1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Turqi: Më shumë se një ndryshim qeverie

13 Maj 2023

Të dielën zhvillohen në Turqi zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Presidenti Erdogan, i cili e ka drejtuar Turqinë për më shumë se 20 vjet kësaj here ka rivalë të fortë.

https://p.dw.com/p/4R3MD
Turqia në zgjedhje të përgjithshme më 14 maj
Turqia në zgjedhje të përgjithshme më 14 majFotografi: Samir Huseinovic/DW

Në Turqi votohet të dielën për një parlament dhe president të ri. Pas 20 vitesh, presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan nuk është favorit i qartë në garë. Sipas sondazheve, edhe aleanca e tij elektorale është prapa aleancës së opozitës.

Cili është sistemi politik në Turqi?

Që nga themelimi i saj në 1923, Republika Turke ka qenë një demokraci parlamentare sipas kushtetutës. Por sipas dëshirës së Erdoganit, kjo duhej të ndryshohej. Dhe kjo është ajo që bëri partia në pushtet AKP, me mbështetjen e partnerit të saj ultra-nacionalist MHP, në vitin 2017. Sistemi presidencial u fut më pas me zgjedhjet e 2018. Që atëherë, presidenti është kreu i shtetit, i cili drejton edhe qeverinë. Zyra e Kryeministrit nuk ekziston më.

Presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga populli për pesë vjet dhe ka kompetenca të gjera sipas sistemit të ri. Ai emëron dhe shkarkon ministrat dhe zyrtarët e lartë sipas gjykimit të tij, dhe gjithashtu kryeson kabinetin. Ministrat që emëron ai mund të emërojnë guvernatorë dhe zyrtarë shtetërorë në provinca dhe qarqe, kështu që presidenti mund ta ushtrojë ndikimin e tij edhe në komunitetet lokale.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan, 07.05.2023
Presidenti Recep Tayyip Erdogan, 07.05.2023Fotografi: Umit Bektas/REUTERS

Kreu i shtetit ka gjithashtu kompetencë të nxjerrë dekrete presidenciale dhe të emërojë poste të shumta në gjyqësor, financë dhe arsim. Postet më të rëndësishme të shërbimit sekret ose autoriteti i fuqishëm fetar Diyanet janë gjithashtu në varësinë e drejtpërdrejtë të Presidentit.

Me futjen e sistemit presidencial u hoq edhe parimi që Presidenti duhet të jetë mbipartiak. Presidenti në largim Rexhep Tajip Erdogan ishte kështu në gjendje të mbante presidencën e partisë së tij islamike konservatore në pushtet, AKP. Që atëherë, praktikisht nuk ka pasur ndarje të funksioneve dhe mandatit.

Kush kandidon për president?

Ka katër kandidatë për zgjedhjet presidenciale. Presidenti në largim Rexhep Tajip Erdogan dhe sfiduesi i tij Kemal Kilicdaroglu ndodhen në një garë gjoks më gjoks. Sipas shumë sondazheve, kandidati i aleancës më të madhe opozitare, Kilicdaroglu, është madje në krye, gjë që e bën Erdoganin dhe kampin qeveritar gjithnjë e më nervoz.

Vlerat e mbështetjes për dy kandidatët e tjerë variojnë nga 2 në 6%. Kandidatura e tyre bën që presidenti do të përcaktohet vetëm në raundin e dytë.

Kemal Kilicdaroglu, kandidati i opozitës
Kemal Kilicdaroglu, kandidati i opozitësFotografi: Alp Eren Kaya/Depo Photos/ABACA/picture alliance

A ka rëndësi Parlamenti?

Gjatë mandatit të tij, Erdogan e përshtati pas vetes aparatin shtetëror dhe i zgjeroi vazhdimisht kompetencat e tij.

Edhe pse numri i deputetëve u rrit nga 550 në 600 me futjen e sistemit presidencial, Erdogan e bëri parlamentin turk të parëndësishëm. Në mund të diskutohen dhe miratohen edhe më tej ligje, por kampi i qeverisë me shumicën e tij dominuese ka bllokuar të gjitha projektet e opozitës në parlament dhe vetëm ka shtyrë agjendën e tij politike. Me shumicën e saj, qeveria ka penguar edhe kërkesat e opozitës, si ngritja e komisioneve hetimore pas fatkeqësive të mëdha apo akuzave për korrupsion. Në shumicën e rasteve, qeveria as iu është përgjigjur pyetjeve të opozitës.

Katërmbëdhjetë parti përfaqësohen në parlament, shumë prej të cilave kanë arritur të kalojnë kufirin e 7% falë aleancave elektorale.

Cilat janë aleancat?

Tri aleanca zgjedhore luajnë një rol vendimtar në zgjedhjet legjislative; "Aleanca Popullore" e Erdoganit, "Aleanca e Kombit" e bllokut më të madh opozitar dhe "Aleanca e Punës dhe Lirisë" e udhëhequr nga HDP pro-kurde.

Mbeshtetes te Kemal Kilicdaroglu-se
Fotografi: Alp Eren Kaya/Depo Photos/ABACA/picture alliance

Përveç AKP-së, Aleanca Popullore e Erdoganit ka përfshirë prej vitesh ultra-nacionalistët MHP dhe BBP. Aleancës së fundmi iu bashkua "Partia e Mirëqenies së Re", që buron nga ideologjia islamike Milli Görüs. Veç kësaj aleanca e Erdoganit mbështetet nga partia islamike radikale pro-kurde HÜDAPAR, e afërt me organizatën terroriste turke Hezbollah. Disa komunitete myslimane ortodokse me shumë anëtarë gjithashtu bëjnë hapur publicitet për Erdoganin dhe aleancën e tij, pasi gëzojnë shumë privilegje nën presidentin Erdogan dhe rrezikojnë t'i humbin ato përndryshe.

Aleanca më e madhe opozitare përbëhet nga gjashtë parti me prejardhje shumë të ndryshme politike. Kandidati presidencial i saj, Kemal Kilicdaroglu, i cili dinte t'i bashkonte, gëzon respektin e shumë kritikëve të qeverisë. Për Kiliçdaroglun është edhe aleanca kurdo-socialiste "Aleanca për Punë dhe Liri".

Kryesorja në këtë aleance të tretë është partia pro-kurde HDP. Kundër saj është në vazhdim një proces gjyqësor për ta ndaluar. Mijëra anëtarë të saj janë në burg për terrorizëm dhe pothuajse të gjithë kryebashkiakët e HDP-së janë shkarkuar.

Ish-kreu i partisë Selahattin Demirtas, i burgosur prej shtatë vjetësh në një burg të sigurisë së lartë zhvillon një fushatë efektive nga burgu kundër Erdoganit dhe qeverisë së tij. Ai i dërgon mesazhet e tij publikut përmes avokatëve të tij, të cilat gjithashtu përcaktojnë pjesërisht zhvillimin e fushatës zgjedhore, veçanërisht në lidhje me çështjen kurde.

Sa votues me të drejtë vote ka?

Sipas shifrave zyrtare, në zgjedhjet e 14 majit kanë të drejtë të votojnë më shumë se 64.1 milionë njerëz. Midis tyre, më shumë se 3.4 milionë jetojnë jashtë vendit. Për sa i përket peshës, votat e nga jashtë vendit vijnë kështu në vendin e katërt pas metropoleve më të mëdha turke Stamboll, Ankara dhe Izmir. Votimi jashtë vendit filloi më 27 prill.

Në zgjedhjet e vitit 2018, pjesëmarrja në Turqi ishte mbi 86%, ndërsa jashtë saj ishte rreth 50%.

Mbeshtetes te partise kurde HDP
Fotografi: Francisco Seco/AP Photo/picture alliance

Me rreth 53%, Erdogani fitoi presidencën në raundin e parë në 2018 dhe aleanca e tij elektorale mori pothuajse 54% të votave të vlefshme në Turqi. Jashtë vendit, Erdogani dhe aleanca e tij elektorale kanë pasur më shumë sukses, të dy duke fituar më shumë se 60% në mesin e turqve që jetojnë jashtë vendit.

Sipas autoritetit zgjedhor turk, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe legjislative kanë të drejtë të votojnë 167.000 sirianë. Kjo pasohet nga 23.000 vetë nga Afganistani, 21.000 vetë nga Irani, 16.000 vetë nga Iraku dhe 6000 vetë nga Libia. Me përjashtim të HDP-së pro-kurde, të gjitha partitë konkurrojnë me një premtim zgjedhor për t'i kthyer refugjatët sa më shpejt të jetë e mundur andej nga kanë ardhur.

Fushata dhe retorika

Për shkak të tërmeteve të forta të shkurtit dhe muajit të agjërimit të Ramazanit, fushata zgjedhore ka nisur me vonesë këtë herë. Aleanca më e madhe opozitare, me kandidatin e saj presidencial Kemal Kilicdaroglu, ka vetëm disa javë që është në ofensivë.

Erdogani po e zhvillon fushatën e tij elektorale më shumë me përurimin e projekteve të mëdha shtetërore, si prezantimi i aeroplanmbajtëses së parë apo inaugurimin e termocentralit të parë bërthamor në tokën turke falë teknologjisë ruse. Por ai nuk ndalet edhe në paraqitjet në oborret e xhamive, i pëlqen të mbështetet edhe në lajme të rreme.

Media, me të gjitha kanalet, është plotësisht në linjë me qeverinë. Kompania shtetërore e radios dhe televizionit TRT dhe agjencia e lajmeve Anadolu e shoqërojnë Erdoganin dhe aleatët e tij në çdo hap. Sipas opozitës, ata kanë pasur 3600 minuta kohë transmetimi gjatë katër javëve të fundit. Kurse opozita ka pasur vetëm 42 minuta - vetëm për pasqyrim negativ.

 

Një grua me flokë të gjata, e ulur përpara një bibloteke.
Elmas Topcu Hulumtuese, redaktore, me fokus të veçantë te Turqia dhe lidhjet me Gjermaninë@TopcuElmas