1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Shqipëri aktive dhe konkurruese, por ndikoi mosbesimi

Arben Muka24 Qershor 2013

Ekipi i vëzhguesve ndërkombëtarë publikon raportin e parë paraprak për procesin zgjedhor në Shqipëri, duke u angazhuar se do ta ndjekë deri në fund fazën e numërimit të votave

https://p.dw.com/p/18vIN
Fotografi: Arben Muka

Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, OSBE/ODIHR, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, APKE dhe Asambleja Parlamentare e OSBE-së, OSBE AP, ishin në akord të plotë me vlerësimet e tyre paraprake për procesin zgjedhor të 23 qershorit 2013. Me një gjuhë të kujdesshme dhe duke lënë hapur mjaft çështje që janë ende në zhvillim në këtë proces zgjedhor, ekipi i ndërkombëtarëve i cilësoi votimet e së dielës si "konkurruese me pjesamrrje aktive të qytetarëve gjatë gjithë fushatës elektorale dhe respekt të mirëfilltë për liritë themelore."

Gazetarët e pranishëm insistuan për një përcaktim të qartë nëse zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ishin të lira dhe të drejta, por drejtuesit e tre instucioneve përbërëse në ekipin e vëzhguesve lanë të nënkuptohet se ka hap përpara në raport me zgjedhjet e mëparshme, por në të njëjtën kohë është i nevojshëm një angazhim mes palëve për përmirësime të tjera. Sipas tyre është koha që udhëheqësit politikë të vijojnë punën pasi progresi i zgjedhjeve nuk ka përfunduar.

Roberto Batelli në pozitën e bashkëkoordinatorit special për vazhguesit afatshkurtër të OSBE-së i përshkroi votimet e së dielës si shumë të rëndësishme dhe tashmë është momenti që "drejtuesit politikë të vendit duhet të dëgjojnë verdiktin e popullit." Pjesmarrjen e lartë në ditën e votimeve, që sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Tiranë shkonte në rreth 54 përqind, Batelli, e konsideroi si një etje të qytetarëve "për të shprehur vullnetin e tyre dhe ata nuk duhet të mbahen peng nga politika. Politika është pjesë kyçe e zgjedhjeve, por në një farë mënyre politikat e partive kanë rezultuar të jenë të dëmshme ashtu si dhe në të shkuarën."

Mungesa e besimit mes partive njollosi atmosferën zgjedhore

Një nga rezultatet paraprake të ekipit të vëzhguesve ndërkombëtarë lidhej me mungesën e besimit mes aktorëve politikë në Shqipëri, si pasojë direkte e së cilës ishte mënyra e funksionimit të KQZ-së, që punon me 4 nga 7 anëtarët e saj, të gjitha përfaqësues të mazhorancës. Kjo, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, cënoi punën e administrimit të zgjedhjeve dhe kërcënoi ecurinë e qetë të zgjedhjeve.

"Përshtypja se KQZ veproi në mënyrë politike u përforcua nga vendimi i saj për të rikompozuar komisionet zgjedhore në nivelet më të ulta", thuhej në raportin paraprak. Mënyra se si bënë fushatë subjektet politike dhe kandidatët u konsiderua si në një klimë përgjithësisht paqësore me raste të shkëputura incidentesh. Por ajo që zinte një pjesë të dukshme në raportin paraprak ishte ngjarja e Lacit, me një të vrarë dhe dy të plagosur me armë zjarri, si nja ngjarje tragjik që për fat mbeti e izoluar për pjesën tjetër të procesit.

Jemi duke e monitoruar fazën e numërimit të votave

Të ngadaltë, me zvarritje, por pa probleme serioze e kanë përshkruar procesin e numërimit të votave vëzhguesit ndërkombëtare. Deri në momentin kur ata publikuan raportin e parë paraprak procesi i numërimit ishte për rreth 25 përqind të kutive të votimit. Por pjesa e misionit të OSBE ODIHR që është me status afatgjat, sipas shefes së tyre Conny McCormak, do të jetë prezente në të gjitha qendrat zgjedhore të administrimit zonal, për të ndjekur hap pas hapi atë që ndodh në terren.

Duke u nisur nga ajo që ka ndodhur në zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri, kur procesi i numërimit është shoqëruar me parregullsi të shumta, McCormak paralajmëroi se cdo gjetje në këtë fazë do të përfshihet në raportin përfundimtar të ekipit të vëzhguesve ndërkombëtarë.

"Zgjedhësit kanë të drejtë të shpresojnë për zgjedhje që janë të administruara në mënyrë profesionale dhe të panashme" - u shpreh ajo. Kurse Julio Suares, që përfaqësonte Asamblenë Parlamentare të OSBE-së ishte shumë i drejtëpërdrejtë në apelin për forcat politike kur tha se "duke mos caktuar numërues që të numërojnë menjëherë votat, partitë po i lënë votuesit në pritje të rezultatit për këto zgjedhje, pa qenë e nevojshme. Kjo nuk është e drejtë për votuesit dhe për demokracione shqiptare."

Ekipi i vëzhguesve ndërkombëtarë e ka vlerësuar Shqipërinë si një vend i rrallë, ku akti i nxjerrjes së rezultateve merr shumë kohë dhe komplikohet nga menyra se si interferojnë përfaqësuesit politikë.

Albanien Wahl Auszählung
Fotografi: DW/Arben Muka

Media e shumëllojshme, por e politizuar

Një vend të veçantë në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë zinte dhe performanca e medias në mbulimin e të gjithë procesit zgjedhor deri më tani. Sipas raportit pavarësia editoriale është penguar nga ndikimet politike. Jo vetëm mediat elektronike dhe ato print kanë luajtur rol në informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve. Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë "interneti përbën një hapësirë të gjerë për debate publike".

Por një nga kritikat e rrepta që lidhej me median ishte fakti që KQZ nxorri një vendim që detyronte redaksitë të emetonin materiale që ishin përgatitur nga subjektet politike. "Ky vendim cënoi rëndë lirinë editoriale, tejkaloi fuqinë rregullatore të KQZ-së dhe është në kundërshtim me angazhimet e OSBE-së dhe angazhimet e Këshillit të Europës", thuhej në vlerësimet paraprake, duke evidentuar aspektin se në këtë mënyrë u kufizua aksesi i shikuesve për raportime të pavarura.