BE vihet në lëvizje: Ursula von der Leyen në tur ballkanik
30 Tetor 2023Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen turin katërditor në Ballkanin Perëndimor e filloi nga Shkupi. Takimi i parë në agjendën e ngjeshur ishte ai me presidentin, Stevo Pendarovski. Në këtë takim është diskutuar për procesin e negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut dhe situatën aktuale në rajon. Presidenti Pendarovski ka falënderuar për mbështetjen dhe përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj politikës së zgjerimit dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në fokus të bisedimeve të zhvilluara ishte edhe rëndësia strategjike e zbatimit të ndryshimeve në Kushtetutë dhe implikimet e mëtejshme në perspektivën evropiane të vendit.
Von Der Leyen: Përparimi në reforma RMV-së i hap rrugën drejt BE-së
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka prezantuar në detaje Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, mbështetjen e Brukselit në procesin e reformav,e por ka nënvizuar edhe rëndësinë e miratimit të ndryshimeve kushtetuese në mënyrë që vendi të vazhdojë rrugën evropiane. Progresi i Maqedonisë së Veriut në reforma hap rrugën e saj drejt BE-së, theksoi ajo. "Me padurim presim t'ju urojmë mirëseardhje, për identitetin tuaj të veçantë dhe për gjuhën tuaj, gjuhën maqedonase”, është shpehur von der Leyen, duke shprehur kënaqësinë që turneu i saj nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor në tre ditët e ardhshme filloi pikërisht nga Shkupi.
Mariçiç:Vizita e presidentes sinjal pozitiv për rajonin
Për zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq vizita e presidentes së Komisionit Evropian është një sinjal pozitiv për perspektivën evropiane të rajonit. "Kemi pyetje të rëndësishme për të ngritur në lidhje me reformat dhe angazhimet përpara përfundimit të procesit të shqyrtimit dhe përpara publikimit të Raportit Vjetor të Progresit 2023”, ka thënë Mariçiç.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen zhvillon takime edhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, kurse nuk është paraparë ndonjë takim me liderët e opozitës.
Opozita maqedonase është kundër kushtëzimeve
Kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski pa saktësuar nëse do të takohet me von der Leyen, tha se ai pret që KE të dalë me qëndrim përnisje të pakushtëzuar të negociatave. "Shpresoj, se nuk do të ketë kushtëzime shtesë për t'i filluar negociatat, edhe pse jam i vetëdijshëm për mungesat e shumta që i kemi në planin vendor për shkak të dështimit të punës së qeverisë së korruptuar të LSDM-së dhe BDI-së. Vlerësoj se në atë mënyrë, se do t'i jepet mirënjohje edhe shtetit edhe qytetarëve”, ka thënë Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Lidhja Demokratike pret që përfaqësuesit e qeverisë dhe presidenti të këmbëngulin që Maqedonia të fillojë negociatat me BE-në pa asnjë kushtëzim dhe kërkese që nuk janë pjesë e kritereve të Kopenhagës. "Kryetarja e KE-së, Ursula von der Leyen duhet të angazhohet që Këshilli i BE-së të sjellë vendim që çështjet historike dhe të identitetit të mos jenë bazë për bllokimin e eurointegrimit të Maqedonisë së Veriut. Kërkesat joparimore nga ana e Bullgarisë duhet të jenë çështje të bisedimeve dypalëshe dhe të zgjidhen me vullnet të mirë dhe me mirëkuptim të ndërsjellë”, thonë nga Lidhja Demokratike. Pas qëndrimit në Shkup, Presidentja e KE-së, von der Leyen udhëton për në Prishtinë.