Çfarë do të diskutohet në Mynih
26 Janar 2015Raporti i Mynihut për Sigurimin, prej 70 faqesh, u botua këtë vit për herë të parë, para takimit triditor të planifikuar për në fillim të shkurtit. Ky është menduar si një hyrje për Konferencën e Sigurisë në Mynihu. Titulluar "Rend në kolaps, mbikëqyrës ngurrues" dokumenti paraqet çështjet kryesore të agjendës së tanishme të politikës ndërkombëtare siç shihet kjo përmes lenteve të organizatorëve të konferencës dhe një mori think-tankesh globale që bashkëpunuan për këtë raport.
Ndarë në katër seksione, botimi hedh dritë ndaj aktorëve kyç, vatrave të mëdha të nxehta dhe sfidave të reja në skenën globale para se të sugjerojë për lexuesit raporte të vlefshme apo libra në qoftë se ata duan të thellohen më tej në çështje të caktuara.
Ftesë për dialog
Raporti i Mynihut për Sigurinë nuk ofron asnjë trajtim shterues apo zgjidhje të mundshme për temat më të ngutshme të marrëdhënieve të sotme ndërkombëtare. Por ky nuk ishte synimi i publikimit thotë kryetari i konferencës Wolfgang Ischinger në hyrjen e tij.
"Raporti ka për qëllim, para së gjithash, të jetë - shpresojmë - një nxitës për diskutime kontroverse për konferencën tonë," shkruan Ischinger. "Është një zhvillim i mirë," thotë Thorsten Benner, drejtues i Institutit për Politika Globale Publike me qendër në Berlin. "Kjo tregon se Konferenca e Sigurisë në Mynih është e angazhuar me të vërtetë për përmbajtjen dhe për t'u ofruar politikëbërësve dhe analistëve pikëpamjet më të fundit mbi çështjet duke e bërë këtë me modestinë e nevojshme."
Pyetje interesante
James Davis, profesor për politikën ndërkombëtare në Universitetin e St. Gallenit në Zvicër thotë: "Raporti shtron një numër pyetjesh të rëndësishme dhe edhe pse nuk ofron ndonjë përgjigje të vërtetë për to që unë mendoj se duhet të kuptohet ashtu sikurse është reklamuar - një ftesë për dialog."
Të dy Davis dhe Benner vënë në dukje pjesën mbi fuqitë në rritje, si një pikë të vlefshme fillestare për diskutime të mëtejshme dhe dhe më gjera në Mynih. Një tjetër pyetje e rëndësishme është "nëse mungesa aktuale e stabilitetit që shohim në sistemin ndërkombëtar lidhet me rendin në kolaps apo me dështimin e Shteteve të Bashkuara në rolin e tyre udhëheqës," vuri në dukje Davis.
Shumë mirë është përpunuar edhe pjesa ku bëhet fjalë për zhvillimet që vërehen aktualisht në Ukrainë, thotë Benner. Kështu p.sh. lufta përmes informacionit, pra shpërndajes strategjike të informacioneve manipuluese, dhe lufta asimetrike, pra mes palëve në konflikt që janë të armatosura dhe të organizuara në mënyra të ndryshme.