Mediat gjermane mbi fluksin e kosovarëve
14 Shkurt 2015Bavaria, Baden-Vyrtembergu, landi i Renanisë Veriore-Vestfalisë janë landet më prekura gjermane nga shtimi i valës së refugjatëve nga Kosova. Nëse vendimi i marrë në konferencën telefonike të së premtes të ministrave të Brendshëm të landeve gjermane për trajtimin brenda dy javësh të kërkesave për azil nga Kosova do të lehtësojë komunat dhe landet gjermane nuk dihet ende. Organizata humanitare "Pro Asyl" vlerëson të shtunën se rruga po shkon në drejtimin e duhur, por kritikon aspekte të tjera të këtij vendimi. Organizata për ndihmën ndaj refugjatëve, Proasyl e ka kritikuar vendimin si jo realist që u mor për të shkurtuar procedurat e azilit për kosovarët që vijnë në Gjermani. "Nuk mund të pritet që brenda tre muajsh me një lindje të shpejtë të na dalin 350 specialistë që vendosin për kërkesat e azilantëve", u shpreh Bernd Mesovic për gazetën "Kölner Stadt Anzeiger" të ditës së shtunë. Personeli i nevojshëm duhet të gjendet dhe të kualifikohet në këtë drejtim, tha Mesovic, madje vetëm përpunimi i kërkesave zgjat rreth nëntë muaj.
Pre e kontrabandistëve
Vala e refugjatëve nga Kosova e ka vënë këtë temë në qendër të komenteve e analizave të mediave gjermane. "Reutlinger General Anzeiger" situatën aktuale në Gjermani pas rritjes së numrit të refugjatëve nga Kosova e lidh me mënyrën e funksionimit të ligjit për azil në këtë vend. "Gabimi më i madh që bëhet është futja në një sistem johuman e refugjatëve ekonomikë. Kosovarët duhet të shtrojnë një kërkesë për azil, megjithëse e dinë se nuk janë të përndjekur politikisht, dhe se kërkesa do të refuzohet. Pasoja është mbushja përplot e qendrave të pranimit. Në të vërtetë do të ishte më e ndershme, që këtyre njerëzve ose t'u hiqej që nga fillimi shpresa për një jetë në Gjermani, ose ta deklarosh Kosovën si vend të sigurt origjine. Këta refugjatë ekonomikë nuk do të merrnin rrugën drejt Gjermanisë dhe nuk do të binin pre e kontrabandistëe. Akoma më mirë do të ishte një ligj migracioni që do të rregullonte me ligj imigrimin."
Në dyndjen e refugjatëve kosovarë në Gjermania gazeta "Manheimer Morgen" e vë theksin tek politika: "Përpjekja e politikës për të ndalur eksodin është si një veprim i dëshpëruar dhe i destinuar të dështojë. Seose gjendjen katastrofale në shtëpinë e varfër të Europës nuk e ndryshon as shtimi i personelit në Zyrën Federale për Migracionin dhe Refugjatët dhe as kategorizimi i Kosovës si vend i sigurt origjine. Njerëzit në Kosovë nuk do të lenë asgjë pa provuar për të kërkuar një të ardhme më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre diku tjetër.
Kosova duhet të shpëtojë nga klanet
Edhe gazeta "Schwäbische Zeitung" dyshon në masat që merr Gjermania për të ndalur fluksin e refugjatëve. Kjo do të ishte përgjigja e thjeshtë, analizon gazeta, "të kthesh azilkërkuesit, të mbyllësh kufijtë, të kesh qetësi. Tingëllon mirë, por pjesërisht. Ka 15 vjet që në Kosovë fjalën e fundit tek administrimi e ka OKB-ja. Përparimi nuk shihet aspak. Në Kosovë vendosin klanet familjare. Kush nuk ka mbështetjen e të fuqishmëve, nuk ka asnjë shans për mirëqenie. Prandaj kush kap një sinjal për një jetë më të mirë për familjen e tij, përpiqet të marrë rrugën drejt BE-së. Në plan afatshkurtër ndoshta është gjëja e duhur të forcosh mbrojtjen kufitare, të përshpejtosh procedurat e azilit, të kthesh azilantët. Por në plan afatmesëm e afatgjatë duhet të bëhet më shumë. Kosova duhet të shpëtojë nga ngërthimi i klaneve."
Gazeta tjetër gjermane "Westfälische Nachrichten" mbështet iniciativën e landeve për përshpejtim të procedimit të azilit, por "vëren se procedimet e azilit kërkojnë megjithatë shumë kohë. Prandaj është pozitive shtimi i personelit të Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët. Federata duhet të veprojë. Sepse një gjë dihet: Numri i lartë i refugjatëve dhe koha e zgjatur e procedurave kthehen në barrë të vështirë për landet e komunat dhe nuk e rrisin konsesusin dhe pranueshmërinë për azilantët. Kjo nuk ndihmon askënd, më pak nga të gjithë të prekurit nga luftërat civile."