Turqi: Opozita prin në zgjedhjet lokale në qytetet kryesore
31 Mars 2024Sipas mediave lokale kandidati i opozitës dhe kryebashkiaku aktual i Stambollit, Ekrem Imamoglu, kryeson në zgjedhjet lokale në Turqi.
Sipas radio-televizionit shtetëror TRT NTV pas numërimit të 76% të votave në qytetin më të madh të vendit partia kryesore opozitare e vendit, Partia Popullore Republikane (CHP) ka fituar mbi 50% të tyre.
Opozita optimiste pas rezultateve paraprake
"Bazuar në të dhënat që kemi marrë, mund të them se besimi i qytetarëve tek ne është shpërblyer," u tha Imamoglu gazetarëve në selinë e CHP-së në Stamboll.
Murat Kurum, kandidati i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, që drejton në nivel kombëtar, ka marrë më pak se 41%. të votave.
Në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, kandidati i CHP kryeson me afro 59% kurse kandidati i partisë në pushtet kishte fituar 33% nga 53% e votave të numëruara.
Kandidati i CHP-së, kryebashkiaku Mansur Yavas, shpalli fitoren, duke thënë se "zgjedhjet kanë përfunduar dhe ne do të vazhdojmë t'i shërbejmë Ankarasë".
Sipas rezultateve paraprake të njoftuara nga radio-televizioni shtetëror TRT partia CHP kryeson gjithashtu në qytetin e tretë më të madh të Turqisë, Izmir, dhe duket se do të fitojë shumicën e votave edhe në 36 nga 81 provincat e vendit.
Rreth 61 milionë vetë, ndër ta më shumë se një milion persona që votonin për herë të parë, kishin të drejtë vote për të gjitha bashkitë metropolitane, kryebashkiakët e qyteteve dhe të rretheve, si dhe administratat e lagjeve.
Agjencia shtetërore Anadolu njoftoi se pjesëmarrja në votime ishte rreth 76%.