1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zvicra ndërpret marrëveshjen për sigurime sociale të kosovarëve që punojnë atje

24 Prill 2010

Sindikata zvicerane UNIA kumton se që nga 1 prilli, shteti federal zviceran ka ndërprerë marrëveshjen për sigurime sociale të kosovarëve që punojnë në këtë shtet.

https://p.dw.com/p/N5LX
Pamje nga Kosova
Pamje nga KosovaFotografi: DW

Në bazë të marrëveshjes për sigurime sociale në mes të ish-Jugosllavisë dhe Zvicrës, sigurimet shoqërore të kosovarëve që kanë punuar në këtë shtet janë paguar nga shteti federal zviceran që nga viti 1964.

Në kuadër të kësaj marrëveshje ka pasur një numër qytetarësh të cilët janë kthyer për të jetuar në Kosovë: bëhet fjalë për rreth 300 pensionistë, të cilëi kanë marrë pensionet nga Zvicra edhe pse jetojnë në Kosovë“-shpjegon për Deutsche Welle-n Bexhet Gaxhiqi, kryesues i Komisionit për Negociata lidhur me Sigurimet e pensioneve me Zvicrën, pranë Ministrisë për Punë dhe Mirëqënie Sociale të Kosovës.

Mijëra kosovarë marrin pesione invaliditeti nga Zivcra

Arif Zeqiri, ish punëtor në Zvicër
Arif Zeqiri, ish punëtor në ZvicërFotografi: DW

Ndër kosovarët të cilët kanë pësuar fatkeqësi në punë dhe në bazë të shkallës së invaliditetit të përcaktuar nga komisioni shëndetësor zviceran, janë paguar edhe pas kthimit të tyre në Kosovë është edhe Arif Zeqiri, 70 vjec, nga komuna e Decanit.

Më 30 maj 1979, më shtypi makina e përpunimit të betonit. Këmbën e kam pas të thyer në dy vende, krejt brinjtë e anës së djathtë dhe trupin pothuaj të zhveshur nga lëkura tërësisht. Tetë muaj kam ngel n´spital, dy muaj e nje jave pa vetëdije” - tregon Arif Zeqiri, për të cilin mund të thuhet se pati fat ne fatkeqësi, sepse gëzon qysh prej 28 vitesh pension invalidor prej 1700 frangash zvicerane.

Doja të punoja, por nuk mundesha...Provova dy tri herë" - vazhdon rrëfimin Arif Zeqiri. "Pas një kohe erdhën punonjës të sigurimeve dhe më pyetën se në cilën bankë dëshiroj t´ma bartin pensionin. Dhe, prej atëherë çdo muaj i marr nga 1730 franga. Kurre mua s´mu kan' vonu vec me të dytin gjithmone m´kane ardhë. E tash me 2 te muajit maj, nuk e di...”

Ripërtëritje apo bllokim i marrëveshjes nga ana e Zvicrës?

Bexhet Gaxhiqi
Bexhet GaxhiqiFotografi: DW

Por sipas Bexhet Gaxhiqit, kryesues i komisionit për negociata për sigurimet pensionale invalidore me Zvicrën, këtu nuk bëhet fjalë për skadim por për kërkesë për ripërtëritjeje të kësaj marrëveshjeje e cila ka ndryshuar që me pranimin e Kosovës si shtet sovran nga ana e Zvicrës.

Marrëveshja e nënshkruar në vitin 1963 e cila ka hyrë në fuqi me 1964 është nënshkruar nga ish sistemi jugosllav. Ndërsa, me njohjen e Kosovës si shtet nga ana e shtetit zviceran, duhët të nenshkruhen marreveshje të reja. Shteti federal zviceran ka një ndërprerje të tillë me 145 shtete të tjera dhe kur flasim për shtetet e Ballkanit, një formë e tillë është nënshkruar me Kroacinë, ndërsa me Maqedoninë, Malin e Zi etj. po negociohet. Dhe, në këtë aspekt, edhe ne si qeveri e Republikës së Kosovës po bëjmë përpjekje të jemi pjesë e këtyre negociatave për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re dhe të gjitha pikat që kërkohen janë të gatshme“ - thotë Gaxhiqi.

Zvicra: E vështirë të vërtetohet gjendja shëndetësore e pensionistëve të rikthyer në Kosovë

Vendimin për mosripërtëritjen e marrëveshjes, autoritetet e Zvicrës e kanë arsyetuar me vështirësitë për vërtetimin e gjëndjes shëndetësore të atyre që e marrin pensionin invalidor nga Zvicrës dhe jetojnë në Kosovë. Sipas Bexhet Gaxhiqit:

Është përmendur se një ekipë agjentësh zviceranë kanë ardhur për të verifikuar situaten, edhe pse ne nuk kemi qënë të informuar. Sidoqoftë, ne jemi të gatshëm që të ofrojmë mbështetjen tonë profesionale dhe ligjore për të bërë verifikimin e të gjitha rasteve”.

Nevojën për vërtetimin e gjëndjes shëndetësore të kosovarëve që gëzojnë pensionin invalidor të Zvicrës dhe jetojnë në Kosovë, e ka nxitur propaganda për keqpërdorime nga ana e disa qytetarëve kosovarë lidhur me invaliditetin e tyre. Megjithatë ”Vështirësi të tilla, nëse ekzistojnë, s´mund të arsyetojnë diskriminimin e dhjetëra mijëra njerëzve nga Kosova të punësuar në Zvicër dhe të familjeve të tyre”- konsideron sindikata me e madhe zvicerane UNIA, në një reagim të botuar në internet, nëpërmjet të cilit i bën thirrje Këshillit Federal Zviceran që të negociojë me qeverinë e Kosovës një marrëveshje të re të sigurimeve shoqërore si dhe të respektojë të drejtat e të siguruarve, pavarësisht vendbanimit të tyre.

Autore: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Sonila Harasani