1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stoltenberg: Sulmet e fundit të Rusisë janë shenjë dobësie

11 Tetor 2022

Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg informoi mediat, dy ditë pas intensifikimit të sulmeve raketore ruse në Ukrainë. Deklaratat e tij vijnë në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel

https://p.dw.com/p/4I3Gc
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg jep një konferencë shtypi përpara takimit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Belgjikë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg jep një konferencë shtypi përpara takimit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Belgjikë.Fotografi: YVES HERMAN/REUTERS

Vendet e NATO-s duan të rrisin kapacitetet e prodhimit për municione dhe pajisje për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë. "Sa më shumë të zgjasë kjo luftë, aq më e rëndësishme është që ne të jemi në gjendje të rimbushim depot e armatimit," tha të martën në Bruksel Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

Stoltenberg i bëri deklaratat në prag të takimit dyditor të ministrave të mbrojtjes së 30 vendeve anëtare të NATOS, të mërkurën dhe të enjten në Bruksel. "Vendet anëtare do të sigurojnë kërkesën afatgjate për industrinë, e cila nga ana e vet do të duhet të investojë në kapacitete të reja prodhuese”, tha Stoltenberg. Rritja e prodhimit duhet të përshpejtojë edhe dërgimin e materialeve në Ukrainë, e cila ka nevojë për një "gamë të gjerë sistemesh të ndryshme" në luftën kundër Rusisë. Stoltenberg dha si shembull artilerinë, mjetet e blinduara, sistemet e mbrojtjes ajrore, si dhe karburantin, veshjet dimërore, sistemet e komunikimit dhe pjesët rezervë.

Nato nuk sheh ndryshim në sjelljen e Rusisë

Sa i përket deklaratave të fundit, që vijnë nga Kremlini, për kërcënime me armë bërthamore, sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se NATO nuk kishte vërejtur ndonjë dallim në qëndrimin e  Rusisë, pavarësisht këtyre deklaratave. Por Stoltenberg shtoi se aleanca ushtarake duhej të vijojë të jetë vigjilente.

"Ndërsa Rusia po përdor gjithnjë e më shumë sulme të tmerrshme dhe pa dallim mbi civilët dhe infrastrukturën kritike, presidenti Putin po dështon në Ukrainë”, tha Stoltenberg.

Ukraine | Kiew nach Angriff
Sulmet e fundit të Rusisë ndaj Kiewit janë shenjë dobësie nga Putini b\Fotografi: Leo Correa/AP/picture alliance/dpa

Kreu i NATO-s tha gjithashtu se Putini e filloi luftën duke pushtuar Ukrainën dhe për këtë arsye i takon presidentit rus që t'i japë fund konfliktit duke tërhequr trupat.

"Rusia në fakt po humb në fushën e betejës”, tha Stoltenberg. Stoltenberg, deklaratat e të cilit vijnë dy ditë pas intensifikimit të sulmeve raketore ruse në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës tha: "Unë mendoj se ajo që pamë dje është në fakt një shenjë dobësie, sepse e vërteta është se Rusia nuk po arrin të përparojë, përkundrazi, Rusia po humbet në fushën e betejës”.

Me një dimër të vështirë përpara, është edhe më e rëndësishme që Amerika e Veriut dhe Evropa të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar në mbështetje për Ukrainën dhe në mbrojtje të qytetarëve tanë”, tha Stoltenberg.

Stërvitja e reagimit bërthamor të NATO-s do të vazhdojë

Ndërkohë, NATO do ta kryejë stërvitjen e saj vjetore të reagimit bërthamor "Steadfast Noon" javën e ardhshme, siç ishte planifikuar, u tha Stoltenberg gazetarëve.

"Ky është trajnim rutinë që ndodh çdo vit” tha Stolteberg, dhe do të ishte një sinjal i gabuar, nëse do ta anulonim, pikërisht tani. "Rusia e di se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet bërë kurrë”, tha Stoltenberg duke iu referuar "kërcënimeve të fshehta bërthamore” të Kremlinit.

Presidenti Putin ka kërcënuar se do të mbrojë tokën ruse duke përdorur të gjitha masat e nevojshme – duke përfshirë përdorimin e armëve bërthamore. Moska kohët e fundit aneksoi katër rajone të Ukrainës, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare, dhe Putini ka thënë se Rusia do t'i shihte sulmet e Ukrainës në këto rajone si sulme ndaj vetë Rusisë.

Ash/jsi/rs (Reuters, dpa, AFA