Jo për moral, por prej presionit të madh ndërkombëtar
2 Qershor 2013Pas reformimit të rregullave për sekretin bankar Zvicra nuk është më vendi ideal për të fshehur paratë apo për evazion fiskal, prandaj shumë njerëz që kanë depozituar paratë atje duan t'i nxjerrin paratë nga Zvicra dhe për këtë fantazia e tyre nuk njeh kufij.
Policët e pikave kufitare mes Zvicrës dhe Gjermanisë kanë shtuar kontrollet dhe tregojnë se evazorët fiskalë po bëhen nervozë dhe po përpiqen të kalojnë sasi të mëdha parash në dorë përmes kufirit. Kur kalon kufirin ke të drejtë të kesh me vete jo më shumë se 10 mijë euro. "Ne kemi zbluar para të padeklaruara të fshehura në tavanin e makinës, poshtë baterisë, në ndenjësen e fëmijës e madje në trupat e fëmijëve." - tregon një prej kufitarëve.
Masa për përmirësimin e imazhit
Pas artikujve negativë për shkak të Uli Hënes që kishte fshehur para në bankat zvicerane imazhi i tyre u dëmtua. Tani ato duan ta heqin nga vetja imazhin si strehë për para të zeza, thotë Rudolf Strahm, ekspert për bankar. "Pjesa më e madhe e bankave në Zvicër, si ato të huaja dhe ato private, nuk duan të kenë më klientë me para të pista. Kjo jo për shkak morali, por prej presionit të madh ndërkombëtar."
Aksionerëve të bankës UBS u pëlqejnë përfitimet e ardhura nga paratë e zeza, por në Asamblenë e Përgjithshme kryetari i bordit administrativ të UBS, Weber, foli për një epokë të re dhe për një realitet me para të pastra.
Mesazhe të qarta për klientët
Ky mesazh vajti mjaft qartë në veshët e klientëve me para të pista. Në këtë kontekst Credit Suisse ka shkuar më tej duke iu kërkuar klientëve një vërtetim nga zyra e taksave gjermane që kanë paguar taksat, në të kundërt rrezikohet ndërprerja e marrdhënieve. Banka private Coutts e kërkon një dokument të tillë më me edukatë, me arsyen e rregullimit të brendshëm të bankës.
Vetëdeklarim vullnetar i pasurive
Karsten Randt, kontabilist nga Boni, merret me çështjet e vetëdeklarimit të pasurive dhe sqaron se: "Bankat bisedojnë specifikisht me çdo klient dhe u bëjnë të qartë se nuk duan të kenë klientë që u janë shmangur taksave në Gjermani dhe në varësi të bankave ka edhe raste që ato ndërpresin marrdhëniet me klientin."
Kush bën vetëdeklarim duhet të paguajë një taksë prej 15% të shumës që nuk ka deklaruar tek organet e taksave dhe nuk ka nevojë të përgjigjet më vonë para ndonjë prokurori apo gjykate.
Për shkak të marrveshjeve ndërqeveritare të nënshkruara nga Zvicra, situata po ndryshon në mënyrë pozitive. Në krahasim me dekadat e mëparshme sektori bankar është i gatshëm për të bashkëpunuar, veçanërisht në çështjet e evazionit fiskal, çka nuk ka qenë e mundur më parë, sqaron Karsten Randt.