Berlinale: Me trup në Evropë, me zemër në Kosovë
15 Shkurt 2019Një sekuencë: Një tufë pëllumbash tek pushojnë mbi çatinë e zbardhur nga bora, befas ikin fluturimthi nga çatia, në tufë. Për një hop kulmi i shtëpisë mbetet i zbrazët. Pastaj kthehen dy sorra që duken se hulumtojnë terrenin. Në këtë peizazh monoton me dëborë seç ka diçka shqetësuese, paralajmëruese.
Një citat i një personazhi: "Nëse do të gjenin punë, do të ktheheshin që nesër". Fjala është për të bijtë, të cilët gjenden në mërgim, e për të cilët folësi ka ndërtuar nga një vilë katërkatëshe: Pesë djem, pesë vila, të tëra njësoj.
Një citat nga biseda me autorin e filmit: "Kam ndenjur dikur me një mërgimtar në Vjenë. Kishte tërë jetën në Austri, por për sa ndenja unë me të, ai 90 përqind të kohës foli vetëm për Kosovën".
Pakti i heshtur i traditës
"Nuk e di," thotë personazhi i parë, "nëse këto shtëpi do t'ju pëlqejnë djemve." Pesë djem dhe pesë vajza ka ai dhe të pestë djemve u ka ndërtuar nga një vilë trekatëshe. Një tjetër, vëllai i madh, u ka ndërtuar katër vëllezërve, në marrëveshje me ta, nga një vilë. Motrave jo, sepse ato ishin në gjendje të mirë. "Ato hoqën dorë vetë, me dëshirë," thotë vëllai i madh, i ulur në mes të arës mes katër karrigeve të zbrazëta dhe para pesë vilave që ngjajnë si pikat e shiut.
Dhe kështu duket se është ngado nëpër fshatrat e Kosovës. Babai, ose i pari i familjes, i ndërton çdo mashkulli nga një shtëpi. Të zotët e shtëpive janë në mërgim, dhe gjasat që ata të kthehen dikur për të jetuar aty po bëhen gjithnjë e më të vogla. Në një vend që jeton kryesisht prej mërgimit e me një papunësi prej 29 për qind, as shifrat më optimiste të rritjes ekonomike prej 4,5 për qind nuk e nxjerrin pozitiv bilancin e kthimit. Të ardhurat për vilat tre-katërkatëshe sigurisht që vijnë nga mërgata. Tradita vazhdon edhe pse dobia ekonomike dhe sociale e saj mbetet me pikëpyetje të madhe:
Visore të zbrazëta
Ditën fushat janë të zbrazëta, vetëm protagonistët dhe punëtorët e ndërtimit e popullojnë visoren. Kur bie muzgu vilat zhyten në terr, vetëm fenerët e rrugëve u japin njëfarë ndriçimi. Ditën qielli është i vranët. Monotoninë e peizazhit e prishin fjollat e dëborës, fëshfërima e shiut, ose vija e vetëtimës që zhdymëzon qiellin.
Njerëzit pozojnë të heshtur para kamerës dhe në sfond dëgjohet zëri i tyre që tregon. Pozimi gojëkyçur sikur e shton edhe më shumë efektin e vetmisë së dyfishtë, si për mërgimtarin e përmalluar ashtu edhe për të parin e familjes. "Ne takohemi këtu vetëm për dasma ose vdekje", thotë një emigrant i ardhur për një dasmë, teksa pozon së bashku me katër vëllezërit e tij para kamerës. "Ne jemi me trup në Evropë, por me zemër në Kosovë".
Filmi është i mbushur me pamje të tilla, fotografi të filmuara, portrete njerëzish, sa estetike aq edhe simbolike e që në rrjedhën e narracionit formojnë një poemë fotografike për Kosovën e sotme rurale. Samir Karahoda thotë se sfida më e madhe ishte te titulli. Dy muaj iu desh për të gjetur atë togfjalësh kaq të thjeshtë që do t'i përmblidhte të gjitha: "Mërgimin, dashurinë për vendlindjen, për familjen, identitetin e dyfishtë të shqiptarëve të Kosovës që ende vazhdojnë të festojnë me dy flamuj nëpër dasma".
Nga fotografia tek kinematografia
"Në mes" ka dalë nga një projekt fotografik i vitit 2011. Fotografia është profesioni i parë i 42-vjeçarit të lindur në Prizren. Artin e fiksimit të pamjeve në celuloid e ka mësuar nga profesorët e Universitetit të Arteve të Bukura "Mimar Sinan" në Stamboll, ku kreu studimet për fotografi, dhe e ka ushtruar në Kosovë, ndër të tjera edhe me filmin mjaft të lëvduar dhe të laureuar të Isa Qosjes, "Kukumi" (2005).
Kontakti me fotografinë nisi rastësisht, kur ishte 15-vjeçar dhe e ëma lëngonte nga një sëmundje e rëndë dhe halla, për ta larguar nga zymtësia e krijuar në familje, e dërgoi te djemtë e saj që kishin një studio fotografike në Prizren. Pesë ditë më vonë do të humbte nënën, por do të fitonte një pasion të ri: "Kuptova se fotografia ishte ajo qe me bënte te lumtur", thotë Samir Karahoda, i cili, pas katër vjetësh përvojë me fotografinë komerciale vendosi ta kthente pasionin në profesion dhe shkoi ta studionte në Universitetin e Arteve të Bukura në Stamboll. Tek kjo përzgjedhje nuk ndikoi afria tradicionale e Prizrenit me Turqinë dhe turqishten, por një shkak më i rëndomtë: "Ishte i vetmi vend ku mund të shkoja pa vizë".
Kalimi nga fotografia te kinematografia erdhi në mënyrë më graduale, teksa punonte nëpër filma dhe video si mjeshtër ndriçimi: "Xhiruesit ne përgjithësi nuk e njihnin konceptin e ndriçimit dhe puna ime nuk reflektohej ashtu si duhet për shkak te mos njohurisë së tyre, kështu që vendosa të punoja vet edhe si xhirues/kinematograf."
"Në mes" e vërteton mjeshtërinë e Samir Karahodës për të rrëfyer mes fotografish të fuqishme gjendjen shpirtërore të një kombi. Pjesëmarrja e filmit debutues në Berlinale do të hyjë në historikun e kinematografisë kosovare, sepse është hera e parë që Kosova merr pjesë zyrtarisht në këtë festival. Një përzgjedhje që sa e befasoi aq edhe i jep zemër kineastit të ri që, siç i thotë ai DW-së, të vazhdojë në këtë rrugë. "Përsa kohë që kam ç'të tregoj, dua të vazhdoj me kinematografinë". Dhe Kosova ofron plot pr te rrëfyer: Projekti i tij aktual është filmi "Hana" i regjisorit Ujkan Hysa që trajton historinë e një femre të përdhunuar gjatë Luftës.