Berlin-Prishtinë: Bashkëpunim për ndaljen e refugjatëve
2 Mars 2015Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier theksoi pas takimit në Berlin (02.03) me homologun kosovar Hashim Thaçi, se vetëm të përndjekurit politik kanë "një shans për azil" në Gjermani. Njëkohësisht Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka vënë në dispozicion një milionë Euro shtesë për të ndihmuar të kthyerit.
Numri i azilkërkuesve nga Kosova gjatë muajve të fundit është rritur ndjeshëm. Vetëm në janar kanë ardhur në Gjermani mbi 10 000 azilkërkues nga Kosova. Arsye kanë qenë fjalë që kanë qarkulluar se gjoja Republika Federale e Gjermanisë jep lehtësisht leje qendrimi. Steinmeier bëri të qartë: «Për këdo që nuk përndiqet për arsye politike, kërkesa për azil në Gjermani nuk rezulton me leje të përhershme qendrimi, por me kthimin në Kosovë.» Nuk duhet të zgjohen shpresa, që nuk mund të realizohen.
Kthimi me procedurë të përshpejtuar
Sipas të dhënave të Entit Federal për Migracion dhe Refugjatët shumë refugjatë japin si arsye të largimit, se nuk shohin më asnjë perspektivë në vendin e tyre për shkak të papunësisë dhe të ardhurave të ulëta.
Ministrat e brendshëm të landeve të Gjermanisë vendosën në shkurt për përshpejtimin e procedurave të shqyrtimit të kërkesave për azil për refugjatët nga Kosova. Azilkërkuesit nga Kosova që nga e mërkura (17.02) duhet të llogarisin me refuzimin e shpejtë të kërkesave të tyre për azil në Gjermani. Një sërë aplikimesh tani do të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar brenda 14 ditësh. Me këtë masë autoritetet kanë reguar ndaj rritjes masive të numrit të refugjatëve nga Kosova.