Kompromisi është lehtësisht i arritshëm
13 Qershor 2017Pas zërave të fundit u rrit shpresa se Maqedonia do të pranohet në NATO nën emrin ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Por udhëqësi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, i relativizoi këto pritshmëri duke thënë: "Qeveria greke nuk do të heqë dorë nga presioni që IRJM të pranohet në NATO nën referencën e përkohshme. Ne nuk kemi asgjë kundër integrimeve të Maqedonisë, por ata duhet t‘i përmbushin detyrimet e tyre, që do të thotë që të ndalin irredentizmin dhe të bëjnë kompromis në zgjedhjen e çështjes së emrit”.
Deklarata e Kotzias qe si paralajmërim për ministrin e Jashtëm maqedonas Nikolla Dimitrov, para vizitës së tij të mërkurën (14.06) në Athinë.
"Kur të vijë ministri i Jashtëm i IRJM-së për të diskutuar se si mund të zhvillojmë bashkëpunimin tonë, ne do të flasim për metodat se si mund t‘i afrohemi zgjidhjes së çështjes së emrit” deklaroi Kotzias dhe theksoi se gjatë bisedimeve me Dimitrovin do të vërejë a ka tone të reja bisedimesh ndaj Greqisë në qeverin e re maqedonase.
Kompromisi është lehtësisht i arritshëm
Një delegacion i qeverisë maqedonase të kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev u takua në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE-së – Donald Tusk, Frederica Mogherini dhe Johanes Hahn, por edhe me Jens Stoltenberg Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së.
Në takimin e tij me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së Zaev tha se e konsideron bllokadën e Greqisë për anëtarësimin e vendit në NATO si të padrejtë duke pasur parasysh gjithë atë kontribut të Shkupit për operacionet e NATO-s, po se është i përkushtuar për t'i përmirësuar marrëdhëniet me Greqinë.