OKB dënon aneksimin rus të katër rajoneve ukrainase
13 Tetor 2022Ishte parashikuar një shumicë e qartë në OKB kundër aneksimit në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare të territoreve ukrainase nga Rusia. Por rezultati përfundimtar i votimit në Asamblenë e Pergjithshme të OKB-së i tejkaloi parashikimet: 143 nga 193 vendet anëtare të OKB-së votuan në forumin më të madh të kësaj organizate pro rezolutës, që dënon aneksimin nga Rusia të rajoneve ukrainase dhe e shpall atë të pavlefshëm.
Kremlinit i kërkohet që të rikthejë rajonet e pushtuara Lugansk, Donjeck, Saporishshja dhe Kerson.
Vendimi ndonëse nuk është i detyrueshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, tregon megjithatë izolimin e qartë ndërkombëtar të Moskës. Në rezolutë theksohet gjithashtu sovraniteti, pavarësia, uniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Siria, Nikaragua, Koreja e Veriut dhe Bjellorusia e Rusia votuan kundër. 35 vende të tjera abstenuan, ndër to partnerët strategjikë të Rusisë Kina, India, Afrika e Jugut dhe Pakistani. Ndër vendet që e miratuan rezolutën janë edhe Brazili, Turqia dhe Arabia Saudite, vende këto për të cilat fillimisht u spekulua se si mund të komportoheshin gjatë votimit të rezolutës.
Gjermania gjatë një mbledhjeje urgjente mbështeti hartimin e rezolutës. "Pseudoreferendumet dhe aneksimi ilegal i Rusisë janë zero dhe të pavlefshme", tha diplomati gjerman Michael Geisler përpara votimit në Asamblenë e Pergjithshme. „Ne të gjithë jemi të detyruar ligjërisht që të refuzojmë t'i pranojmë ato."
Një projekturezolutë e ngjashme si kjo që u miratua tani dështoi gjatë votimit në shtator në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për shkak të kundërshtimit të Rusisë. Në Këshillin e Sigurimit rezolutat kanë efekt detyrues sipas së drejtës ndërkombëtare. Anëtarët e përhershëm të këtij forumi Rusia, Kina, SHBA-ja, Franca dhe Britania e Madhe me veton e tyre mund t'i bllokojnë vendimet.
qu/AL (dpa, rtr, afp)