Antony Blinken sërish në Lindjen e Mesme
7 Shkurt 2024"Ka ende shumë punë për të bërë, por ne vazhdojmë të besojmë, se një marrëveshje është e mundur dhe me të vërtetë thelbësore”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi në Doha me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Aktualisht Blinken po zhvillon turin e tij të pestë në Lindjen e Mesmeqë pas fillimit të luftimeve pas sulmeve terroriste të Hamasit radikal-islamik më 7 tetor ndaj Izraelit.
Të martën (06.02.2024) presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha, se ka "disa lëvizje” në bisedimet për armëpushim. Megjithatë, Biden, vuri në dukje, se ende nuk është e sigurtë përgjigja e Hamasit dhe bisedimet po vazhdojnë.
Izraeli të martën (06.02.204) tha, se 31 pengjet e mbetura të mbajtura nga militantët e Hamasit në Gazë kanë vdekur. "Ne kemi informuar 31 familje, se të dashurit e tyre të kapur nuk janë më në mesin e të gjallëve dhe se i kemi shpallur të vdekur”, tha kryezëdhënësi i Izraelit, admiral Daniel Hagari.
Gjatë sulmeve terroriste të Hamasit më 7 tetor, 253 persona u morën peng gjatë bastisjeve ndaj komuniteteve në Izraelin jugor, mbi 1200 vetë u vranë. Izraeli deri vonë bënte fjalë, se beson që 136 pengje ende mbahen në Gazë dhe se rreth 20 pengje mund të kishin të vdekur. Rreth 100 pengje, ndonëse shumë, por jo të gjithë izraelitë, u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor në këmbim të të burgosurve palestinezë që mbaheshin në burgjet e Izraelit.
lo/kb (AFP, AP, dpa, Reuters)