1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çajkovski dhe homofobia ruse

Anastassia Boutsko / E. Xhani9 Nëntor 2013

Në 6 nëntor 1893 vdiq Pjotr Çajkovski. 120 vjet më vonë "gjeniu kombëtar" është vënë në qendër të diskutimit shoqëror: homoseksualiteti i tij nuk ka vend në skemëm ideologjike të Rusisë moderne.

https://p.dw.com/p/1AEXx
Pjotr Iljiç Çajkovski
Pjotr Iljiç ÇajkovskiFotografi: picture-alliance/dpa

Ishte një natë e ftohtë nëntori në Shën Petërburg, me shi të imët. Para shtëpisë me numër 13, në kryqëzimin mes Malaja Morskaja dhe Gorokhovaja, në afërsi të Ermitazhit, megjithëse ishte shumë herët në mëngjes, qendronin shumë karroca. Lajmëtarët hynin e dilnin, reporterët prisnin në një birrari përballë. Në orën 3:15 u dha lajmi: Çajkovski kishte vdekur.

Nikolaj Mamoniv, një nga mjekët që kujdeseshin për artistin, dha si shkak të vdekjes „kolerën aziatike“, atë sëmundje infektive, që në Evropën e shekullit të 19-të u kushtoi jetën dhjetëra mijëra vetëve. Cari Aleksandër III ishte nga të parët që shprehu ngushëllimet, Çajkovski u varros me një ceremoni shtetërore.

Në varrimin e kompozitorit të shquar morën pjesë mijëra vetë
Në varrimin e kompozitorit të shquar morën pjesë mijëra vetëFotografi: Tschaikowski-Museum in Kilin

Kolerë apo vetëvrasje?

Megjithatë thashetheme dhe spekulime nga më të marrat, morën shkas nga rrethanat e vdekjes së kompozitorit që nuk kishte mbushur as 54 vjeç. Kështu për shembull që kompozitori i druhej një zbulimi publik të homoseksualitetit dhe nga frika e një skandali social, kishte kryer vetëvrasje. Ose: me urdhër të carit, kompozitori kishte pirë një gotë ujë të ndotur me virusin e kolerës, si dënim për një lidhje erotike me një nga pjesëtarët e familjes së carit. Në Petërburg dhe Evropë qarkullonin edhe teori të ndryshme helmimi.

Todesmaske von Pjotr Tschaikowski
Fotografi: Tschaikowski-Museum in Klin/Veydman

Theshethemet ziejnë edhe sot e kësaj dite

"E vetmja gjë që më çudit është që këto teori kanë mbijetuar deri sot“, thotë Valery Sokolov, autor librash dhe një nga studiuesit kryesorë rusë të Çajkovskit në bisedë me DW. Skenarët kokëfortë për vrasje apo vetëvrasje, studiuesi i konsideron „marrëzi“. Ka qenë dobësia trupore për shkak të koncerteve dhe shfaqjeve të panumërta që kanë luajtur rol. Premiera e „Patetikës“, të cilën vetë Çajkovski e shihte si „fundin e punës së tij krijuese“ i kishte kushtuar jo pak fuqi dhe ndoshta ka qenë shkaktare për një „burn-out“.

Edhe për pyetjen se si kanë arritur viruset e kolerës në organizmin e kompozitorit të kamur, studiusi ka një përgjigje logjike: në verën e vitit 1893, Pjotr Çajkovski ishte mik tek vëllai i tij Anatoli, i cili si zv/guvernator në Nishnij Novgorod merrte pjesë aktive në luftimin e një epidemie kolere. Aty mesa duket ka ndodhur.

Homoseksual dhe i lumtur?

Skenë nga filmi "Music lovers" me regji të Ken Russel
Skenë nga filmi "Music lovers" me regji të Ken RusselFotografi: picture alliance/United Archives

"Kur sot lexoj apo dëgjoj se Çajkovski nuk ka qenë homoseksual dhe se këtë e kanë shpikur studiues jopatriotë, vetëm mund të qesh“, thotë Polida Veydma, drejtoreshë e muzeumit Çajkovski në Klin pranë Moskës, „të mohosh homoseksualitetin e tij është absurde“. Mjafton të lexosh letrat apo ditarët e kompozitorit, në të cilat ai tregon hapur për jetën e tij intime, për lidhjet dashurore dhe zhgënjimet.

Edhe qendrimin se homoseksualiteti nuk ka asnjë lidhje me veprën e tij krijuese, njohësja e Çajkovskit, Veydman e konsideron të gabuar: „Vepra e tij është vazhdimisht thellësisht autobiografike. Natyrisht një pjesë kaq e rëndësishme e personalitet të tij luan këtu një rol të rëndësishëm".

Çajkovski me nipin e tij Vladimir DavydovAnastassia Boutsko copyright: Tschaikowski-Museum in Kilin
Çajkovski me nipin e tij Vladimir DavydovFotografi: Tschaikowski-Museum in Kilin

Gjenia e kompozitorit nuk mund të reduktohet tek preferencat e tij seksuale, mendon Valery Sokolov. „Njohja e të qenit ndryshe ishte një proces i dhimbshëm për Çajkovskin e ri“, thotë studiuesi. „Gjatë viteve 1870, kur pa se shumë shokë të tij të rinisë e fshihnin homoseksualitetin me një martesë, e pa këtë edhe si opsion për veten e tij“. Ai u martua me Antonina Miljukova, një grua e re, që i pati shkruar atij letra dashurie dhe ndoshta i kujtonte Tatjanën nga vepra e Pushkinit, „Eugen Onjegin“.

Në vitet e pjekurisë Çajkovski e pranonte shumë hapur homoseksualitetin e tij. Një përndjekje të kompozitorit për shkak të preferencave erotike, studiuesit e përjashtojnë: në qarqet e larta të shoqërisë ruse asokohe ekzistonte një tolerancë e madhe ndaj homoseksualëve.

"Ne nuk e duam për këtë arsye"

Mesa duket një tolerancë shumë më e madhe se në Rusinë moderne, e cila ka një problem të madh me temën „homoseksualiteti i kompozitorit kombëtar numër një“. Si shoqëria në përgjithësi me qendrim ende shumë konservator, ashtu edhe ideologjia zyrtare tregojnë frikëra të qarta përballjeje.

Madje Presidenti Putin në fillim të shtatorit tha në një intervistë televizive një fjali që përcaktonte drejtimin: „Thuhet se Çajkovski ka qenë homoseksual. Por ne nuk e duam për këtë arsye“. Dhe menjëherë filloi në shtyp një fushatë me objektivin për të mbrojtur Çajkovskin nga shpifjet. Nëna të shqetësuara pyesnin në sportelin e teatrit nëse shfaqja e Çajkovskit „Arrëthyesi“ ishte e lejuar për fëmijë. Në listën e çudive homofobe, gjen edhe heqjen e një subvencionimi shtetëror për një film mbi Çajkovskin. Regjisori rus i teatrit dhe figurë kult në komunitetin homoseksual Kiril Serebrenikov, theksoi më kot se filmi i tij „nuk do ta tregonte jetën e Çajkovskit nga perspektiva e shtratit“.

A kishte Çajkovskit gjak gjerman?

Arkivi i kompozitorit ruhet në shtëpinë muze në Klin
Arkivi i kompozitorit ruhet në shtëpinë muze në KlinFotografi: Tschaikowski-Museum in Kilin

Studiues seriozë si Polina Veydman apo Valery Sokolov nuk kanë ndonjë konsideratë për këtë „fushatë jubileu“. Por kur është fjala për sensacione atëherë kanë diçka tjetër në ofertë: studimet e kohëve të fundit kanë treguar se Çajkovski i vlerësuar si ”kompozitori rus i të gjitha kohërave”, ka pasur edhe gjak gjerman.

Gjyshi i tij nga mamaja, Michael Heinrich Maximilian Acier, i cili pati emigruar në Rusi në fillim të shekullit të 19, kishte vërtet baba francez, por edhe nënë gjermane, Maria Christina Eleonora Wittig. Stërgjyshi Michel Victor Acier, një skulptor i formuar në Paris në manifakturën e famshme të porcelanit Meissner, ishte martuar me Wittig në Meissen, ku pati lindur edhe djali i tyre, gjyshi i Çajkovskit. Dadoja që Çajkovski adhuronte, Fanny Dürbach, vinte nga Alsasa dhe kështu ndodhi që Pjotri i vogël fliste rrjedhshëm gjermanisht që në moshën gjashtë vjeç.