A e ka marrë veten turizmi në Greqi?
31 Gusht 2021Fjala greke për pushime është diakopez (διακοπές), që e përkthyer do të thotë "ndërprerje". Çfarë fjale e përshtatshme për të përshkruar udhëtimin tim në ishujt me diell të Cyklades në këtë verë të dytë të pandemisë. E sapovaksinuar dhe me vetëbesim mbërrita në Greqi në fillim të korrikut.
Trageti nga Athina në Paros duket i stërmbushur, edhe pse duhet të jetë vetëm 80 përqind i ngarkuar sipas rregullave të COVID-it. Të paktë janë ata që mbajnë maskë dhe rregullin e distancës 1,5 metër. Para hipjes në traget të gjithë udhëtarët plotësojnë një pyetësor shëndetësor, ku duhet deklaruar, nëse je vaksinuar apo ke bërë testin. Megjithëse e mbaj gjithmonë gati pasaportën e vaksinimit, nuk do të më kërkohet ta tregoj asnjë herë në dhjetëra udhëtime me traget në ditët në vijim.
Më mirë, por akoma jo mjaft mirë
"Vitin e kaluar nuk patëm fare punë, biznesi ra 70 deri në 80 përqind. Morëm një mbështetje të vogël nga qeveria, por që nuk mjaftoi për të paguar qiranë në dimër", ankohet Stavros Dreveles, pronar i hotelit Mary. Por ai thotë se për këtë vit është përsëri optimist. Deri tani hoteli i tij ka qenë i populluar si asnjëherë më parë falë numrit shumë të lartë të turistëve grekë.
Në verën e vitit 2020 turizmi ra 78 për qind në krahasim me vitin rekord 2019 me të ardhura 34 milion. Kjo ishte një katastrofë për vendin e rënduar ekonomikisht, ku turizmi plotëson një të pestën e produktit të brendshëm bruto. Miliona punonjës varen nga biznesi veror për të kapërcyer dimrin.
Por kjo verë nuk është një verë e lehtë dhe pa shqetësime. Përveç sfidave të pandemisë zjarret në pyje shkatërruan pjesë të tëra të vendit në korrik dhe gusht, veçanërisht ishujt Euboea, Evia dhe fshatrat në afërsi të Athinës, gjë që dekurajon turistët.
Labirint rregullash udhëtimi dhe dokumentash
Në një kafene në Lefkes hyj në bisedë me Lauren Van Horn dhe Hannah Birch. Dy të rejat jetojnë në Dubai, por vijnë nga SHBA dhe Anglia. Ata flasin për problemet që u kanë vështirësuar përgatitjen e udhëtimit. "Ne kërkonim aq shumë vende të ndryshme, saqë e harruam krejtësisht 'passenger locator form' dhe na u desh ta shtynim fluturimin për një ditë", tregon Hannah. Formulari është i detyrueshëm për udhëtarët e huaj,që hyjnë në Greqi, dhe duhet të plotësohet online të paktën 24 orë para fluturimit. Udhëtarët marrin pastaj një QR-Code, që duhet të tregohet para hipjes në avion.
Lauren dhe Hannah janë të lumtura që më në fund ndodhen në Greqi, ku mund ta kombinojnë punën në distancë dhe udhëtimet. "Ne zgjodhëm Greqinë, sepse na lejohej të hynim, pasi ishim vaksinuar plotësisht", thotë Lauren. "Përveç kësaj doja të isha në një vend, ku nuk do ta kisha problem të ngecja, në rast se mbyllen kufijtë."
Greqia është një nga vendet e para evropiane, që ka hapur dyert për turistët jashtë BE. Ata ose duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dy javë para hyrjes ose të tregojnë një test PCR apo një test të shpejtë brenda një periudhe të caktuar kohore.
Më shumë turistë megjithë rritjen e infeksioneve
Gjatë verës numri i rasteve të COVID në Greqi u rrit. Kështu më 30 korrik shumë nga destinacionet më të njohura të udhëtimit në Greqi, Mykonos, Santorini dhe Rodos, ishin të shënuar me "të kuqe të errët" në hartën COVID-19 të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.
Por jo të gjithë udhëtarët nga vendet jashtë BE tremben, sidomos turistët nga SHBA. Në ishullin Mykonos takoj një çift nga Nju Jorku. Taylor Fox dhe Alina Bero janë duke bërë një udhëtim në Evropë – fillimisht në Itali, tani Cyklades dhe pastaj në Francë.
Fox thotë: "Unë mund të imagjinoj që kjo situatë pengon shumë njerëz nga SHBA të shkojnë në Evropë tani.” Ata thonë se e shijojmë faktin që takojmë pak turistë të tjerë. "Ne të dy e patëm virusin dhe jemi vaksinuar, kështu që kjo është si të thuash një gjë e së kaluarës për ne", thotë Bero.
Santorini vuan – dhe merr frymë lirshëm
Në ishullin e preferuar cikladik të Santorinit takoj Kostas Sakavaras, i cili si shoqërues turistësh e ndjen rënien e kërkesës. "Unë jam më pak i zënë se zakonisht. Bëj vetëm katër deri në pesë udhëtime në javë. Normalisht do të ishin dhjetë deri në dymbëdhjetë", thotë Sakavaras.
Para pandemisë deri në dy milion turistë vizitonin çdo vit ishullin. Këtë vit ka shumë më pak. Kjo edhe për shkak të rrallimit të ardhjes së anijeve krociera. "Ky nuk është patjetër një zhvillim negativ, për të qenë i sinqertë", thotë Sakavaras. Në vitin 2019 ishulli vendosi një kufi të epërm për numrin e krocierave, për të shmangur turizmin e tepruar.”
Në ishuj nuk festohet si më parë
Në shumë ishuj këtë verë është kufizuar jeta e natës. Në ishullin e festave Mykonos më 17 korrik u vendos ndalimqarkullimi natën nga ora 1 deri në 6 të mëngjesit. Për shkak të "shpërthimit shqetësues" të rasteve të COVID, sipas autoriteteve.
Kryetari i bashkisë së Mykonos, Konstantinos Koukas u ankua se ishte e pamundur të vendoseshin këto masa në kulmin e sezonit turistik. Ai shkroi në facebook: "E vetmja gjë që do të arrihet është, që vizitorët do të shkojnë në një ishull tjetër." Kufizimet u hoqën përfundimisht më 26 korrik.
Në vende të tjera, si në ishullin Zakynthos dhe qytetin port Hania në Kretë, u ndalua muzika live. Shumë grekë ankohen se panegyria - festat lokale me vallëzim dhe muzikë tradicionale në qiell të hapur - nuk u lejuan të zhvilloheshin për të dytin vit radhazi.
Në shumë ishuj zien sezoni, por në përgjithësi sektori i turizmit përballet me periudha të vështira: Në fillim të vitit Banka e Greqisë njoftoi se do të duheshin dy deri në tre vjet, që turizmi të kthehej në nivelin rekord të vitit 2019, kur në arkën e shtetit grek rrodhën 18 miliardë euro nga turizmi.
Përveç kësaj në mes të gushtit varianti delta përbën 90 përqind të numrit në rritje të rasteve me COVID në Greqi. Skepticizmi për vaksinën është i madh dhe shumë njerëz i druhen kufizimeve të reja në vjeshtë.
Shumë udhëtarë - si unë - shijuan këtë verë në ishujt Cyklades diakopezin, "ndërprerjen” nga jeta e përditshme, duke pyetur veten, se çfarë do të sjellë e ardhmja për industrinë e turizmit në Greqi, dhe për të gjithë ne, kur vera të përfundojë.