1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë do të thotë fitorja e FPÖ në Austri për BE?

1 Tetor 2024

Austria do të përballet me negociata të vështira për koalicionin pas fitores zgjedhore të FPÖ-së së djathtë. Rezultati ka të ngjarë të ketë një ndikim përtej Austrisë.

https://p.dw.com/p/4lH74
Vjena flamuri i BE dhe ai austriak
Pamje nga Vjena, kancelaria austriakeFotografi: Nekula/VIE7143/picture alliance

"Nuk mendoja se do të vinte puna deri këtu dhe se ne nuk do të mësojmë nga historia,"  u shpreh studentja Hanna Fanninger ndërsa ecte pranë ndërtesës së parlamentit austriak në Vjenë të hënën pas zgjedhjeve. Pikërisht për shkak se studion histori, rezultatet i duken tronditëse, shtoi ajo.

Austri ka ndodhur ajo që sondazhet e kishin parashikuar për muaj të tërë: Sipas rezultateve përfundimtare paraprake, Partia e Lirisë e Austrisë (FPÖ) e ekstremit të djathtë fitoi zgjedhjet për Këshillin Kombëtar - parlamentin austriak - me 29.2 për qind. Pas saj renditet Partia Popullore Konservatore (ÖVP) e kancelarit aktual Karl Nehammer me 26.5 për qind dhe socialdemokratët me 21.1 për qind. Partia Neos, liberalët arijnë 9 për qind dhe të Gjelbrit me 8.2 për qind ulen gjithashtu në parlamentin e ri austriak.

Populisti i djathtë Kickl do të bëhet kancelar

Kryetari i FPÖ-së, Herbert Kickl ka deklaruar se pretendon postin e kancelarit. Partia e tij premton të ndërtojë një "Austri si fortifikatë" dhe të mos lejojë më aplikime për azil nga vende të caktuara, përfshirë Afganistanin dhe Sirinë. Për të huajt që nuk respektojnë ligjin, FPÖ dëshiron "rimigrim” – një term i diskutueshëm që u klasifikua si term ekstremist i djathtë në Zyrën Austriake për Mbrojtjen e Kushtetutës në vitin 2023.

Herbert Kickl kreu i FPÖ në mes të përkrahësve që mbajnë pankarta ku shkruhet "faleminderit"
Fitorja e FPÖ të dielën, Herbert Kickl kreu i FPÖFotografi: Heinz-Peter Bader/AP/dpa/picture alliance

Në një stacion tramvaji pranë parlamentit, Mohsen Hosseini skuq salsiçe në një stendë tipike austriake për salçiçe. Ai është afgan dhe jeton në Austri prej trembëdhjetë vjetësh, tha ai. Rezultati i zgjedhjeve nuk është "i keq", sipas tij. Hosseini u shpreh, se nuk ka frikë se situata për emigrantët mund të përkeqësohet, sepse ai i zbaton të gjitha rregullat.

Edhe një kalimtar e vlerësoi rezultatin e zgjedhjeve si "shumë të mirë". Richard Wachter është i shqetësuar nga politikat ekonomike të partive të mëdha në dekadat e kaluara, por pensionisti nuk beson, se Kickl do të zgjidhet kancelar: të gjitha partitë e tjera do të bëjnë gjithçka që ta bllokojnë atë, u shpreh ai.

Nuk gjasa që Herbert Kickl të zgjidhet kancelar

Për t'u bërë kancelar, Kickl-it i duhet të gjejë një partner koalicioni. Në një kohë që socialdemokratët ashtu edhe Neos e kanë përjashtuar një koalicion me Partinë e Lirisë, ÖVP nuk e ka bërë këtë në mënyrë kategorike. Megjithatë, kreu i ÖVP Karl Nehammer ka përjashtuar bashkëpunimin e qeverisë me populistin e krahut të djathtë. Nehammer e kishte përshkruar më parë këtë si një "rrezik sigurie" për vendin dhe si të radikalizuar. Edhe brenda ÖVP-së ka politikanë të tjerë që e përjashtojnë mundësinë e bërjes së Kickl-it kancelar, thotë politologia Kathrin Stainer-Hämmerle. Nga këndvështrimi i sotëm, ajo nuk mund ta imagjinojë atë të bëhet kancelar.

Megjithatë, është e mundur që Kickl të marrë postin e Presidentit të Këshillit Kombëtar, dhe ÖVP dhe FPÖ të hyjnë në një koalicion, ku ÖVP do të ofrojë kancelarin, shpjegon profesorja e shkencave politike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Kärntne në një intervistë me. DW. Edhe formimi i një koalicioni pa FPÖ, për shembull në formën e një aleance dypartiake midis ÖVP dhe SPÖ, do të ishte plotësisht i mundur. Po ashtu futja në koalicion e Neos konsiderohet gjithashtu një variant. Por ekspertja parashikon që negociatat e koalicionit ka të ngjarë të jenë të ndërlikuara.

Pamje e posterave zgjedhorë në Salzburg
Fotografi: Louisa Off/REUTERS

Presidenti federal do të flasë me të gjitha partitë

Detyra e presidentit federal austriak Alexander van der Bellen, ndër të tjera, është të emërojë kancelarin e ardhshëm. Të dielën në mbrëmje, ish-deputeti i Gjelbër tha se donte të zhvillonte bisedime fillimisht me të gjitha partitë. Gjatë formimit të një qeverie, ai do të sigurojë që të respektohen "shtyllat themelore të demokracisë sonë liberale" - dhe liston, ndër të tjera, sundimin e ligjit, ndarjen e pushteteve, por edhe anëtarësimin në BE. Në të kaluarën, van der Bellen e ka kritikuar FPÖ për qëndrimin e saj ndaj BE-së.

Populistët e djathtë dhe BE

FPÖ, si shumë parti të tjera populiste të krahut të djathtë, ndjek një kurs euroskeptik. Kur partia qeveriste në një koalicion me ÖVP në vitin 2000 - në atë kohë nën Jörg Haider - pati zemërim dhe sanksione nga shtetet e tjera të BE-së. Të dy partitë qeverisën sërish së bashku nga viti 2017 deri në vitin 2019. Koalicioni u prish pas skandalit të Ibicës, në të cilin zëvendës-kancelari i atëhershëm i FPÖ i premtoi gjoja vajzës së një oligarku kontrata shtetërore në këmbim të ndihmës elektorale.

Partitë e ekstremit të djathtë apo ultra të djathta janë parti qeverisëse edhe në Itali, Hungari dhe Holandë. Në këtë kontekst politologu Peter Filzmaier nuk pret reagime si ato të vitit 2000, , siç tha ai për DW pak para zgjedhjeve. Megjithatë, politologu i Universitetit të Danubit Krems sheh probleme për BE-në në të ardhmen. Pasi BE po përballet gjithnjë e më shumë me qeveri që janë shumë armiqësore ndaj saj.

Disa nga këto parti, duke përfshirë FPÖ, për shembull, nuk duan më të mbështesin Ukrainën në luftën e saj kundër luftës së agresionit rus. Herbert Kickl gjithashtu dëshiron të heqë sanksionet ndaj Rusisë, të cilat duhet të vendosen unanimisht në BE, pasi këto dëmtojnë më shumë Austrinë se Rusinë.

Kryeministri hungarez Viktor Orban  dhe presidenti ukrainas, Zelenski takohen në Bruksel, Zelenski i vë dorën në krah Orbanit
Kryeministri hungarez Viktor Orban bllokoi përkohësisht ndihmat për Ukrainën në të kaluarënFotografi: The Presidential Office of Ukraine/SvenSimon/picture alliance

A do të ketë ndikim FPÖ politikën e BE?

Nëse Herbert Kickl do të bëhet kancelar austriak përkundër të gjitha pritshmërive, ai mund të bllokojë vendimet në Këshillin e BE në këtë rol. Këtë qasje e njohin vendet anëtare të BE-në edhe përmes kryeministrit hungarez Viktor Orban. Ai bllokoi përkohësisht ndihmat për Ukrainën në të kaluarën. Orban mund të gjente një aleat tek Herbert Kickl në mbledhjet e Këshillit të BE.

Partitë e dy politikanëve tashmë janë ulur së bashku në grupin e tyre parlamentar në Parlamentin e BE-së, të cilin e themeluan me ish-kryeministrin çek Andrej Babis. "Patriotët për Europën” e krahut ultra të djathtë janë grupi i tretë më i madh në Parlamentin Europian.

Por edhe nëse Herbert Kickl nuk bëhet kancelar, një FPÖ e fortë ka një ndikim në politikën austriake të BE-së, thotë Stainer-Hämmerle. Që sot konserbatorët e ÖVP po ndjekin një kurs më pak pro-evropian sesa në vitet 1990. Stainer-Hämmerle dyshon se kjo do të bëhet edhe më e theksuar në një koalicion të mundshëm me FPÖ.

Të hënën, si zakonisht në Bruksel, u tha se Komisioni i BE-së nuk komenton rezultatet e zgjedhjeve. E megjithatë: Rezultati i negociatave të koalicionit nuk duhet të interesojë vetëm austriakët.

 

Një grua e veshur me kostum të bardhë, e buzëqeshur me flokë të zeza
Lucia Schulten - korrespondente nga Europa me fokus të veçantë te gjykatat ndërkombëtare.