Zhgënjim për shndërrimin e Hagia Sofisë në xhami
11 Korrik 2020Urdhëri i presidentit turk Erdoganit për rikthimin sa më shpejtë të ndërtesës me famë botërore, Hagia Sofia, në xhami, që erdhi menjëherë pas një vendimi të Gjykatës së Lartë Administrative në Ankara, u shoqërua me kritika në shumë vende.
Megjithë protestat e mëparshme në të gjithë botën Gjykata e Lartë Administrative në Turqi vendosi që vendimi i Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne i vitit 1934 për ta shndërruar Hagia Sofinë në muze ishte i paligjshëm.
Në këtë mënyrë gjykata e anuloi statusin e kishës së dikurshme si muze dhe i hapi rrugën shndërrimit të saj në xhami.
Zhgënjim nga vendimi i qeverisë turke
SHBA e kritikuan njoftimin e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan që ndërtesa me famë botërore, Hagia Sofia, në Stamboll do të përdoret përsëri si xhami. "Ne jemi të zhgënjyer nga vendimi i qeverisë turke për të ndryshuar statusin e Hagia Sofias," tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus. Ajo i bëri thirrje Ankarasë që të vazhdojë t'u lejojë të gjithëve që të vizitojnë "pa pengesë" kubetë e bazilikës të ndërtuar në shekullin VI.
Thirrje për konsekuenca
Zëdhënësi politik për Evropën i grupit parlamentar CDU / CSU, Florian Hahn, kërkon një përgjigje politike për shndërrimin e Hagia Sofisë nga muze në xhami. Ky shndërrim është "një provokim ndaj kulturës së përbashkët evropiane" dhe tregon "largimin e Turqisë nga BE-ja i cili po shtohet prej vitesh", tha politikani i CSU-së. "Prandaj, ne duhet të nxjerrim konsenkuenca dhe të kemi guximin t'u japim fund negociatave të pranimit të Turqisë në BE."
Edhe nënkryetari i Komisionit të BE-së, Margaritis Schinas, u shpreh në Parlamentin Evropian në Bruksel se është në favor të ruajtjes së statusit aktual të ndërtesës me famë botërore. Schinas nënvizoi rëndësinë simbolike të ndërtesës së famshme botërore dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor.
Schinas kujtoi gjithashtu se në vitin 2010, kur Stambolli ishte Kryeqyteti Evropian i Kulturës, Erdogani e përshkroi metropolin në Bofor si një qytet evropian. Meqenëse tani po kërkohen më bisedime në nivel ndërkombëtar ose evropian, vendimi ndjek vetëm interesat e brendshme, tha Schinas.
Provokim i hapur ndaj kulturës evropiane
Qeveria greke e dënoi shndërrimin e Hagia Sofisë në xhami. Ky është një "provokim i hapur për të gjithë botën e civilizuar", tha Ministrja greke e Kulturës, Lina Mendoni. "Nacionalizmi" i Erdoganit e katapulton Turqinë përsëri "gjashtë shekuj" më pas. Vendimi i gjykatës tregon se në Turqi nuk ka "pavarësi gjyqësore".
Kisha Ortodokse Ruse shprehu keqardhjen për këtë veprim. Vendimi turk injoron "shqetësimin e miliona të krishterëve", tha zëdhënësi i kishës ruse Vladimir Legoida për agjencinë e lajmeve Interfax.
Simbol politik
Hagia Sofia është simboli më i njohur turistik i Turqisë. Kupola masive me tulla dhe afresket e hollësishme tërheqin çdo vit miliona vizitorë dhe prandaj kjo ndërtesë ka edhe statusin e monumentit të trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Por Hagia Sofia është më shumë se një kryevepër arkitektonike – dhe ka qenë gjithmonë një simbol politik. Ndërtesa monumentale u ngrit në shekullin e gjashtë pas Krishtit nga perandori bizantin Justinian.
Kur osmanët pushtuan Kostandinopojën në vitin 1453, Sulltan Mehmeti II e shndërroi shpejt kishën në xhami. Edhe themeluesi i Republikës Turke, Mustafa Kemal Ataturku, e përdori kishën për një akt me rëndësi të madhe simbolike: në vitin 1935, ai e ktheu Hagia Sofinë në muze. Turqia moderne është një vend laik, ky qe mesazhi i asaj kohe.
Me rikthimin në xhami të monumentit të famshëm të UNESCO-s në lagjen Fatih të Stambollit, Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, synon t'u plotësojë dëshirat nacionalistëve turq, sepse për shumë prej votuesve të tij nacionalistë-islamikë, Hagia Sofia është simbol i pushtimit të Kostandinopojës së krishterë nga osmanët dhe i epërsisë së botës islamike.