjermania ishte epiqendra e luftës së ftohtë. Si dëshmitar i kësaj kohe, Bideni kujtoi të premten (18.10) në Berlin se ribashkimi i Gjermanisë nuk i ringjalli rivalitetet e vjetra. Me këtë ai kishte parasysh edhe faktin se SHBA e Gjermania kishin qenë më parë kundërshtarë ushtarakë, para se të bëheshin aleatë. 

Përvoja e jashtëzakonshme e tij në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet me Evropën bën që Bideni të shihet nga disa analistë si ndoshta Presidenti i fundit transatlantik i SHBA.

Elementë që dëshmojnë afrimin dypalësh

Riformatimi i parimeve bazë të politikës së jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë dy vjet më parë i ka sjellë natyrshëm më pranë SHBA e Gjermaninë.

Afrim më i dukshëm është në politikën e sigurisë: në organizimin e mbështjetjes perëndimore për Ukrainën; por edhe në vijat e kuqe të angazhimit perëndimor në Ukrainë, në vendosmërinë për ta mbajtur NATO-n jashtë luftimeve në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski paraqiti javën e kaluar në Berlin dhe në disa kryeqytete evropiane një "plan fitoreje” të vendit të tij.

Pika kryesore e planit është kërkesa për anëtarësim të menjëhershëm të Ukrainës në NATO. Si Uashingtoni, ashtu edhe Berlini nuk e mbështesin aktualisht këtë hap. Ngjashëm reagoi edhe NATO-ja, pas një diskutimi me Presidentin Zelenski.

SHBA njohin rritjen e rolit strategjik të Gjermanisë

SHBA reaguan ndaj rritjes së peshës së Gjermanisë në politikën e sigurisë me luftën në Ukrainë.  Prej vitit 2026, SHBA do të stacionojnë në Gjermani, për herë të parë që prej fundit të luftës së ftohtë, raketa me rreze të gjatë veprimi dhe raketa të tjera - në mbrojtje të NATO-s.

Biden dhe Scholz. Biden e vlerësoi Gjermaninë si aleaten më të ngushtë. Rivlerësim cilësor i boshtit Uashington-Berlin, shkruan Auron Dodi
Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture allaince

Nën Bidenin, SHBA i shtuan trupat e stacionuara në Gjermani, nuk i tërhoqën, si planifikonte administrata e mëparshme. 38.000 ushtarë amerikanë (2022) u shërbejnë nga Gjermania interesave amerikane në botë. Mbi gjysmë dollarë investime ushtarake shtesë planifikuan SHBA në bazat në Gjermani, në vitin 2023 dhe 1 miliardë investime të tjera kanë planifikuar më tej.

Nga ana e saj, në modernizimin e armatimit Gjermania u orientua edhe së fundi tek SHBA, si p.sh. në vendimin për të blerë avionë luftarakë amerikanë F-35. 

Bideni diskutoi të premten në Berlin edhe me liderë të tjera evropianë, për të ardhmen e angazhimit në Ukrainë. Veç Sekretarit të shtetit Anthony Blinken, në Berlin erdhën për këtë qëllim edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer. 

Vazhdimi i mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën ishte tema e samit katërpalësh. Për luftën në Lindjen e Mesme liderët ranë dakord për "nevojën imediate" për t'i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasët.

Emmanuel Macron, Joe Biden, Keir Starmer dhe Olaf Scholz ne Berlin
Emmanuel Macron, Joe Biden, Keir Starmer dhe Olaf Scholz ne BerlinFotografi: Frederic Kern/Geisler-Fotopress/picture alliance

Simbolika dhe synimi i vizitave zyrtare

Presidenti Biden erdhi në Gjermani për një vizitë të shkurtër, pasi kishte vizituar zyrtarisht më parë vende të tjera të rëndësishme evropiane, si Francën, Britaninë e Madhe, Poloninë e Italinë.

Por deklaratat e sotme të tij në Berlin kundërshtojnë edhe supozimet e ndonjë vëzhguesi, se SHBA prisnin në kohën e sotme më shumë nga Gjermania, ndaj nuk e vunë në krye të listës.

Bideni u tregua i duruar me procesin e avancimit të kulturës politike në Gjermani: që në krye të mandatit, ai hoqi dorë nga qëndrimi ndëshkues i SHBA ndaj Gjermanisë për gazsjellësin me Rusinë, Nordstream 2. Pastaj ai ra dakord ta furnizojë Ukrainën me tanke të rënda amerikane, kur kancelari Scholz e priti këtë si hap paraprak që ta furnizonte Ukrainën me tanke të rënda gjermane.

Në Berlin janë të ndërgjegjshëm për peshën dhe fuqinë e Gjermanisë, në Evropë e në botë. Ndaj gjermanët nuk përdorin të gjitha mjetet protokollare dhe diplomatike për të arritur spektakle simbolike me vizita përfaqësues shtetesh të tjera, siç ka bërë ndonjë vend fqinj i Gjermanisë, në raste të tjera.

Fakt është se nën Bidenin, marrëdhëniet SHBA-Gjermani u thelluan. Kjo edhe për shkak të orientimit të fortë drejt SHBA të qeverisë së kancelarit Scholz.

Fjalët e Bidenit të premten (18.10.) në Berlin se Gjermania i kujtoi të gjithë për rëndësinë e NATO-s, shihen këtu edhe si aludim për deklaratën e Macronit për vdekjen cerebrale të NATO-s. Kjo në një kohë që Bideni ishte në Francë para Gjermanisë, në një vizitë disaditore. Me Francën SHBA patën probleme. Në shtator 2021 Franca tërhoqi ambasadorin nga Uashingtoni, pasi SHBA i "morën” një biznes miliardësh për nëndetëse me Australinë.

Fakti që vizita ishte e shkurtër ka të bëjë situatën emergjente rreth uraganit Milton në SHBA. Po të kishte ardhur, sipas planit, javën e kaluar në Berlin Presidenti Biden, vizita do të kishte zgjatur disa ditë. Pra: marrëdhëniet dypalëshe, aktualisht, janë shumë të mira.