1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet palamentare në Shqipëri nën hijen e incidenteve

Ani Ruci23 Qershor 2013

Qytetarët me të drejtë vote në Shqipëri votuan për parlamentin e ri. Procesi u shoqërua me incidente si dhe me vrasjen e një aktivisti në Laç. PD dhe PS shprehin bindje për fitore.

https://p.dw.com/p/18ulN
Fotografi: picture-alliance/AP

Vrasja e një mbështetësi të LSI-së opozitare, Gjon Gjoni, dhe plagosja rëndë e kandidatit për deputet të PD-së në pushtet Mhill Fufi dhe vëllait të tij Kastriot Fufi, nga një shkëmbim zjarri pranë një qendre votimi në qytetin veriperëndimor të Laçit, në fillim të ditës (23.06.2013) së votimit për zgjedhjet  parlamentare 2013 e ka tensionuar situatën politike nëShqipëri, të polarizuar ekstremisht gjatë fushatës elektorale për këto zgjedhje. Pamjet në ekranet e kanaleve televizive tregojnë viktimën të shtrirë në rrugë, plumba të shpërndara dhe dëmtim tëxhamit të pasëm të një automjeti pranë vendit tëngjarjes.

Incidenti i rëndë ka sjellë reagimet e palëve që kanë akuzuar njëra – tjetrën për nxitje të dhunës. Lideri i opozitës Edi Rama, nga qyteti i Laçit akuzoi pushtetin se” është hedhur në operacion për të trembur dhe larguar nga kutitë e votimit qytetarët”. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, duke fajësuar pasdite direkt policinë për vrasjen e mbështetësit të tij dhe “elementet kriminale të demokratëve në pushtet, që kanë ushtruar presion në qendrat e votimit”. Me të njëjtat tone u shpreh edhe PD-ja kur në një konferencë për shtyp e cilësoi ngjarjen e rëndë “një akt të pastër terrorist ndaj kandidatit të Partisë Demokratike”.

Wahlen Albanien Tirana
Fotografi: DW/A.Ruci

Ministria e Brendshme u bëri thirrje partive politike që “të distancohen nga çdo veprim anti-policorpasi ato dëmtojnë procesin zgjedhor”. BE-ja ka kërkuar të ulë tensionin politik mes palëve. Ambasadori i BE-së në Shqipëri, dënoi i ashpër dhunën ekstreme në Laç dhe u kujtoi palëve se “ndër standardet ndërkombëtare dhe europiane për zgjedhjet është shumë i rëndësishëm refuzimi i dhunës”. Zhvillimi i këtyre zgjedhjeve sipas standardeve europane dhe ndërkombëtare është kushti kryesor i BE-së për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat.


Angazhim për zbardhjen e incidentit

Burime zyrtare nga Spitali Ushtarak, ku janë sjellë nga qyteti i Laçit, Mhill dhe Kastriot Fufi, thanë për DW, se të dy janë jashtë rrezikut për jetën. Zëdhënësi i policisë së shtetit, Tefik Sulejmani, në një konferencë për shtyp tha se për zbardhjen e ngjarjes së rëndë janë angazhuar forcat më të afta të policisë së shtetit . Deri tani policia ka shpallur 7 persona në kërkim dhe Gjykata e Qarkut të Lezhës, ku bën pjesë qyteti i Laçit, ka prerë dy fletë arreste. Detajet nga vendi i ngjarjes janë publikuar tanimë. Ato flasin për gjetjen e 15 gëzhojave nga tre lloje armësh tëndryshme, të cilat, sipas policisë, faktojnë shkëmbimin e zjarrit.

Wahlen Albanien Tirana
Fotografi: DW/A.Ruci

Ecuria e pjesëmarrjes në votim

Sipas të dhënave të fundit nga KQZ-ja, deri tani në votim kanë marrë pjesë 42, 71 % e të gjithë numrit të votuesve prej 3 milion e 271 mijë. Dy liderët kryesorë politik e Sali Berisha dhe Edi Rama shprehen të bindur për një fitore të thellë duke i bërë thirrje elektoratit për pjesëmarrje aktive në votim.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme, një strukturë e vëzhguese te pavarur nga shoqëria civile e përbërë nga tri organizata, Komiteti Shqiptar i Helsinkit , Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim dhe Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuara konstaton se në 60 % të qendrave të votimit në Tiranë nuk mundësojnë akses fizik për votuesit me aftësi të kufizuar dhe në 68 % të tyre nuk kishte dhoma të fshehta të përshtatshme për këta votues.Shumë votues të verbër nuk arritën të votonin në mënyrë të lirë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë- theksohet në një deklaratë të zëdhënëses së këtij koalicioni, Mirela Arqimandriti. Koalicioni, vë në dukje se në22 % të qendrave të votimit në Qarkun e Tiranës nuk ka asnjë grua anëtare të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe vetëm 22 % e Komisioneve të Qendrave të Votimit kryesohen nga një grua.Koalicioni ka marrë 8 raportime të rasteve të votimit familjar. 

Për 140 vendet në parlament kandidojnë rreth 5200 kandidatë për deputetë. Procesi vëzhgohet nga rreth 9 mijë vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendas.