1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë pret Greqia nga ministrja e Jashtme gjermane?

27 Korrik 2022

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, takohet më 29 korrik në Athinë me kolegun grek, Nikos Dendias. Pas kësaj ajo shkon në Turqi. A mund të ndërmjetësojë ministrja gjermane midis dy vendeve?

https://p.dw.com/p/4EgoM
Petersburger Klimadialog, Annalena Baerbock
Fotografi: REUTERS

Ka muaj që tensionet mes Greqisë dhe Turqisë në Egje janë rritur dhe kanë marrë pvrmasa të rrezikshme. Avionët luftarakë të Turqisë fluturojnë herë pas here mbi ishujt grekë të banuar dhe të pabanuar të këtij rajoni të diskutueshëm midis dy vendeve. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka thënë herë pas here, se në të ardhmen nuk dëshiron të ketë asnjë kontakt me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Cavusoglu ka kërcënuar se nuk do të njohë sovranitein e Athinës mbi disa ishuj grekë që ndodhen në lindje të Egjeut. Dhe politikani nacionalist Devlet Bahceli, që me partinë e tij MHP është në koalicion me AKP, partinë e Erdoganit, pozon nëpër fotografi me hartat ku tregohen sikur ishujt grekë Lezbos, Samos dhe Kretë ishin ishuj turq.

Atëherë çfarë pret Greqia nga ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, e cila viziton Athinën ditën e premte (29.07.2022) dhe direkt pas vizitës vazhdon udhëtimin për në Turqi? A do qeveria greke ndërmjetësim gjerman për të ulur tensionet me Turqinë? 

Dyshim për solidaritetin gjerman  

"Një ndërmjetësim gjerman për uljen e tensioneve me Turqinë do të ishte për t’u përshëndetur,” thotë për Deutsche Wellen Georgios Pagoulatos, Drejtor i Eliamep, institutit më të rëndësishëm grek për çështjet politike dhe ekonomike. Megjithatë qeveria greke nuk do që Berlini të bëjë “politikë ekuidence” me Greqinë dhe Turqinë. “Duke qenë partnere në BE, Greqia pret nga Gjermania ndihmë aktive, sidomos duke pasur parasysh revizionizmat dhe qëndrimin agresiv të regjimit të Erdoganit ndaj një demokracie europiane,” thotë Pagoulatos. 

Duket se Greqia ka dyshime për solidaritetin e Berlinit, kur bëhet fjalë për konfliktin me Turqinë. Georgios Katrougalos, politikan i partisë në opozitë të së majtës Syriza dhe ministër i Jashtëm gjatë vitit 2019, kur flet me Deutsche Wellen kritikon faktin që gjuha e qeverisë gjermane ndaj Turqisë është shumë më e butë se sa ajo e Këshillit të Europës. Kujtojmë se në mars të 2018-ës, Këshilli i Europës, organi i kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, “dënoi ashpër vazhdimin e aktiviteteve të kundraligjshme të Turqisë në hapësirën e Mesdheut dhe Egjeut,” dhe i kërkoi Turqisë me ngut që të ndërpresë këto aktivitete. Meqenëse Turqia nuk reagoi, Këshilli i Europës i kërkoi në qershor të 2019 Komisionit të BE-së, që të propozojë “marrjen e masave”, pra endosjen e sanksioneve kundër Turqisë. 

Vizita shtyhet fillimisht 

Njëkohësisht Katrougalos nuk ka ndonjë mendim të mirë për nismat e ndërmjetësimit: “Ne mendojmë se duhet të krijohen kanale direkte komunikimi midis Athinës dhe Ankarasë dhe BE të përkrahë qëndrimet tona të përbashkëta ndaj Turqisë,” thotë ai. BE duhet të mbajë premtimet për kërcënimin e Turqisë me sanksione, nëse fqinji ynë nuk e zbut politikën e tij të agresionit. 

Annalena Baerbock ka kohë që është informuar për shqetësimet greke. Fillimisht ajo donte të takohej në Athinë me kolegun grek Nikos Dendias që në fillim të muajit qershor, për të vazhduar pastaj më tej me vizitën në Ankara. Por një infektim me koronavirus ia prishi planet dhe vizita u shty. Në javët që kanë kaluar që nga ajo kohë, marrdhëniet greko- turke nuk janë përmirësuar. Përkundrazi. 

Episode "të nxehta" në Egje? 

Shqetësimet greke shtohen përditë, sepse retorika e Erdoganit po bëhet edhe më ashpër. 

Pagoulatos, shefi gjakftohtë i Eliamep-it, nuk e përjashton mundësinë e zhvillimit në mes të verës të një episodi “të nxehtë” me Turqinë: "Agresioni nga ana e Turqisë është shqetësues”, thotë ai. Turqia ngre vazhdimisht në mënyrë sistematike kërkesa të reja: duke filluar që nga teoria e së ashtuquajturës “zonë gri”, e ishujve grek të pabanuar që sipas mendimit të Turqisë janë turke, e deri tek kërkesa për çmilitarizimin e ishujve grekë të Egjeut, një kusht për njohjen e sovranitetit të tyre grek. 

Këtyre u shtohen fluturimet e avionëve luftarakë turq mbi ishujt e banuar grekë dhe akuza se Greqia ndihmon “terrorizmin kurd”, njësoj si shumë vende të tjera europiane. Prandaj për Pagoulatos-in është e qartë se Presidenti turk Erdogan, nxit tensionet dhe teoritë antiperëndimore të konspiracionit për të fituar kështu pikë në politikën e brendshme. 

Mungojnë kanalet e komunikimit midis Athinës dhe Ankarasë 

Shqetësime për zhvillimin e një episodi “të nxehtë” gjatë verës ka edhe politologu Sotiris Serbos, këshilltar për politikën e Jashtme i Nikos Androulakisit, kryetarit të ri të partisë socialdemmokratike, PASOK. Arsyeja kryesore për rritjen e shqetësimit ka të bëjë me mungesën aktuale të një kanali të hapur dhe të besueshëm komunikimi midis Athinës dhe Ankarasë, thotë ai për Deutsche Wellen. 

A mund ta plotësojë Gjermania këtë mungesë dhe të shfaqet si ndërmjetësuese? Serbos është skeptik për këtë. Qeveria greke ka investuar vitet e kaluara më shumë në marrëdhëniet me SHBA-në dhe Francën prandaj pret më shumë nga Uashingtoni dhe Parisi se sa nga Berlini, thotë politologu. Politikani i opozitës Katrougalos është më i qartë në kritikën e tij: Mitsotakis ka vendosur “t‘u japë çdo gjë” amerikanëve, thotë ai. 

Në pritje të fjalëve të qarta 

Kështu që në Athinë nuk pritet ndonjë nismë spektakolare ndërmjetësimi nga ana e Annalena Baerbock-ut. Fillimisht do të mjaftonin disa fjalë të qarta të ministres së Jashtme gjermane në drejtim të Ankarasë. Por më mirë për Athinën do të kishte qenë sikur Baerbock të njoftonte, se Republika Federale do të ndalojë furnizimin e Turqisë me nëndetëset gjermaneNë Greqi njerëzve u kujtohet mirë se në janar të 2021, Partia e Gjelbër gjermane, në atë kohë në opozitë, kërkoi nga qeveria federale gjermane, që të ndalonte furnizimin e nëndetseve gjermane në Turqi. Ndërkohë në Athinë, nuk ekzistojnë më shpresa të tilla për Të Gjelbërit që bashkëqeverisin në Gjermani. 

 

 

Kaki Bali me flokë deri te supet, me ballukë, shikon me çiltërsi në kamera.
Kaki Bali Korrespondente në Athinë