Zgjedhjet parlamentare në Bjellorusi
21 Shtator 2012Si ditë e vërtetë e zgjedhjeve vlen 23 shtatori. Por lokalet zgjedhore - mbi 6.000 sosh - janë hapur qysh më 18 shtator. Pa dhënë asnjë arsye, çdo votues në Bjellorusi mund të votojë para kohe. Kjo u jep më shumë mundësi qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, thuhet në deklaratat zyrtare. 23 Shtatori është ditë e dielë gjatë të cilës njerzëit kanë nevojë për kohë të lirë që të vizitojnë gjyshen në fshat dhe të punojnë kopshtet e tyre.
Opozita: Punëtorët kërcënohen me pushime nga puna
Vëzhguesit e pavarur të zgjedhjeve kanë vërejtur se në disa zona qysh në ditën e parë të votimit të parakohshëm janë hedhur deri në 50 për qind e të gjitha votave. Opozita ankohet se në shumë ndërmarrje dhe zyra, punonjësit janë kërcënuar me pushime nga puna, nëse nuk dalin në votime. Votimi i parakohshëm i jep pushtetit kohë të mjaftueshme në rast se do të jetë e nevojshme që votat të zëvendësohen në favor të tyre.
Presidenti Aleksander Lukashenko "premton zgjedhje të ndershme" dhe thotë se opozita përsërit akuzat për mungesë legjimiteti të zgjedhjeve vetëm për të justifikuar humbjen e tyre të pashmangshme: "Këta njerëz, këta opozitarë kanë tradhëtuar gjithnjë vendin dhe kanë helmuar popullin. Tani këta surretër të pistë luten përsëri për pushtet. Është e qartë se çfarë politike synojnë ata."
Votuesit janë të frustruar dhe të zhgënjyer me politikën. Brenda një viti, monedha kombëtare ka humbur dy të tretat e fuqisë së saj blerëse. Megjithatë presidenti Lukashenko premton solemnisht se paga mesatare do të rritet deri në fund të vitit në 500 dollarë. Por elektorati nuk i beson as Lukashenkos, as opozitës.
Opozita e përçarë bën thirrje për bojkotim të zgjedhjeve
Rreth dhjetë parti të vogla dhe lëvizje përfaqësojnë opozitën. Ato janë të ndara pjesërisht mes vetes dhe siç deklarojnë nuk luftojnë për pushtet. Ato duan të tregojnë se këto zgjedhje janë sërish vetëm një farsë. Para ca muajsh disa parti kanë bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve.
Pak para zgjedhjeve pastaj edhe "Partia e bashkuar Qytetare", një nga partitë më të mëdha të opozitës, tërhoqi kandidatët e saj. Kryetari Anatoli Lebedko përmend arsyet: "Ne i kemi vënë tre kushte pushtetmbajtësit: lirimin e të burgosurve politikë, lejimin e përfaqësuesve tanë në komisionet zgjedhore dhe heqjen e votimit para datës së zgjedhjeve. Asnjë nga këto kërkesa nuk është përmbushur. Prandaj ne bëjmë thirrje: mos merrni pjesë në këtë mashtrim, mos dilni në votime."
Opozita në Bjellorusi është dobësuar nga arrestimet dhe raprezaljet të cilat kanë ndodhur kryesisht pas zgjedhjeve presidenciale në vitin 2010. Shumë aktivistë janë dënuar që atëherë, kështu që ata nuk mund të marrin pjesë në zgjedhje. Të tjerë janë larguar nga vendi.
Nga jashtë duket se gjithçka po ndodh në mënyre demokratike. Për herë të parë ka pasur edhe duele televizive midis kandidatëve. Por sidoqoftë fituesi ka kohë që është përcaktuar: Alexander Lukashenko. Për shkak se presidenti autoritar edhe pas këtyre zgjedhjeve do të ketë një parlament të butë që nuk guxon dhe nuk don të thotë asgjë.