1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëAmerika e Veriut

Merkel fton Bidenin për vizitë në Gjermani

26 Janar 2021

Kancelarja Merkel dhe Presidenti Biden telefonuan për herë të parë. Radha e telefonatave të Presidentit Biden tërhoqi vëmendjen në Gjermani.

https://p.dw.com/p/3oRnd
Bildkombo Angela Merkel und Joe Biden

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel e ka ftuar Presidentin amerikan, Joe Biden për një vizitë në Gjermani, sapo këtë ta lejojë situata e pandemisë. Ftesën e bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, pas një telefonate të hënën të kancelares gjermane me Presidentin e ri të SHBA.

Sipas qeverisë gjermane, Merkeli i transmetoi Presidentit Biden se Gjermania është e gatshme që për të përballuar detyrat ndërkombëtare të marrë përsipër përgjegjësi, së bashku me partnerët evropianë dhe transatlantikë. Tema të tjera të bisedës u fokusuan në politikën e jashtme, kryesisht në gjendjen në Afganistan dhe në Iran, si dhe në politikën tregtare dhe ndaj klimës. Merkeli përshëndeti edhe vendimin që SHBA do të kthehen në Marrëveshjen e Klimës së Parisit.

SHBA: Kina, Rusia dhe Ballkani Perëndimor - prioritete të përbashkëta

Qeveria e SHBA bëri të ditur në një deklaratë se Bideni i përcolli Merkelit dëshirën e tij për t'i forcuar marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe SHBA. Bideni shprehu synimin e tij për ta rigjallëruar aleancën transatlantike, në këtë kuadër edhe marrëdhëniet me NATO-n dhe me BE.

Partneritetin transatlantik Presidenti Biden e quajti "gur themeli i sigurisë sonë kolektive dhe vlerave të përbashkëta demokratike". Merkel dhe Biden ranë dakord më tej edhe për rëndësinë e bashkëpunimit global.

Në deklaratën e qeverisë amerikane thuhet se liderët ranë dakord që të bashkëpunojnë për prioritete të përbashkëta të politikës së jashtme, si Afganistani, Kina, Irani, Rusia, Ukraina dhe Ballkani Perëndimor. 

Vëzhguesve në mediat gjermane u tërheq vëmendjen fakti që telefonata e Presidentit Biden me kancelaren Merkel u zhvillua pasi ai kishte telefonuar të shtunën me kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe të dielën me Presidentin francez, Emmanuel Macron.

Radha e telefonatave të Bidenit ngre pyetje

I pyetur se a duhet parë si shenjë jo pozitive për marrëdhëniet dypalëshe kjo radhë telefonatash, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas u shpreh: "Mund ta shikojmë si të tillë, por nuk jemi të detyruar ta shohim si të tillë. Besoj se për ne ka rëndësi thelbësore, se me cilat tema përballemi. Dhe këtu unë kam shumë besim se ndodhemi para shansesh të mëdha dhe se varet nga ne, se çfarë do të bëjmë me to."

Pas sjelljes shokuese për shumë vëzhgues të ish-Presidentit Trump me Gjermaninë, i cili e kishte Gjermaninë shënjestër të preferuar për çështje nga më të ndryshmet, që nga tepricat në buxhet e deri në shpenzimet ushtarake të Gjermanisë, ndërrimi i administratës në Uashington u prit në Berlin me kënaqësi.

Por që në krye, politikanët gjermanë paralajmëruan se çështje të caktuara do të vazhdojnë të mbeten për diskutim me SHBA.

Në konferencën e shtypit që mbajti të enjten (21.01.) kancelarja Merkel tha se është e natyrshme që Gjermania dhe SHBA të mos jenë të të njëjtit mendim për çdo gjë.

"Mos mendoni se që prej nesër do të jetë vetëm harmoni midis nesh". "Do të ketë edhe diskutime, si t'i bëjmë më mirë gjërat për vendet tona".

Kancelarja gjermane kujtoi faktin se "Joe Biden përfaqëson interesat e SHBA, kurse unë përfaqësoj interesat e RFGJ". Në këtë kuadër Merkeli tha se ishte ndeshur me Bidenin kur ai ishte zëvendëspresident për kuptimin e shitjes së disa lloje armësh Ukrainës.

Merkel: Edhe SHBA kanë blerë naftë nga Rusia

E pyetur për sanksionet amerikane për gazsjellësin Nordstream 2, kancelarja Merkel kujtoi faktin se edhe SHBA kanë blerë naftë nga Rusia.

Kancelarja gjermane theksoi se "nuk kishte ndryshuar" qëndrim për Nord Stream 2, "në kuptimin që të them se projekti nuk duhet të ekzistojë".

Bundeskanzlerin Angela Merkel telefoniert
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/M. Schreiber

Por ajo tha se dëshironte të diskutonte gjerësisht me SHBA marrëdhëniet energjetike të Evropës me Rusinë. Për këtë duhej vendosur "gjithçka në tryezë".

"Ne duhet të flasim për atë se cilat marrëdhënie ekonomike me Rusinë në sektorin e gazit janë të pranueshme dhe cilat nuk janë," tha Merkel. "Ne duhet të flasim se a nuk do të kemi më tregti me Rusinë në fushën e gazit, ose cili nivel i varësisë është i tolerueshëm", tha kancelarja Merkel.

Kina dhe marrëveshja e investimeve me BE

Marrëdhëniet me Kinën janë fusha tjetër e përplasjes midis BE dhe SHBA. Për marrëveshjen për investimet reciproke mes BE dhe Kinës këmbënguli veçanërisht Gjermania, gjatë Presidencës në BE. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA, Jake Sullivan i bëri thirrje BE të mendohej dy herë para se ta nënshkruajë marrëveshjen me Kinën. Sipas medieve gjermane, bashkëpunëtorët e Bidenit qenë përpjekur ta pengonin arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Uashingtoni dhe Berlini presin nga njëri-tjetri

Radha e telefonatave të Presidentit Biden mund të shihet si veprim taktik, për ta nxitur Berlinin të përparojë në fushat ku është shprehur i gatshëm, ose për t'u afruar me qëndrimet amerikane.

Në telefonatën me Macronin, Bideni e quajti Francën "aleatin më të vjetër". Por kjo nuk do të thotë se Uashingtoni nuk e di se cila është fuqia e madhe e BE, prej së cilës formësohen vendimet në Bashkimin Evropian. Rrethana që ministri i ri i Jashtëm i SHBA, Anthony Blinken ka studiuar dhe punuar në Paris në rininë e tij mund të nxisë afëri me Francën, por ka pak gjasa ta bëjë administratën Biden që për Evropën të trokasë në radhë të parë në Paris: kjo vetëm do ta ndërlikonte komunikimin me Evropën.

Sipas një sondazhi të Institutit Gallup, vetëm 6 përqind e gjermanëve kishin në fund të vitit 2020 mendim pozitiv për performancën e udhëheqjes amerikane. Kaq pak SHBA i vlerësonte vetëm Irani. Kjo shpjegohet me shmangien e vazhdueshme nga normat diplomatike ndaj Gjermanisë të administratës së Trumpit. Administrata Biden ka në këtë drejtim potencial përmirësimi.