1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në dy lande gjermane, në kohën e Coronës

13 Mars 2021

Në mes të pandemisë zhvillohen në fundjavë zgjedhjet në dy lande të Gjermanisë - në Baden-Vyrtemberg dhe në Rajnland-Pflac. Këto zgjedhje kanë rëndësi të madhe edhe për zgjedhjet federale.

https://p.dw.com/p/3qQOg
Deutschland Bundesparteitag der Grünen l  Winfried Kretschmann
Winfried KretschmannFotografi: picture-alliance/dpa/G. Kirchner

Një gjë është e sigurt: E diela do të jetë një ditë zgjedhore si kurrë më parë në Gjermani. Nga frika e infeksioneve të mëtejshme nga Corona në pikat e votimeve do të ketë më pak njerëz se kurrë më parë, sepse shumë banorë të Baden-Vyrtembergut dhe Rajnland-Pfalcit kanë votuar dhe po votojnë me postë.

Kështu për shembull, një zëdhënës i qytetit të Heidelbergut në Baden-Vyrtemberg tha: "Ne presim që rreth 50 përqind e votuesve të votojnë me postë". Në qendrat e votimeve me siguri që do të ketë njerëz të vetmuar. Pandemia është e pranishme gjithandej.

CDU mund të ketë probleme

Gati 11 milion vetë kanë të drejtë vote në dy zgjedhjet e para të këtij viti. Votat mund të shërbejnë edhe si një tregues për rezultatin e zgjedhjeve federale që do të mbahen në vjeshtë. Në sondazhet e fundit thuhet se të dy kryeministrat e landeve mund të konfirmohen në postet e tyre.

Por mund të pritet një goditje për partinë CDU të kancelares Angela Merkel, e cila ka vendosur që në vjeshtë të mos kandidojë më për poste politike.

Ekologjisti si - babai i landit

Ekologjisti Winfried Kretschmann është në krye të landit Baden-Vyrtemberg për dhjetë vjet me radhë, fillimisht me partinë SPD, e pesë vjet më vonë me CDU. Ai është kryeministri i vetëm tani nga partia e të Gjelbërve në Gjermani. Në sondazhet e fundit thuhet se "babai i landit" do të fitojë rreth 35 përqind të votave.

Para disa vitesh në një intervistë për DW, Kretschmann paraqiti moton e tij: "Së pari vijnë landi dhe banorët e tij, e pastaj çdo gjë tjetër, si për shembull mendimi personal apo partia. Ky është parimi im."

Pa frikë nga konservatorët

Kretschmann ka fituar pikë politike nga popullariteti personal. Në vendin e automobilëve, industrisë dhe verës, ai me sukses përgënjeshtroi pohimet se një ekologjist do të shkatërronte ekonominë. Kretschmann është një njeri me këmbë në tokë, i mesit qytetar, që ka raporte të mira mes tjerësh edhe me personat si kryeministri i CSU, Markus Söder nga Bavaria.

Kryeministri i Baden-Wyrtemberg vlerësoi politikën e kancelares Merkel për refugjatët në vitet 2015 dhe 2016 dhe e ka mbështetur kursin e qeverisë federale në pandemi. Nëse ai zgjidhet përsëri si kryeministër në këtë land, do të ishte ky një sinjal i fortë për një koalicion të mundshëm mes partisë ekologjiste dhe konservatorëve edhe në Berlin, në nivelin federal.

Rheinland-Pfalz Ministerpräsidentin Malu Dreyer
Malu DreyerFotografi: Thomas Frey/dpa/picture alliance

Malu Dreyer (SPD) para fitores së re?

Edhe në Rajland-Pfalc duket se do të fitojë kryeministrja e tanishme Malu Dreyer nga partia socialdemokrate. Ajo ka qeverisur landin Renani-Palatinë prej vitit 2013. Në vitin 2016 ajo e ka mundur kandidaten rivale nga CDU, ministren e sotme të Bujqësisë, Julia Klöckner, ndonëse thuhej se ajo ishte favorite.

Dreyer angazhohet për një kurs objektiv dhe afërsi me qytetarin - me sukses. Në mbrëmjen e zgjedhjeve të fundit, ajo memzi e besonte suksesin e saj: "Ne mund të jemi të lumtur. SPD në Rajland-Pfalc është kthyer vërtet me forcë, si dikur. Ne ia dolëm dhe ne jemi vërtet të fortë, shumë të fortë. Ne kemi shënuar një fitore, të cilën as që kemi mundur ta ëndërrojmë".

Dreyer figura kryesore

Dreyer llogaritet sikur edhe Kretschmann si një politikane më këmbë në tokë dhe i eviton tonet e ashpra. Ajo është një shenjë shprese për partinë SPD, e cila në sondazhet për zgjedhjet federale do të fitonte tani rreth 15 përqind të votave, shumë më pak sesa të Gjelbërit dhe konservatorët e CDU/CSU.

Por në sondazhe thuhet se socialdemokratët mund të fitojnë në Rajland-Pfalc rreth 33 përqind të votave. Nëse kjo konfirmohet edhe në zgjedhje, Dreyer mund të vazhdojë koalicionin e saj me të Gjelbrit dhe liberalët (FDP). Për SPD do të ishte kjo një shenjë se pjesë të mëdha të popullit ende mund të votojnë socialdemokratët, nëse ata kanë kandidatët e duhur.

Wahlplakat Baden-Württemberg CDU Landtagswahl 2021
Fotografi: Arnulf Hettrich/imago images

Fushata zgjedhore online, në kohën e Coronës

Në të dy landet, kjo fushatë zgjedhore është dominuar nga pandemia Corona. Partitë kanë kërkuar vota kryesisht në internet. Kretschmann dhe Dreyer mund të fitojnë vota edhe për shkak të kritikave të fundit ndaj punës së qeverisë federale të udhëhequr nga CDU në luftën kundër pandemive Corona.

Në një intervistë për DW, kryeministrja përshkruan ndryshimin e jetës së saj të përditshme, prej futjes në përdorim të maskave, distancës dhe bllokadave: "Koha më e madhe e ditës ka të bëjë me aktivitetet qeveritare për Coronën. Një kohë vërtet shumë e madhe, ndërkohë që duhet të merrem edhe me fushatë elektorale. Por kjo është një kohë shumë e veçantë dhe nuk më duhet të udhëtojë nëpër gjithë landin".

Afera e maskave dëmton CDU-në

Kretschmann und Dreyer, janë pjesë e konferencave të shumta të kancelares Merkel për Coronën. Ata janë pjesë e vendimeve edhe për mbylljen e vendit, me të cilat është kufizuar liria e lëvizjes së njerëzve.

Por me sa duket, kjo nuk e ka dëmtuar imazhin e tyre. Ndërsa aferat e fundit të dy deputetëve konservatorë me maskat në Gjermani, duket se po dëmton imazhin e partive CDU dhe CSU. E kjo mund të ndihmojë edhe fitoren e Kretschmannit dhe Dreyer.