Gjermani: Sonazhet për pandeminë, partitë, Rusinë, SHBA?
9 Janar 2022Varianti Omikron i virusit Corona po përhapet me shpejtësi edhe në Gjermani. Nga një vështrim në vendet e tjera tregon se në Gjermani janë më pak njerëz të sëmurë rëndë me COVID-19. Këshilli i ekspertëve i krijuar nga qeveria e re federale parashikon megjithatë se mund të ketë më shumë të infektuar e si rrjedhim një numër të lartë pacientësh. Kjo mund të krijojë probleme shtesë edhe në spitale, në ambulanca dhe tek mjekët e familjes.
Por nuk është vetëm sistemi shëndetësor ai që preket. Çfarë ndodh nëse shumë punonjës në polici, zjarrfikësa, shkolla e institucione të tjera publike sëmuren dhe do t'u duhet të qëndrojnë në karantinë për dy javë? Çfarë ndodh me personat që kanë pasur kontakte me të infektuarit me virusin Omikron?
Sa i rrezikshëm është Omikroni?
Në takimin e kancelarit me kryeministrat e landeve, një prej mundësive të diskutuara për zbutjen e gjendjes prej mungesës së punonjësve në shëndetësi ishte edhe shkurtimi i kohës së izolimit tek personat pa simptoma si dhe për personat që kanë marrë dozën e tretë të vaksinës, pra vaksinën përforcuese. Qytetarët i shohin si pozitive këto propozime, thuhet në sondazhin mbi tendencat aktuale të ARD, i kryer nga Instituti infratest-dimap.
Varianti Omikron duket, se nuk i ka frikësuar shumë njerëzit në Gjermani. Shumica e të anketuarve (59 për qind) janë të shqetësuar nga një lockdown i mundshëm në Gjermani. Ndërsa nga varianti Omikron janë të shqetësuar aktualisht rreth 51 për qind e të anketurave. Në fillim të dhjetorit kuota ishte nëntë për qind më shumë.
Ministri Federal i Shëndetësisë, Karl Lauterbach mendon se koha e izolimit dhe karantinimit duhet të shkurtohet. Por ai kërkon që kufizimet e kontakteve të forcohen prapë. Në trendin e ARD, minisri Lauterbach kryeson listën e politikanëve gjermanë më të popullarizuar. 66 përqind e të anketuarve janë shumë të kënaqur ose të kënaqur me punën e tij. Kancelari Olaf Scholz është në vendin e dytë me një notë pozitive prej 60 përqind të të anketuarve.
Në vendin e tretë dhe të katërt janë shefi i FDP dhe ministri i Financave, Christian Lindner (49 përqind) si dhe shefi i të Gjelbërve dhe ministri i Ekonomisë Robert Habeck (48 përqind). Bashkëkryetarja e ekologjistëve, ministrja e Jashtme Annalena Baerbock, ka përqindjet më të ulëta - 32 përqind e gjermanëve mendojnë se ajo po bën një punë të mirë, ndërsa 57 përqind mendojnë ndryshe.
Nota të mira për koalicionin
Qeveria e re federale është në detyrë prej datës 8 dhjetor. Rreth 46 përqind e të anketuarve janë të kënaqur me punën e qeverisë, 37 përqind thonë se ishin më pak ose aspak të kënaqur. Një në gjashtë (17 përqind) nuk kanë mendim të qartë.
Nëse këtë të dielë mbahen zgjedhjet e reja për Bundestag, SPD do të ishte sërish partia më e fortë. Ajo do të përmirësonte madje rezultatin në krahasim me dhjetorin. Unioni CDU/CSU do të ishte në vendin e dytë, e pasojnë të Gjelbrit dhe FDP, të cilët do të humbnin pak vota.
Kujt i besohet?
Qeveria e re gjermane po përballet jo vetëm në pandeminë Corona, por edhe me sfida në politikën e jashtme, për shembull në trajtimin e Rusisë dhe Kinës. Këto dy vende e kanë humbur shumë simpatinë e qytetarëve gjermanë në vitet e fundit. Në trendin aktual thuhet se vetëm një në gjashtë, respektivisht një në dhjetë i shohin Rusinë dhe Kinën si partnere të besueshme.
Qëndrimet ndaj SHBA-së janë krejtësisht të ndryshme. Mirëbesimi ndaj SHBA është rritur prej ardhjes së presidentit Joe Biden në këtë detyrë. SHBA konsiderohet, sikur edhe në fund të presidencës së Barack Obamës, një partner kryesisht i besueshëm për Gjermaninë.
Franca edhe më tej konsiderohet si partner i besueshëm. Ndryshe nga Polonia, e cila perceptohet si një partner i besueshëm i Gjermanisë prej vetëm rreth 35 përqind të qytetarëve gjermanë.
Nord Stream 2
Një tjetër temë në këtë sondazh ishte edhe pushtimi i mundshëm i Ukrainës nga Rusia dhe marrëdhëniet mes Rusisë dhe Gjermanisë. Si duhet të reagojë politika? Opinionet janë të ndara. 47 përqind je të anketuarve janë të hapur ndaj sanksioneve më të ashpra kundër Rusisë. Ndërsa 41 përqind jo. Gjashtë nga dhjetë të anketuar thonë se gazsjellësi i diskutueshëm Nord Stream 2 duhet të mbetet.
Ndërsa 41 përqind e të anketuarve shprehin mirëkuptimin e tyre, se Rusia ndjehet e kërcënuar nga Perëndimi, një në dy (50 përqind) nuk e mbështesin këtë ndjenjë të rusëve. Ajo që vërehet është se, në lindje të Gjermanisë, pra në territorin e ish-RDGJ, ka një refuzim më të madh të snaksioneve kundër Rusisë. Në lindje të Gjermanisë ka më shumë mirëkuptim sesa në perëndim për pozitën e Rusisë.
Në përgjithësi, shumica e gjermanëve do të donin që evropianët të angazhohen më shumë në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës. 57 për qind do të donin që shtetet evropiane të luanin një rol më të fuqishëm ndërmjetësues.