Çekia dhe Jugosllavia - një histori me dy rrjedha
27 Gusht 2017Ka qenë një ditë e nxehtë 26 Gushti i vitit 1992 në Brnon çeke. Në kopshtin e vilës së famshme Tugendhat, nën hijen e ahut dhe para një gote me ujë të ftohtë, ishin ulur kryeministrat e vendeve të Çekisë dhe Sllovakisë, Vaclav Klaus dhe Vladimir Meçiar, për të folur për shpërbërjen në paqe të shtetit të dikurshëm çekosllovak. Në mbrëmje ata dolën para shtypit dhe deklaruan se nga 1 janari 1993 do të ketë dy shtete të pavarura, Çekinë dhe Sllovakinë. "Edhe pse njerëzit kanë shumë lidhje emocionale me shtetin aktual, duhet të jemi realistë dhe të themi me përgjegjësi, se nuk ka mundësi të ruajmë gjendjen e tanishme", tha Meçiar.
Një agim i zjarrtë në Sarajevë
Edhe në Sarajevë ka qenë një ditë e nxehtë 26 gushti 1992. Por jo për shkak të diellit. Prej 5 muajsh qyteti ishte pushtuar nga ushtarët serbë nga Bosnja, nga malet përreth qëllohej me armë mbi shtëpitë në luginë. Atë ditë u qëllua edhe "Vijecnica", godina e bashkisë së atëhershme, ku ndodhej edhe Biblioteka Kombëtare dhe ajo Universitare. Në natën e 26 gushtit ndërtesa mori flakë, në fund mbetën vetëm muret. Brenda pak orësh zjarri shkatërroi pjesën më të madhe të thesarit kulturor kombëtar, më shumë se 2 milionë libra dhe dokumente. Këtë ditë u zhdukën edhe dëshmitë e shumta të traditës qindravjeçare multikulturore.
Me djegien e Bibliotekës Kombëtare në Sarajevë u zhduk edhe shpresa se shpërbërja e Jugosllavisë do të mund të bëhej pa luftë. Në të njëjtën ditë në Londër kryeministri britanik, John Mayer hapi konferencën për Jugosllavinë. Kërkesa kryesore: Pushimi i luftimeve.
Shtetet e reja nga rrënojat e monarkisë
Çekia e Jugosllavia - të dy shtete që në verën e vitit 1992 e lanë në mënyra të ndryshme arenën botërore, të dyja të dala nga rrënojat e monarkisë austriako-hungareze në fund të Luftës së Parë Botërore. Qëllimi ishte pak a shumë i njëjtë: Popuj të ndryshëm e pakica të ndryshme, por në shumë pikëpamje të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin do të duhej të jetonin në një shtet të përbashkët dhe të pavarur.
Çekia luante një rol të rëndësishëm si industri e zhvilluar e vend me traditë kulturore edhe brenda dinastisë së Habsburgëve. Krahas Vjenës e Budapestit, si kryeqyteti i tretë konsiderohej Praga. Kur u bë e qartë se monarkia po merrte fund, Tomas Masaryk dhe Edvard Benes në krye të lëvizjes kombëtare çeke kërkuan pavarësinë e vendit në një Europë të re. Bashkë me përkrahësit e lëvizjes sllovake ata ranë dakord për shtetin e ri të përbashkët. Republika çekosllovake arriti pavarësinë ende pa përfunduar lufta.
Një shtet jo homogjen - nga 14 milionë banorë, 7 milionë ishin çekë, 2,5 milionë sllovakë, më shumë se 3 milionë gjermanë sudetë. Shto këtu edhe pakicat e mëdha në numër hungareze, ukrainase e polake. Megjithëse që në fillim u proklamua krijimi i një shteti çekosllovak, e pakicave iu premtuan të drejta të veçanta, të gjitha mbetën thjesht retorikë ideologjike. Në realitet ndjehej dominanca çeke. Pas rënies së Murit dhe revolucionit të kadifenjtë, 1989, në Sllovaki u rritën zërat për pavarësi. Në zgjedhjet e qershorit 1992 u krijua një qeveri e përkohshmë, ndërkohë që filluan bisedimet për shpërbërjen e shtetit të vjetër.
Copëzim në vend të shpërbërjes
Historia jugosllave mori një drejtim tjetër, megjithëse fillesa e historisë ishte e njëjtë. Edhe në shtetin jugosllav në bazë qëndronte ideja që popuj të afërt me njëri-tjetrin, të bashkoheshin në një shtet. Edhe në konstruktin asimetrik jugosllav u proklamua barazia e popujve themelues dhe u premtua garantimi i të drejtave të pakicave. Por në shtetin jugosllav, që në rrjedhën e historisë kaloi nga një monarki në republikë socialiste, ndjeheshin shumë vetë të injoruar, jo të barabartë. Edhe themelimi i një kombi jugosllav nuk shkoi përpara, megjithë përpjekjet e bëra. Në një moment kur kriza konstitutive e tronditi vendin, Jugosllavia u copëzua në grupet etnike. Pak pas kësaj u fillua të vendoshin në harta kufijtë e rinj me brutalitetin më të madh, duke ia përshtatur këtë edhe miteve kombëtare.
Dy rrugë të ndryshme
Rezultati dihet: Kur Vaclav Klaus dhe Vladimir Meçiar në mbrëmjen e 26 Gushtit 1992 bënë të ditur shpërbërjen e shtetit, kryeministri çek tha: "Nëse procesi i planifikuar zbatohet në paqe, mendoj se me Sllovakinë do të kemi marrëdhënie më të mira dhe më të qëndrueshme se për momentin." Një fjali që zuri vend, siç tregoi edhe historia.
Jugosllavia përkundër kësaj u copëzua në një luftë të përgjakshme, me qindra mijëra viktima, miliona të dëbuar dhe shkatërrime të mëdha. Bosnje-Hercegovina është ende sot, më shumë se 20 vite pas përfundimit të luftës, një shtet jonfunksional, i varfër, dhe thellësisht i përçarë. Biblioteka e Sarajevës është rindërtuar, por dokumentet e librat e djegur në ferrin e flakëve mbeten të zhdukura përgjithmonë.