A i shkon në dobi propagandës së Kremlinit sulmi i Hamasit?
11 Tetor 2023Flamuri rus është në gjysmështizë, buqetat me lule janë me ngjyrë të bardhë dhe blu, ngjyrat e flamurit izraelit. Gratë ruse vijnë në ambasadën izraelite në Moskë për të shprehur simpatinë e tyre për viktimat e sulmit të Hamasit në Izrael. Oficerët po kontrollojnë dokumentet e tyre. Nuk ka incidente, gjithçka mbetet e qetë deri në mbrëmje. Po aq e qetë sa është edhe përballë përfaqësisë palestineze në kryeqytetin rus.
Rusia tradicionalisht mban marrëdhënie të mira me të dyja palët, si me Izraelin ashtu edhe me palestinezët, por në të njëjtën kohë është e distancuar nga të dyja palët, deklaron në një intervistë për DW eksperti rus i Lindjes së Mesme, Ruslan Suleimanov, i cili jeton në Azerbajxhan. "Marrëdhëniet janë ende pjesërisht të bazuara në besim, edhe pasi Rusia sulmoi Ukrainën dhe pasi marrëdhëniet me Izraelin u përkeqësuan pjesërisht."
Në lidhje me këtë, Suleimanov kujton deklaratën e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov nga maji 2022. Në atë kohë, Lavrov, duke iu referuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, pohoi se "antisemitët më të zellshëm" janë vetë hebrejtë. Qeveria izraelite e dënoi këtë deklaratë të Lavrovit. Ministri i Punëve të Jashtme Jair Lapid e quajti atë "një deklaratë të pafalshme, skandaloze, një gabim të tmerrshëm historik". Por pas kësaj nuk ka ndodhur asgjë "e pariparueshme”, përfundon Suleimanov.
Intensifikimi i kontakteve me Hamasin
E njëjta gjë vlen edhe për qëndrimin e Kremlinit ndaj Hamasit, të cilinBE, SHBA dhe Izraeli e konsiderojnë organizatë terroriste. "Këto kontakte janë intensifikuar kohët e fundit. Përfaqësuesit e Hamasit kanë ardhur gjithnjë e më shpesh në Moskë, herën e fundit në mars të këtij viti." Ky ekspert nuk beson se Kremlini ishte informuar për sulmin e madh të planifikuar nga Hamasi radikal islamik ndaj Izraelit. "Edhe ushtria izraelite dhe shërbimi i inteligjencës ishin krejtësisht të befasuar”. Në të vërtetë, një skenar i tillë nuk përjashtohej në parim as në Moskë. Por askush nuk e priste një shkallë të tillë, thotë eksperti i Lindjes së Mesme.
Gjëra të ngjashme sheh edhe politologia nga Moska, Jelena Suponina. Udhëheqja në Kremlin nuk dinte asgjë, ajo është e sigurt për këtë. Dhe në një intervistë për Deutsche Wellen, ajo thotë se dyshon që Rusia mund të kontribuojë në ndonjë gjë të konsiderueshme për të shmangur një sulm.
Arsyeja për këtë është fakti, se Kremlini aktualisht ka prioritete të tjera, përkatësisht Ukrainën. Përveç kësaj, Saponina supozon se Moska aktualisht po përpiqet të koordinohet në lidhje me këtë konflikt me partnerët e saj arabë, kryesisht Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Iranin. Në të njëjtën kohë, Rusia nuk do të marrë asnjë anë dhe nuk do të veprojë kundër "veprimtarive terroriste".
Moska zyrtare e ka dënuar vërtet përshkallëzimin aktual të konfliktit mes palestinezëve dhe izraelitëve. Ministria e Punëve të Jashtme ruse e quajti atë "rezultat i një rrethi vicioz dhune" dhe kërkoi përmbajtje. Propagandistët rusë, të cilët e diskutojnë atë në mediat besnike të Kremlinit, në thelb mbrojnë tri teza kryesore: se përshkallëzimi u shkaktua nga gabimet e Perëndimit, se luftërat janë bërë normale dhe se tani rusët, të cilët (për shkak të luftës kundër Ukrainës) shkuan në Izrael, do të kthehen në Rusi.
Fajtorë janë "të marrët" nga Perëndimi
Teza se Perëndimi, mbi të gjitha SHBA-ja, është fajtor për sulmet e Hamasit, është veçanërisht e preferuar për ish-presidentin rus Dmitry Medvedev. Kreu aktual i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Ruse në profilin e tij në Telegram etiketoi SHBA-në si "lojtar kyç". Në të njëjtën kohë, Medvedev bën një lidhje gjeopolitike me luftën ruse kundër Ukrainës. Konflikti në Lindjen e Mesme është pikërisht ajo që "Uashingtoni dhe aleatët e tij duhet të jenë më të shqetësuar”, thotë ai. Në vend të kësaj, "të çmendurit" nga Uashingtoni "ndërhynë duke ndihmuar neo-nazistët dhe duke provokuar një konflikt midis dy popujve që janë afër njeri-tjetrit" (rusët dhe ukrainasit. shën.red.), thotë Medvedev.
Eksperti i Lindjes së Mesme Ruslan Suleimanov nuk i merr seriozisht fjalët e Medvedevit. "Ai është shumë larg realitetit, ai nuk ka pasur asnjë ndikim për një kohë të gjatë," thotë Suleimanov. Megjithatë, Medvedev përfaqëson mendimin e Kremlinit se Perëndimi provokoi konflikte të tilla. Por kjo është një teori e pastër konspirative, sepse konflikti palestinezo-izraelit në realitet ka arsye krejtësisht të ndryshme, thotë ai.
Suleimanov beson se Kremlini po përfiton nga përshkallëzimi i dhunës në Lindjen e Mesme. "Së paku, sulmi e largon vëmendjen nga ajo që ushtria ruse po bën në Ukrainë." Për të, çdo gjë tjetër është propagandë për përdorim të brendshëm rus. Në të njëjtën kohë, shumica e rusëve nuk janë të interesuar për konfliktin midis palestinezëve dhe izraelitëve, sepse ky konflikt është shumë larg tyre dhe është shumë e ndërlikuar, beson eksperti i Lindjes së Mesme.
Kjo mund të jetë e vërtetë për shumicën, por jo për të gjithë. Ndryshe nuk do të vendoseshin lule para ambasadës izraelite në Moskë, e as nuk do të kishte një grua me një pankartë ku shkruhej "Jo terrorit”. Por sipas mediave, ajo nuk ka qëndruar gjatë atje. Policia e arrestoi.