1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me cilat programe partitë gjermane po tërheqin votuesit

6 Qershor 2024

Cilat janë qëndrimet e partive gjermane në zgjedhjet evropiane? Dhe ku janë dallimet më të mëdha në ofertat e këtyre partive?

https://p.dw.com/p/4giHu
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian
Zgjedhjet për Parlamentin EvropianFotografi: Panama Pictures/imago images

Gjithsej 35 parti dhe koalicione garojnë për zgjedhjet evropiane të 9 qershorit në Gjermani. Programet e tyre shpjegojnë se çfarë përfaqësojnë dhe çfarë duan të arrijnë ato. Të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlamentin e BE-së, javët e kaluara shpallën programet e tyre për zgjedhjet evropiane. Disa janë të shkurtra, ndërsa të tjerat i paraqesin pozicionet dhe synimet e tyre deri në 150 faqe. Por të gjithë duan të bindin votuesit dhe të fitojnë votat e tyre. Zgjedhjet zhvillohen në nivel kombëtar, por sapo zgjidhen anëtarët e Parlamentit Evropian, shumica e partive kombëtare i bashkohen njërit prej shtatë grupeve parlamentare në Parlamentin Evropian, brenda të cilit bashkëpunojnë politikisht. Në PE ekzistojnë grupi parlamentar i deputetëve kristiandemokratë të mbledhur në Partinë Popullore Evropiane (EVP), grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, ose Grupit Renew Europe, i cili bashkon partitë liberale të Evropës. Duke krahasuar programet e tyre në shtatë fusha tematike, do të tregojmë pozicionin e këtyre partive: CDU/CSU, Të Gjelbrit, SPD, AfD, E Majta, FDP, Votuesit e Lirë, Partia, ÖDP, Piratët, Volt, Partia e Familjes, Partia për Mbrojtjen e Kafshëve, si dhe Aleanca Sahra Wagenknecht.

Pllakatet e partive
Pllakatet e partiveFotografi: JOHN MACDOUGALL/AFP/Getty Images

Programet dhe dallimete mëdha

Dallimet në programe janë pjesërisht të mëdha. Por edhe partitë që fillimisht ishin parti të përqendruara tek një çështje - si Partia e Mirëqenies së Kafshëve ose Partia e Familjes - kanë ndërtuar kryesisht programe gjithëpërfshirëse. Sidomos partitë më të vogla si Volt apo ÖDP, të cilat nuk janë të përfaqësuara në Bundestagun gjerman, u morën në detaje me politikën evropiane në programe shumë të gjëra. Se sa të ndryshme janë qëndrimet e partive, mund të shihet në shembullin e politikës klimatike: Në aspektin sasior, pothuajse të gjitha i kushtojnë vëmendje të madhe kësaj teme. Të Gjelbrit, të Majtët, ÖDP dhe Volt e bëjnë këtë më së shumti dhe kanë planet më ambicioze për të arritur neutralitetin klimatik. Partitë e Unionit dhe SPD konfirmojnë planin kohor tashmë të rënë dakord deri në vitin 2045 dhe qëndrojnë për "Marrëveshjen e Gjelbër" të Bashkimit Evropian. Edhe FDP (liberalët) kanë këto synime, por kjo parti qëndron për hapje më të madhe ndaj teknologjive moderne dhe reduktimin e burokracisë. Alternativa për Gjermaninë, AfD, nga ana tjetër, dëshiron të shfuqizojë të gjitha ligjet për mbrojtjen e klimës nga Brukseli, pa asnjë alternativë.

Ekologjistët, CDU, SPD, FDP, E Majta...
Ekologjistët, CDU, SPD, FDP, E Majta... Fotografi: dts-Agentur/picture alliance

AfD shquhet edhe për çështje të tjera politike: Refuzon Bashkimin Evropian si një "projekt të dështuar" dhe dëshiron të kthehet në Bashkimin e Shteteve të Evropës, i cili do të rifitonte pjesërisht juridiksionin ekskluziv mbi tema të tilla si politika e azilit dhe migracionit. Programi i tyre zgjedhor për BE-në kërkon kryesisht "kufizim" - mbi të gjitha "qendrat e fuqisë së Brukselit" dhe mbi numrin e emigrantëve. Ka dallime të mëdha edhe në pyetjen nëse BE-ja duhet të përdorë armë për të mbështetur Ukrainën, e cila u sulmua nga Rusia.

Partitë në pushtet në Gjermani: SPD, të Gjelbrit dhe FDP, si dhe opozita CDU/CSU - mbështesin Ukrainën, edhe pse me thekse të ndryshme. Shumë parti të tjera kanë plane të ndryshme. Kufizimet në mbështetjen humanitare dhe një angazhim i fortë diplomatik për negociatat e paqes kërkohen jo vetëm nga AfD, por edhe nga Aleanca Sahra Wagenknecht dhe e Majta në programet e tyre për zgjedhjet në BE.

Dallimet mes partive dhe programeve

 Sahra Wagenknecht BSW
Sahra Wagenknecht BSWFotografi: picture alliance/dpa/Revierfoto

Ky krahasim programor përfshin ato parti nga Gjermania, të cilat u zgjodhën në zgjedhjet evropiane pesë vjet më parë. Sipas parimit të barazisë proporcionale të shanseve, krahas rezultateve të zgjedhjeve të mëparshme evropiane, janë marrë parasysh edhe shanset e partive të bazuara në sondazhet përfaqësuese, pra hulumtimi i opinionit publik para zgjedhjeve evropiane të vitit 2024.

Aleanca e sapothemeluar Sahra Wagenknecht (BSW) ka arritur rezultate të konsiderueshme në sondazhet e muajve të fundit dhe për këtë arsye është përfshirë edhe në këtë krahasim të programeve. Baza e krahasimit janë programet për zgjedhjet evropiane 2024 të CDU/CSU, të Gjelbrit, SPD, AfD, E Majta, FDP, Votuesit e Lirë, Partia, ÖDP, Piratët, Volt, Partia e Familjes, Partisë për Mbrojtjen e Kafshëve dhe Lista e Sahra Wagenknecht. Por janë bërë edhe analiza të partive të tjera, të cilat kanë rezultate më modeste në sondazhet për këto zgjedhje.

Volt
VoltFotografi: Oliver Zimmermann/picture alliance/foto2press

Programet elektorale të partive janë me gjatësi të ndryshme, të strukturuara në forma të ndryshme dhe me thekse të ndryshme. Por më së shumti vëmendje u është kushtuar temave më madhore që diskutohen më së shumti në opinion, siç janë parimet e BE, e ardhmja e BE, migrantët, Ukraina dhe tema të tjera. Votimet për PE në Gjermani mbahen me 9 qershor.

Partia për Mbrojtjen e Kafshëve
Partia për Mbrojtjen e KafshëveFotografi: picture alliance/Wolfgang Minich