A duhet një "mini-Shengen Ballkanik"?
25 Nëntor 2019Më 21 dhjetor të këtij viti, në Durrës pritet të mbahet takimi i tretë i të ashtuquajturit "mini Shengeni Ballkanik”, ku marrin pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Tre liderët ballkanikë, kryeministri shqiptar Edi Rama e ai maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç u mblodhën më herët në Novi Sad dhe Ohër për të diskutuar për një marrëveshje, që sipas tyre do të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve në Ballkanin Perëndimor. Por lënia jashtë e Kosovës dhe përfitimet reale të Shqipërisë nga ky bashkëpunim, ku nuk bën gjithashtu pjesë Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, kanë hapur polemika të forta në Shqipëri mes analistëve dhe ekspertëve të ekonomisë.
Termi "mini Shengen" është një eufemizëm i zgjedhur nga 3 shtetet pjesëmarrëse për një etiketë më joshëse për projektin e krijimit të "zonës së përbashkët ekonomike" Ballkaniko-Perëndimore, thotë ish-diplomati, Shaban Murati. Normalisht liderët e tre shteteve nuk mblidhen çdo muaj në samit për të diskutuar kalimin kufitar midis tyre, sepse këtë u takon ta bëjnë nëpunësit e konsullores. Kjo ishte një nismë e presidentit serb, Vuçiç. Sapo u zgjodh president, në një intervistë me portalin amerikan "Politico” në 6 prill 2017 ai ka deklaruar se projekti i tij ‘është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipërinë”, sqaron Shaban Murati për Deutsche Welle.
Iniciativë e pakonsultuar
Arben Çejku, drejtues i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë, njëkohësisht ish-ambasador i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, nuk e sheh këtë si diçka të re. "Nuk është hera e parë që jepen ide e propozime të tilla, sa herë ka ngrica të proceseve integruese të rajonit tonë. Disa kohë më parë u promovua koncepti i një "Beneluksi ballkanik” apo "modeli i Vishegradit”. Kjo iniciativë duket e pakonsultuar ose minimalisht - e pakoordinuar me fqinjin tonë kryesor, me Kosovën, e cila bashkë me Bosnjën e Malin e Zi, e kanë bërë të dështojë që në fillim këtë iniciativë. Qeveria franceze, thuhet se ka dijeni për një paketë të plotë të kësaj iniciative, e cila në thelbin e vet zhvendos rajonin nga aksi i integrimit të shpejtë në Bashkimin Europian dhe e dyta, fut në labirinte të errëta pavarësinë e Kosovës”.
Për ish-diplomatin, Shaban Murati nisma mund të ketë efekte të tjera gjeopolitike. "Realisht projekti serb është krijimi i një miniblloku të ri ekonomik dhe politik si alternativë apo sfidë ndaj Bashkimit Europian. Presidenti serb e shprehu hapur këtë pas refuzimit të BE-së për hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, kur tha se ‘refuzimi i BE-së tregon se sa të drejtë kemi ne që jemi lidhur me Rusinë dhe me Kinën'. Orientimin miniblloqeve ua jep shteti nismëtar ose shteti më i fuqishëm, që në rastin konkret është Serbia. Rusisë i interesojnë vatra të vogla ballkanike të shkëputura nga BE dhe prandaj Moska e përkrah projektin serb të zonës ekonomike ballkaniko-perëndimore”, argumenton Murati.
Për ekspertin për çështjet politike, Arben Çejku "për të patur një bashkëpunim rajonal të shkëlqyer dhe në frymën e integrimit në BE është i mjaftueshëm "Procesi i Berlinit”, i cili përfshin jo vetëm modelin "Schengen” dhe "Vishegrad” të bashkëpunimit, por merr në konsideratë specifikat e vendeve tona." Prandaj qëndrimi i Çejkut është i qartë. "Ne, si shqiptarë, pavarësisht se ku jemi, e kemi të qartë agjendën tonë dhe si të tillë nuk ka nevojë të biem pre e propozimeve të vjetra, të cilat nuk kanë dobi dhe perspektivë për ne.”
Përfitime reale ekonomike apo thjesht politikë?
Zbatimi i Mini Shengenit Ballkanik është konsideruar i dobishëm nga kryeministri shqiptar Rama, pasi sipas tij nuk do të ketë më dogana për njerëzit dhe se bizneset e kapitalet do të përfitojnë financiarisht. Por eksperti i ekonomisë, Ilir Ciko nuk sheh ndonjë përfitim të dukshëm për qytetarët shqiptarë. Ai është kritik ndaj nismave alternative, sepse ekziston një model që duhet ndjekur, CEFTA.
"Liritë themelore brenda rajonit tonë trajtohen më së miri nga Marrëveshja CEFTA, në të cilën të tre vendet nismëtare të mini Shengenit bëjnë pjesë. Mendoj se rruga e duhur për arritjen e lirive nis së pari nga ndërtimi i tyre brenda vetë vendeve, e më pas brenda rajonit përmes zbatimit të CEFTA-s, për të cilën të gjitha vendet kanë rënë dakord. CEFTA është provuar si model i suksesshëm për integrimin rajonal dhe përgatitjen e vendeve për integrimin e vendeve në BE. Të gjitha vendet e ish-Europës Lindore e deri Bullgaria, Rumania e Kroacia kanë qenë pjesë e marrëveshjes deri në pranimin e tyre në Bashkimin Europian."
Ilir Ciko druan, se përpjekjet për kanalizime alternative, selektive, në ndërtimin e lirive themelore në rajon, më shumë dëshmojnë pafuqinë e vendeve për të zbatuar një marrëveshje, e cila është promovuar nga ana e Bashkimit Europian si ndihmesë për përgatitjen e tyre për integrimin në BE.
Por a do ta ndryshonte kjo marrëveshje klimën e investimeve të huaja në rajon? Ilir Ciko ka një përgjigjje edhe për këtë argument. "Sërish jam tepër skeptik se kjo mund të ndodhë. Problemi i klimës së investimeve dhe tërheqja e investimeve të huaja në rajon nuk ndreqet duke shtuar edhe një marrëveshje të re, sado e mirë qoftë ajo. Investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri jo se mungon një marrëveshje bashkëpunimi me fqinjët –ajo ekziston, por ka mbetur në letër. Investitorët e huaj i shmangen Shqipërisë – dhe këtë e thonë anketimet e tyre dhe të organizatave ndërkombëtare – për shkak të korrupsionit të lartë, të problemeve me të drejtat e pronës, mosfunksionimit të gjyqësorit, ineficiencës së burokracisë, kostos së lartë të operimit, mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar etj. dhe nuk besoj se ndonjë prej këtyre problemeve zgjidhet me krijimin e një ‘mini Shengeni' në Ballkan”.