1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Abraham: Duhet të rifitojmë motivimin në Ballkan

10 Qershor 2022

Intervistë - Pritshmëritë e deputetit gjerman të CDU-së, Knut Abraham nga vizita e Kancelarit Scholz në rajon.

https://p.dw.com/p/4CVSY
Deutschland Politik  l Knut Abraham, CDU, im DW Interview
Knut Abraham, CDUFotografi: Anila Shuka/DW

Deutsche Welle: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga vizita e Kancelarit Scholz në rajon?

Ne duhet të sjellim besueshmëri në procesin e anëtarësimit. Në thelb, që nga fillimi i viteve 1990, vendet janë në pritje të një afrimi me Evropën. Nëse nuk ndodh asgjë, zhgënjimi është i madh, prandaj edhe është me rëndësi që të rifitojmë motivimin.

Çfarë duhet bërë për të rikthyer këtë besueshmëri?

Për shembull, duke filluar negociatat e anëtarësimit dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Pra, të ushtrojmë ndikim masiv tek miqtë në Sofje, në mënyrë që çështjet dypalëshe, siç janë problemet maqedono-bullgare, të mos pengojnë të gjithë procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Çfarë ka në dorë Gjermania apo BE-ja?

Ne kemi pritshmëri nga qeveria bullgare, si në BE ashtu edhe në planin dypalësh. Dhe duhet t'ua bëjmë të qartë miqve tanë në Sofje se ky problem është një problem që duhet zgjidhur në planin dypalësh, e jo në nivel evropian.

Çfarë mesazhi duhet të sjellë z.Scholz në Prishtinë?

Edhe këtu është e rëndësishme të rifitojmë besimin e humbur. Për shembull, sa i përket liberalizimit të vizave: kushtet janë plotësuar. Dhe kur ke punuar me vite me kushtet dhe kur i ke arritur ato dhe ende nuk e ke arritur qëllimin, rezultati është zhgënjimi. Dhe kjo është arsyeja pse unë shpresoj shumë që vendimi për liberalizimin e vizave të merret deri në fund të qershorit nën Presidencën Franceze. Një vend i rëndësishëm si Gjermania dhe një personalitet i rëndësishëm si Kancelari Federal mund të japin këtu një kontribut të rëndësishëm.

Në prag të udhëtimit të tij, Scholz tha se do të ringjallte Procesin e Berlinit të iniciuar nga ish-kancelarja Angela Merkel. Ai takohet në Selanik me përfaqësues të të gjitha vendeve të rajonit. Megjithatë, shumë pak vendime të Procesit të Berlinit janë zbatuar. A do të ishte nisma e Ballkanit të Hapur një alternativë më efektive?

Besoj se Procesi i Berlinit që lidhet me emrin e zonjës Merkel sigurisht që ka sjellë përparim në rajon. Bashkëpunimi me Komisionin Evropian është gjithashtu një trashëgimi e rëndësishme nga koha e zonjës Merkel në detyrë. Çdo gjë që forcon tregtinë ndërrajonale dhe ekonominë ndërrajonale për të mirën e të gjithë partnerëve është e mirë. Pra, edhe nisma e Ballkanit të Hapur është një element pozitiv .

Abraham: Duhet të fitojmë motivimin e duhur në Ballkanin Perëndimor

Megjithatë, Kosova nuk dëshiron të marrë pjesë në këtë nismë. Cila është këshilla juaj?

Ky është një kompromis. Përvoja e Kosovës me fqinjin e saj është mbrujtur nga mosbesimi. Kjo nuk mund të anashkalohet. Por unë besoj se çdo gjë që ndihmon në zgjerimin e ekonomisë kosovare është e mirë. Dhe në këtë kuptim, unë besoj se Ballkani i Hapur mund të jetë një perspektivë.

Serbia është kritikuar për marrëdhëniet e saj me Rusinë. Si duhet të sillet kancelari Scholz në Beograd?

Serbia është një partner jashtëzakonisht i vështirë për të gjithë ne, por sigurisht veçanërisht për Kosovën, thjesht për shkak të fqinjësisë dhe historisë së saj. Por mesazhi ynë për Beogradin është shumë i qartë: Edhe pse mund të ketë interesa të kuptueshme energjetike, ka ardhur koha që Serbia të pozicionohet. A dëshiron të shkojë në Evropë apo dëshiron të jetë një lloj zone neutrale me marrëdhënie të shkëlqyera me Moskën? Tani, në këtë kohë, në këtë situatë lufte, është koha për të marrë një vendim.

Pa zgjidhjen e problemeve dypalëshe, procesi i zgjerimit nuk duket shumë real. Kohët e fundit ka pasur propozime të reja: zoti Macron ka hedhur idenë e një federate shtetesh përtej BE-së dhe kolegu juaj i partisë Krichbaum flet për anëtarësim të asociiuar.A do të ishte kjo një zgjidhje për vendet e Ballkanit Perëndimor?

Kjo është një pikë shumë e rëndësishme dhe jam mirënjohës që mund ta sqaroj këtu. Një ide e tillë, e paraqitur nga Presidenti francez dhe gjithashtu nga të tjerë, mund të jetë vetëm një hap i ndërmjetëm. Ne duhet të konsiderojmë modele, në të cilat këto shtete të mund  të miratojnë pjesë të legjislacionit evropian, sidomos atë të tregut të brendshëm, dhe kështu mund të përfitojnë edhe nga avantazhet ekonomike të BE-së, pa u bërë anëtar me të drejta të plota. Pra, jo në asnjë mënyrë një klub i veçantë i fqinjëve të vështirë. Anëtarësimi në tregun e përbashkët është një hap drejt anëtarësimit të plotë dhe jo një zëvendësim i anëtarësimit të plotë.