Berlini – sërish adresa e preferuar për Uashingtonin
9 Korrik 2021Vizita e kancelares Angela Merkel në Uashington ka rëndësi praktike: ajo pritet të kontribuojë në rigjallërimin e marrëdhënieve SHBA-Gjermani. Njëkohësisht vizita flet me simbolikën e saj. Ajo evidenton mënyrën se si i qaset botës sot administrata Biden, si edhe renditjen strategjike që presidenti Biden u bën aleatëve të SHBA.
Presidenti Biden ka ftuar deri tani në Uashington liderët e atyre vendeve ku SHBA kanë të stacionuara numrin më të madh të ushtarëve amerikanë në botë. Më shumë ushtarë SHBA kanë të stacionuar në Japoni, më tej në Korenë e Jugut dhe pastaj në Gjermani. Bideni ka ftuar deri tani kryeministrin e Japonisë dhe presidentin e Koresë së Jugut. Tani po fton kancelaren e Gjermanisë Merkel.
Dy liderët e parë të ftuar janë aleatët kryesorë të SHBA-së për arkitekturën e sigurisë në Azi. Atje SHBA e sheh veten përballë "konkurencës ekstreme" të Kinës, siç është shprehur Bideni. Kurse nga Evropa dhe BE, Bideni po pret të parën kancelaren e Gjermanisë.
Vizita më 15 korrik është cilësuar nga Shtëpia e Bardhë si „vizitë zyrtare pune". Zëdhënësja Jen Psaki tha të premten (09.07.) se takimi synon të afirmojë lidhjet "e thella dhe të qëndrueshme" midis SHBA dhe Gjermanisë. Në të do të diskutohen që nga pandemia dhe klima e deri të siguria e mirëqënia ndërkombëtare.
Disa analistë evropianë e shohin vizitën e Merkelit në Uashington si dëshmi të një boshti të ri Berlin-Uashington. Ata janë të bindur se presidenti Biden ka zgjedhur Gjermaninë si adresën e preferuar në Evropë.
A do ta formësojë në të ardhmen politikën një bosht Berlin-Uashington?
Një bosht politik Berlin-Uashington është i mundur. Ai do të ishte një zhvillim i mirëpritur, jo vetëm nga shqiptarët në Ballkan. Megjithatë, për momentin si SHBA, ashtu edhe Gjermania janë në fazën kur po përpiqen për një fillim të ri në marrëdhëniet bilaterale. Në një konferencë shtypi së fundi (23.06.) kancelarja Merkel tha se në takimin me presidentin Biden në samitin e G7-ës kishte gjetur një bazë për të vepruar së bashku në sfidat gjeopolitike në botë. Ndër to ajo përmendi Rusinë dhe Kinën. Por me Bidenin ajo kishte diskutuar edhe se cila aleanca mund të lidhen. Edhe Shtëpia e Bardhë tha të premten se vizita e Merkelit synon"të identifikojë fushat për të forcuar bashkëpunimin muajt dhe vitet e ardhshme."
"SHBA nuk kanë partnere më të mirë dhe mike më të mirë se Gjermaninë", kujtoi ministri i Jashtëm i SHBA, Antony Blinken, në vizitën e tij prezantuese në Gjermani (23.06.). Në këto gjashtë muajt e fundit, Presidenti Biden është përpjekur të riparojë sa më shumë deformimin e shkaktuar nga administrata Trump, në raportin me Gjermaninë. SHBA jo vetëm e ndali tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania, të vendosur nga Trumpi, por madje e shtoi numrin e ushtarëve në Gjermani.
Së dyti, SHBA hoqi sanksionet amerikane kundër gazsjellësit Nordstream 2dhe nuk vendosi sanksione të tjera. Ministria e Jashtme amerikane tha se kjo është në dobi të "interesave kombëtare” të SHBA-së dhe të raporteve me Berlinin.
Presidenti Biden deklaroi në fund të majit (26.05.) se ka qenë që prej fillimit kundër Nordstream 2 dhe është kundër tij. Por tani ky projekt thuajse ka përfunduar. Bideni argumentoi se sanksionet do të kishin qenë "kundërproduktive" për raportin me Evropën.
Së treti, Bideni ka caktuar një akademike si ambasadore të re në Gjermani: presidenten e Universitetit të Pensilvanisë, Amy Gutmann. Profesorët dhe akademikët gëzojnë përgjithësisht vlerësim të lartë në Gjermani, edhe ambasadorja e ardhshme Guttman është pritur me vlerësim në mediet gjermane. SHBA e kanë pasur traditë që dërgonin në Gjermani përfaqësues të botës akademike, kur kanë qenë të interesuara për forcimin e marrëdhënieve me Gjermaninë. Ish-presidenti i Universitetit të Harvardit, James B. Conant qe ambasadori i parë i SHBA në Gjermani menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.
SHBA ka ndërruar qasjen ndaj Gjermanisë
Çfarë presin amerikanët tani në këmbim nga Gjermania? Në këtë çështje mund të hidhet dritë pas takimit në Uashington. Sidoqoftë SHBA e kuptuan se presioni i fortë ndaj një aleateje si Gjermania, ndonëse i argumentuar për amerikanët, po shkaktonte më shumë deformim të marrëdhënieve. Ai arriti të trondisë lidhjen me një aleate të sigurtë të SHBA. Hapat e deeskalimit të presidentit Bidenit dëshmojnë padyshim vullnet të mirë të tij ndaj Gjermanisë. Njëkohësisht, në thelb, ato eleminojnë disa anomali të panevojshme në marrëdhëniet SHBA-Gjermani.
Nga trupat amerikane në Gjermani, Gjermania përfiton. Por përfitojnë edhe SHBA, që përdorin investimet milardëshe ushtarake të bëra për mbi 50 vjet në tokën gjermane. Ndërsa për rezervat gjeopolitike ndaj gazsjellësit Nordstream 2, të dyja palët po negociojnë për një zgjidhje paketë. Gjermania pritet të ofrojë kompensim.
Gjermania është sot fuqia më e madhe ekonomike dhe politike e Bashkimit Evropian. Gjermania mbetet vërtet e përmbajtur për t'i mbrojtur ushtarakisht interesat e saj, në dallim nga Franca apo Britania e Madhe. Por fuqia e saj dhe roli i saj në Evropë janë të pamohueshme. Kjo do të thotë se nuk mjafton më që me rikthimin e gjeopolitikës në politikën ndërkombëtare, Gjermania të trajtohet me mendësinë e luftës së ftohtë.
Sovraniteti i Gjermanisë sot administrohet plotësisht prej saj. Ndryshe ishte situata deri në vitet 1990, kur stacionimi i ushtarëve të fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore në Gjermani diktonte indirekt, edhe një politikë (të jashtme) gjermane me kufij.
Në janar të këtij viti (26.01.), kancelarja Merkel kujtoi në një konferencë shtypise me SHBA diskutime do të ketë, se "Joe Biden përfaqëson interesat e SHBA, kurse unë përfaqësoj interesat e RFGJ". Presidenti Biden është i ndërgjegjshëm për raportet. "Nuk është se unë kam mundësi të lejoj Gjermaninë ta bëjë diçka apo të mos e bëjë”, tha Bideni në maj, lidhur me Nordstream 2.
Ndoshta për të kërkuar më shumë nga Gjermania e sotme, p.sh. ndikimin që Bashkimi Evropian të mos afrohet më tej me Kinën, SHBA mund të bëjnë hapa të rëndësishëm për Gjermaninë. P.sh. të mbështesin aktivisht kandidaturën gjermane për një vend të përhershëm në KS të OKB-së. Siç deklaruan së fundi se do të bëjnë britanikët. Mund të pasojë edhe zbutja e disa sanksioneve tregtare në fuqi të SHBA ndaj BE, të vendosura nga presidenti Trump. Një gjest më modest, por me efekt të menjëhershëm, mund të ishte lejimi i udhëtarëve të Hapësirës Shengen, të bllokuar për shkak të masave anti-Covid, që të hyjnë sërish në SHBA.
SHBA vlerëson Merkelin dhe mendon për të ardhmen
Me ftesën në Uashington, SHBA i njohin kancelares Merkel rolin e saj si partnere e besueshme dhe e parashikueshme në veprime, edhe në marrëdhëniet me SHBA, në 16 vitet e saj si kancelare. Angela Merkeli do të largohet si kancelare në shtator. Shtëpia e Bardhë tani dëshiron të vendosë piketa bashkëpunimi për pasardhësit e saj. Pas takimit në Cornwall, Presidenti Biden e vlerësoi në një video në Instagram me këto fjalë kancelaren Merkel: "e kam thënë edhe para kryeministrave të tjerë: kjo është kryeministrja, që e adhuroj më shumë në Evropë."
SHBA janë të ndërgjegjshme për rolin drejtues të Gjermanisë në kohezionin e BE. Gjermania ka rol parësor në qëndrimin e BE ndaj Rusisë dhe në avancimin e lidhjeve ekonomike me Kinën. Presidenti Bideni tha në takimin e G-7 se dëshiron të riforcojë marrëdhëniet me BE. Dhe së fundi, gjermanët kanë qenë që pas Luftës së Dytë botërore, aleatë besnikë të SHBA. Janë ndjerë mirë nën mbrojtjen amerikane, por edhe nuk i kanë vënë pikëpyetje NATO-s, siç ka bërë dhe bën p.sh. Franca.
‘Sovraniteti evropian' dhe qëndrimi i SHBA-së
Gjermania dhe Franca dhe shtete të tjera të BE flasin që prej presidencës së Trumpit, gjithnjë e më shumë për një "sovranitet evropian". Ky koncept nuk është përpunuar deri në detaje, si do të materializohet. Disa shtete të BE, midis tyre, Gjermania, Franca, Spanja e Italia kanë nisur në këtë kuadër projekte të përbashkëta në fushën ushtarake. Është hedhur baza edhe për një fond të përbashkët për industrinë e mbrojtjes.
SHBA janë të interesuara që evropianët t'i plotësojnë amerikanët, por t'i dublojnë apo konkurojnë ata sa më pak. SHBA janë të interesuara që Evropa të ketë stabilitet, po t'u duhet amerikanëve të fokusohen në Azi. Për të gjitha këto, vizita e Merkelit në Uashington pritet me vëmendje.