1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çrregullimi i ri

Alexander Kudascheff15 Gusht 2014

Ukraina, Siria, Gaza dhe Iraku janë vatrat e mëdha aktuale të krizave në botë. E përbashkëta e tyre është se hidhen pas krahëve disa vetëkuptueshmëri, që vlenin prej dekadash, mendon Alexander Kudascheff.

https://p.dw.com/p/1CvFa

Bota po tronditet nga kriza dramatike. Në Ukrainë. Edhe më shumë në Lindjen e Mesme, edhe pse armëpushimi në mes Izraelit dhe Hamasit u jep njerëzve mundësi të marrin frymë për pesë ditë. Në Siri lufta civile vazhdon me intensitet vrastar, edhe pse në një masë të madhe pa u vënë re. Së shpejti numri i të vdekurve do të ketë arritur shifrën 200.000, në një vend i cili po bëhet copë-copë. Dhe në Irakun e Veriut harta gjeografike po ribëhet nga luftëtarë, që veprojnë me një brutalitet të tillë, që në emër të Allahut kalon çdo kufi. Zona e sundimit të tyre arrin nga Aleppo deri në kufirin e rajoneve kurde në Irakun e veriut: në të ashtuquajturin "shteti islamik". "Shtetit Islamik" synon të shkatërrojë rendin ekzistues. Ai nuk njeh as kufij dhe as shtete, as qeveri, për të vlen vetëm kuptimi i Kuranit.

Mbështetja për kundërshtarët e deritanishëm e nevojshme

Dhe kjo trondit diplomacinë, sepse papritur nuk vlejnë më këndvështrimet e vjetra. SHBA mbështesin kurdët dhe në këtë mënyrë indirekt shiitët në Bagdad dhe Teheran në luftën kundër bandës terroriste sunite "IS". Këtë ndihmë amerikanët e japin me gjysëm zemre, sepse në fakt ata dëshirojnë një ndryshim të pushtetit dhe të politikës në Bagdad dhe marrëdhëniet e tyre me Iranin janë akoma të tendosura. Në Siri ata nuk e dinë, nëse duan të mbahen ende te rrëzimi i tiranit Assad. Por me këtë ata hapin rrugën për frontin islamik Al- Nusra, të cilin e luftojnë në veriun e Irakut. Një çrregullim diplomatik, për të cilin nuk ka përgjigje të lehta.

Obama, i nderuar me çmimin Nobel për Paqe, ka vendosur herët për tërheqjen nga Iraku. Ai nuk beson në sukseset e intervenimeve ushatarake, e tani duhet megjithatë të ndërhyjë. Roli i SHBA në Lindjen e Mesme është dëmtuar. Më parë amerikanët konsideroheshin të pazëvendësueshëm: për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta strategjike me Izraelin dhe vendet dhe monarkitë konservatore e autoritare si Egjipti, Jordania dhe Arabia Saudite. Por Obama konsiderohet i dobët, i pavendosur, i lëkundur dhe jo i sigurt për të vepruar. As në Izrael atë nuk e dëgjojnë, siç kanë dëshmuar ecejaket diplomatike të ministrit të jashtëm të palodhur Kerry në dymbëdhjetë muajt e fundit. Izraeli është dhe mbetet partner i SHBA, ai vepron më i pavarur se kurrë.

Alexander Kudascheff
Fotografi: DW/M. Müller

Europa duhet ta zgjidhë krizën e Ukrainës

Në krizën e madhe evropiane në Ukrainë Vladimir Putini në ana tjetër dëshmon se është mjeshtër i tymnajës. A do të sulmojë ai pas Krimesë edhe Ukrainën Lindore? Apo vetëm do t'i destabilizojë këto pjesë të vendit? Apo do t'i stabilizojë ato për t'i aneksuar? A vlen kjo sfidë vetëm për qeverinë e padëshiruar të Kievit, apo fshihet pas saj pretendimi i pafshehur për pushtet i një imperalizmi të ri rus, i cili depërton në vakumin politik, që kanë hapur SHBA, që mendojnë për vete dhe BE ngurrues dhe i pavendosur? Sanksionet e Perëndimit fillojnë të tregojnë rezultatet e para, por klima është e akullt dhe vetëm telefonatat edhe të kancelares gjermane, nuk do të mjaftojnë për të zgjidhur nyjen ukrainase. Meqë Rusia u përjashtua nga grupi i G 8, në rradhë të parë BE duhet të gjejë një rrugë për në Kremlin.

Gjermania, e cila nga ana tjetër që prej fillimit të vitit ka debatuar herë me zë të lartë e herë të ulët për një angazhim më të madh politik në botë, detyrohet të zërë një rol të ri. Ajo është fuqi udhëheqëse. Berlini dëgjohet. Por Berlini duhet të ecë i pari. Ai nuk mund ta drejtojë BE nga prapavija, me shpresën se nuk duhet të marrë përgjegjësi. Gjermania duhet të pozicionohet: në krizën e Ukrainës gjithsesi, në veriun e Irakut edhe më fort. Nëse "shteti islamik" vepron me brutalitet gati të pashembullt, kur njerëzit theren, vriten, apo dëbohen, atëherë Berlini nuk mund të rehatohet në mirëqënie dhe të shpresojë, që të qetësojë ndërgjegjen me disa miliona dhe me disa ndihma me furnizime.

Marrja e përgjegjësisë pa patur qartësi

Por ndërhyrjet ushtarake të dy dekadave të fundit janë shoqëruar rradhë herë nga suksesi. Kjo vlen të thuhet si për Afganistanin ashtu edhe për Libinë, ku rrëzimi i Gadafit e ktheu vendin nga një diktaturë e një njëriu në një "shtet të shkatërruar". Bota është bërë më konfuze. Rendi i ri botëror është një çrregullim i ri, në të cilën ka vazhdimisht aleanca të reja. Kujt do t'ia kishte marrë mendja disa muaj më parë, se bota mbështet kurdët? Dhe duke marrë parasysh se fitoret e Peshmergës do të krijojnë një vetëbesim të ri kurd, që mund të kërkojë një shtet kurd përtej kufijve! Prandaj është e nevojshme dhe kërkohet një politikë e jashtme e BE dhe sidomos e Gjermanisë pa paragjykime, në mes të poleve të superfuqisë amerikane në tërheqje, të ambicieve neo-imperiale të Moskës dhe të një Kine, e cila vepron ende nën hijen e politikës botërore. Dhe kjo në një kohë pa qartësi diplomatike.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17855307,00.html