1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Hessen

Auron Dodi19 Janar 2009

Përsëritja e zgjedhjeve në landin gjerman të Hessenit nxorri fitimtarë kristjandemokratët me Roland Koch-un në krye dhe liberalët. Partia socialdemokrate SPD, pësoi një humbje të thellë.

https://p.dw.com/p/GbJo
Kancelarja Angela Merkel, përgëzon kryeministrin e Hesenit Roland Koch, 19 janar 2009.
Kancelarja Angela Merkel, përgëzon kryeministrin e Hesenit Roland Koch, 19 janar 2009.Fotografi: AP

Fitore e qartë për kristjandemokratët e CDU-së dhe liberalët e FDP-së dhe humbje historike për socialdemokratët e SPD-së - ky është rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Landin e Hesenit. Një vit pas humbjes së zgjedhjeve në këtë land, kryeministri i CDU-së, Roland Koch mund të vazhdojë sërish qeverisjen. Megjithatë, koalicioni i forcave konservatore bëhet i mundur vetëm për shkak të liberalëve, të cilët dolën shumë më të fortë nga zgjedhjet.

Andrea Ypsilanti duke shkuar për të dhënë dorëheqjen pas zgjedhjeve të djelën, 18 janar 2009
Andrea Ypsilanti duke shkuar për të dhënë dorëheqjen pas zgjedhjeve të djelën, 18 janar 2009Fotografi: AP


Kryeministri i Hessenit, Roland Koch, deklaroi në Vizbaden krijimin e një koalicioni të shpejtë qeveritar me FDP: "Fantazma i përket së kaluarës, "raportet si të Hessen-it" nuk ekzistojnë më. Në Hessen ka sërish shumica të qarta qeverisëse."


Sipas rezultateve të publikuara deri në mbrëmje, CDU-ja e përmirësoi me më pak se 1 % rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Ajo mori 37,2 përqind të votave, nga 36,8 përqind në vitin 2008. Ndërsa demokratët e lirë të FDP-së shtuan rreth shtatë pikë, duke marrë rreth 16,6 përqind të votave (nga 9,4 përqind në vitin 2008). Socialdemokratët humbën aq, sa kurrë më parë në këtë land, rreth 13 pikë, duke marrë rreth 23,9 përqind të votave, në vend të 36,7 përqind një vit më parë.

Kryetari i FDP-së Guido Westerwelle, 18 janar 2009
Kryetari i FDP-së Guido Westerwelle, 18 janar 2009Fotografi: AP

Në dhjetë muajt e shkuar, Heseni, njëri nga landet me mirëqenie më të lartë në Gjermani, ku bën pjesë edhe Frankfurti, qendra financiare e Gjermanisë, u qeveris nga një qeveri në detyrë. Kryetarja e socialdemokratëve të Hesenit, Andrea Ypsilanti, u përpoq pa sukses më 2008 të krijonte një shumicë qeverisëse, me mbështetjen e Partisë së Majtë. Kjo i polarizoi raportet politike të socialdemokratëve në land dhe në të gjithë Gjermaninë, pasi një bashkëpunim me Të Majtët konsiderohej, ose konsiderohet nga Partia Socialdemokrate Gjermane si shkarje në pozita ideologjike të papranueshme. Disa prova për formimin e qeverisë dështuan për shkak të mungesës së mbështetjes nga vetë fraksioni socialdemokrat në parlament dhe sollën zgjedhje të reja.

Ypsilanti pranoi të dielën përgjegjësinë për humbje dhe dha dorëheqjen: "Unë e falenderoj (kandidatin socialdemokrat) Thorsten Schefer- Gümbel, i cili e pranoi kandidaturën për këto zgjedhje, në një gjendje fillestare tepër të vështirë. Me këtë ai konfirmoi cilësinë e tij drejtuese, me të cilën organet e partisë e propozojnë atë si kryetar të ri fraksioni dhe kryetar të ri të partisë në land."

Kandidati kryesor i SPD-së, Thorsten Schaefer-Guembel
Kandidati kryesor i SPD-së, Thorsten Schaefer-GuembelFotografi: AP

Të Gjelbrit fituan rreth 14,1 përqind të votave, kurse Partia e Majtë u fut në parlamentin e landit, me 5,2 përqind të votave.


Sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Roland Pofalla e përshëndeti rezultatin e zgjedhjeve si një "projekt të mrekullueshëm" për vitin e superzgjedhjeve 2009: "Ky sukses në zgjedhje jep vrull dhe mbështetje krahësh në vitin e superzgjedhjeve. Partia Socialdemokrate shënoi rezultatin më të dobët në historinë e socialdemokratëve të Hesenit. Kjo është fatura për thyerjen e fjalës nga zonja Ypsilanti".


4,4 milionë votuesit e Hesenit ndryshuan me votën e tyre edhe raportet në Bundesrat, në Dhomën e Landeve në Gjermani. Partitë unioniste dhe socialdemokratët humbasin kështu shumicën në Dhomën e Landeve. Por ky, rezultat shton shanset e presidentit aktual të Gjermanisë, Horst Köhler për t'u rizgjedhur në post: më 23 maj, kristjandemokratët dhe liberalët mund të dërgojnë më shumë përfaqësues në Asamblenë Federale, duke e shtuar mbështetjen për Köhler-in.

(aca)