100112 EU-Parlament Fiskalunion
11 Janar 2012Një taksë mbi transaksionet financiare, siç kërkohet nga Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Nicolas Sarkozy, në parim mbështetet nga pjesa më e madhe e kryetarëve të grupeve parlamentare në Parlamentin Europian. Kryetari i socialistëve Martin Schulz u jep mbështetje të plotë Merkelit dhe Sarkozy-së.„Ne kemi nevojë për një taksë të tillë mbi transaksionet financiare. Nuk është fjala vetëm për një çështje tatimore, bëhet fjalë për drejtësi sociale. Ata të cilët kanë shkaktuar në masë të madhe krizën në të cilën ndodhemi, duhet të kontribuojnë edhe në zgjidhjen e saj."
"Morëm dijeni!"
Por pyetja është: në çfarë kornize duhet të vendoset taksa? Në gjithë BE-në, vetëm në vendet e Eurozonës, pra pa Britaninë e Madhe, sheshin më të rëndësishëm financiar në Europë, apo në një kornizë edhe më të vogël? Sarkozy deklaroi në Berlin se në rast nevoje Franca do të veprojë e vetme. Alejandro Uzurrún, zëdhënësi i Komisionit, i cili e mbështet gjithashtu taksën, u distancua të martën (10.1.) nga ky propozim. „Ne natyrisht përqendrohemi në arritjen e një marrëveshjeje në BE, pra mes 27 vendeve anëtare. Një marrëveshje në nivelin e BE-së do të ishte natyrisht një hap drejt një marrëveshjeje në plan ndërkombëtar, por le të arrijmë fillimisht një marrëveshje në BE. Ne morëm dijeni për planet e Presidentit Sarkozy.“
Shprehja "morëm dijeni" mund të kuptohet si një refuzim i qartë. Dhe pikërisht kështu e kupton edhe Joseph Daul, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Popullore konservatore në Parlamentin Europian, jo vetëm francez por edhe shok partie i Sarkozy-së: „Ne duhet të arrijmë një rregull evropiane, të përbashkët për taksën mbi transaksionet finaciare. Një vend i vetëm nuk mund ta zbatojë atë.“
Koalicioni në Berlin i përçarë
Por edhe partnerët e Kancelares Merkel në koalicionin qeverisës, liberalët e FDP-së, janë kundër futjes së taksës vetëm në Eurozonë, nëse nuk është e zbatueshme në 27 vendet e BE-së. Liberalët druajnë se kështu biznesi mund të kalonte i gjithi në Londër. Dhe britanikët nuk duan në asnjë mënyrë ta vendosin taksën, këtë e ka bërë tashmë të qartë kryeministri David Cameron. Për shkak të qendresës së liberalëve, Merkel mund të jetë e detyruar ta propozojë futjen e taksës në Eurozonë vetëm si qendrim "personal" dhe jo si linjë zyrtare të qeverisë gjermane.
Por Joseph Daul beson se ka ende kohë për të bindur FDP-në dhe në fund taksa mbi transaksionet financiare mund të vendoset për vendet e unionin monetar.
Vetëm kursimi nuk mjafton
Kryetari i kristiandemokratëve në Parlamentin Evropian shqetësohet shumë më tepër për vështirësitë e mëdha ekonomike të disa vendeve të Eurozonës. Ai paralajmëron që në unionin e planifikuar fiskal të mos vihet theksi vetëm në disiplinën buxhetore: „Ne tani kemi nevojë për ndryshime të marrëveshjes së BE-së në dy pika: së pari në reduktimin e borxheve, pasi nuk mund të vazhdojmë të bëjmë borxhe si deri tani. Për këtë arsye duhet vendosur një ligj për frenimin e borxheve. Njëkohësisht na duhet të gjejmë një zgjidhje për rritjen ekonomike. Nëse do të kemi vetëm reduktim borxhesh e shohim se çfarë ndodh në vende të caktuara: Itali, Spanjë, Greqi. Ne mundemi dhe duhet t'i reduktojmë deficitet, por paralelisht duhet të ketë edhe rritje. Ndryshe qytetarët nuk do ta përballojnë situatën.“
Edhe pse në këtë pikë ka konsensus të gjerë, mungojnë propozimet konkrete se si mund të arrihet rritja ekonomike.
Eurobondet nuk janë harruar
Guy Verhofstadt, kryetar i grupit të liberalëve, përsërit një propozim të vjetër, i cili dukej se ishte varrosur prej kohësh: „Mendoj se është e rëndësishme që të organizojmë sa më shpejt tregun e njësuar evropian të obligacioneve. Për mua kjo është një pikë kyç për të dalë nga kriza.“
Edhe në këtë rast, një qëndrim krej i kundërt mes europarlamentarëve dhe shokëve të partisë në vendet anëtare: Verhofstadt i mbështet me po aq entuziazëm eurobondet sa i kundërshton ato FDP-ja. Këndvështrimi është i ndryshëm: politikanët evropianë shohin të rrezikuar të gjithën, politikani kombëtar interesohet më shumë për taksapaguesit - dhe zgjedhësit - në shtetin e tij. Kështu ndodh shpesh në politikën evropiane: besnikëritë partiake vlejnë më pak se perspektiva.
Autor: Christoph Hasselbach / E. Xhani
Redaktoi: Elert Ajazaj