1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të ndikojë propozimi francez ndaj vetos bullgare?

18 Qershor 2022

Franca ka përgatitur një propozim për zgjidhjen e grindjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë duke ngjallur shpresa se deri në fund të muajit mund të zhbllokohet procesi i anëtarësimit në BE.

https://p.dw.com/p/4CsfH
Bulgarien Bujar Osmani und katerina Zaharieva
Fotografi: MFA of North Macedonia

Propozimin e Francës për heqjen e vetos së vendosur nga Bullgaria në negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, për të cilin flasin të gjithë, deri tani nuk e ka parë askush, as Shkupi e as Sofja zyrtare. Jo zyrtarisht thuhet se, propozimi i Francës për heqjen e vetos bullgare parasheh që kërkesat e palës bullgare të përfshihen në kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut dhe BE-ja të jetë garantuese për realizimin e tyre.

Kovaçevski: Identiteti dhe gjuha nuk mund të diskutohen

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, konfirmoi se Shkupi nuk e ka marrë ende propozimin francez, megjithatë tha se i vlerëson lartë përpjekjet e kryesueses së radhës të BE-së dhe të vetë presidentit Macron për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme edhe për Shkupin edhe për Sofjen.

"Për momentin tek ne nuk kemi propozim, i cili është harmonizuar nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, përfshi edhe Bullgarinë. Kur të vijë një propozim i tillë ne do ta shqyrtojmë. Ndërkohë sa i përket identitetit dhe gjuhës, ne e kemi pozicionin të qartë se për këtë çështje nuk diskutojmë”, tha Kovaçevski.

Nord-Mazedonien l EU-Erweiterungs-Kommissar Varhelyi trifft Premierminister Kovacevski
Oliver Varhelyi dhe Dimitar KovaçevskiFotografi: Government of North Macedonia

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi  tha përmes një video-mesazhi se shpreson që të gjendet një zgjidhje për grindjen Shkup-Sofje, ashtu siç u gjet zgjidhje mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. "Është e rëndësishme të theksojmë se si Greqia dhe Maqedonia e Veriut arritën ta tejkalojnë problemin e tyre dhe ta zgjidhin atë me një marrëveshje të përbashkët. Presim që Bullgaria të bëjë përpjekje dhe të bëj të njëjtën gjë. Jam i sigurt që bisedimet do të ofrojnë shumë ide se si të ecim përpara së bashku” tha Varhelyi.

Vigenin: Vetoja mbetet, pavarësisht përmbajtjes së propozimit francez

Pavarësisht se çfarë përmban propozimi francez, vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut nuk do të tërhiqet, tha nënkryetari i Asamblesë Kombëtare Bullgare dhe nënkryetari i Partisë Socialiste Bullgare, Kristian Vigenin.

"Definitivisht nuk do të ketë heqje të vetos. Çfarëdo propozimi të vijë nga presidenca franceze, ai do të shqyrtohet, por kjo nuk mund të ndodhë javën e ardhshme. Na duhet kohë e mjaftueshme për të parë, nëse është mirë për Bullgarinë, cilat janë hapat e ardhshëm dhe për të ndërtuar një strategji. Nuk ka asgjë urgjente në këtë çështje”, tha Vigenin.

VMRO-DPMNE: Maqedonia e Veriut para kapitulimit

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE thotë se kryeministri Kovaçevski dhe ministri i Jashtëm Osmani janë fajtorët kryesorë për kapitulimin e Maqedonisë së Veriut. Sipas  VMRO-DPMNE-së, propozimi i Francës për përfshirjen e kërkesave të Bullgarisë në kornizën negociuese është hap për bullgarizim. De fakto propozimi i Francës i vë kërkesat e Bullgarisë në kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE, kjo do të thotë që Maqedonia ose do të bullgarizohet ose asnjëherë nuk do të bëhet anëtare e BE-së. Opozita është e vendosur se nuk do ta  pranojë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, nëse nuk merr garanci nga Sofja dhe Brukseli se kjo është kërkesa e fundit e palës bullgare.

Bulgarien | Protest vor der offiziellen Regierungsresidenz "Boyana" in Sofia
Protestë e VMRO-DPMNE-së nën moton "Mos e tradhëto Maqedoninë" Fotografi: BGNES

Analisti i çështjeve ndërkombëtare nga Shkupi, Nenad Markoviq e konsideron debatin për propozimin francez si utopi, meqë shumë pak në opinion janë të njohur me përmbajtjen e tij përveç palës bullgare që e komplikon situatën edhe më shumë. Ai është pesimist se kjo çështje do të mbyllet deri në samitin e radhës së BE-së. "Koha është tejet e shkurtër dhe kësaj i duhet shtuar se në Bullgari nuk ekziston predispozita politike që kjo çështje të mbyllet shpejt”, tha Markoviq.

Megjithatë propozimi francez ka ngjallur disa shpresa, se deri në fund të muajit mund të ketë zhvillime pozitive në drejtim të zhbllokimit të procesit integrues.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut