Gratë dhe zgjedhjet në Shqipëri
20 Qershor 2013Në Shqipëri zgjedhjet e kaluara 2009, sollën numrin më të madh të grave kandidate dhe që u zgjodhën. Kuvendi kishte 23 gra nga 140 deputetë, pra 16.4 për qind. Duke pasur parasysh edhe faktin se ambienti politik historikisht ka qenë domen i burrave, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, këto shifra duken pozitive. Në shekullin e fundit e këtej ka një lëvizje tepër të madhe të grave për të qenë edhe ato pjesë e pushtetit. Shembull për këtë është edhe Gjermania, ku për herë të parë u zgjodh si kancelare një grua. Madje sot Angela Merkel është cilësuar edhe si gruaja më e fuqishme në botë.
Në prag të zgjedhjeve më 23 qershor, gratë në Shqipëri u bënë pjesë e pandarë e fushatës elektorale të secilës parti, si kandidate për deputete ndonëse jo edhe në poste drejtuese. Për një vemendje më shumë ndaj kësaj pjese të shoqërisë flasin edhe vetë programet e çdo partie politike. Ja si e kanë pasqyruar dy partitë më të mëdha:
(PD):Partia Demokratike do të vazhdojë reformat dhe politikat mbështetëse për rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe institucionale të vendit. Ne do të mbështesim konsolidimin e praktikave të punësimit, të cilat mbrojnë gratë nga diskriminimi dhe u garantojnë atyre të drejtën për të avancuar në karrierën e tyre profesionale.
(PS): Angazhimi i Partisë Socilaiste: Fuqizim real i grave dhe i vajzave dhe mundësi të barabarta për të gjithë gratë dhe burrat, duke kthyer në realitet barazinë gjinore në çdo aspekt të jetës. Zbatim real i kuotës së përfaqësimit 30% të grave dhe vajzave në institucionet e zgjedhura dhe të emëruara.
Në fakt roli i grave në vendimmarrje sot po rritet me shifra rekord në mbarë botën, duke arritur një mesatare 18,4 për qind të vendeve në asambletë kombëtare. Gjithnjë e më shumë ato po i përdorin votat për të fuqizuar ndikimin e tyre. Kjo prirje botërore ndjehet edhe në Shqipëri. Por pse është e rëndësishme të ketë një pjesëmarrje më të madhe të grave në vendimmamrrje?
Gratë me vizion më të qartë për botën
“Mbi të gjitha është e rëndësishme, sepse kemi të bëjmë me gati gjysmën e popullsisë pothuajse në çdo vend, pra rreth 50 për qind e popullsisë që duhet përfaqësuar, por edhe sepse gratë kanë një një tjetër vizion apo ndjeshmëri për botën, që shpesh herë mungon në një politikë të dominuar nga burrat dhe që në një farë mënyre e deformon përfaqësimin e interesave të të gjithë shoqërisë”, thotë aktivistja gjermane nga Instituti për të drejtat e grave, Petra Follmar.
Të dhënat globale tregojnë se parashikimi me ligj i kuotave të pjesëmarrjes është i mirë sepse jep rezultatet të menjëhershme në rritjen e numrit të grave dhe vajzave. Kuotat janë një normë pjesëmarrjeje, një masë e posaçme me karakter të përkohshëm por mbi të gjitha janë një çështje e dhënies së mundësisë. Por roli i grave në jetën publike ende frenohet nga paragjykimet dhe praktikat diskriminuese. Megjithatë politkanët në Shqipëri janë të vetëdijshme se nuk janë të vetmet që përballojnë të tilla probleme.
Sipas deputetes socialiste Mimi Kodheli,” Gratë duhet ta fitojnë vetë këtë status dhe mos ta presin nga shoqëria në përgjithësi dhe aq më tepër nga meshkujt. Kjo është shumë e rëndësishme që çdo grua, të qenit në politikë apo në një pozicion drejtues duhet vetë ta ndjejnë dhe ta përjetojnë duke pasur parasysh këtë rreth. Padyshim që pengesat janë nga më të ndryshmet. Por partitë politike luajnë një rol thelbësor për ndryshimin e perceptimeve të shoqërisë”.
Aktivistja gjermane për të drejtat e grave Follmar mendon se shoqëria është më e shëndetshme nëse gratë janë në pushtet. “Gratë janë ato që prekin varfërinë, më shumë se kushdo tjetër, pavërësisht se jetojnë bashkë në një familje. Janë gratë ato që problemet mund t'i sjellin më mirë në politikë si: probleme të edukimit, probleme të shëndetit që janë themelore në qoftë se një shoqëri do që të zhvillohet. Politika është një përgjegjësi të cilën kur e merr duhet ta çosh deri në fund. Ajo është një kontribut për shoqërinë. Dhe shoqëria është më e shëndetshme nëse gratë janë në pushtet”.
Vetë gratë - optimiste për forcën e tyre
Të bërit politikë dhe angazhimi në politikë nuk është gjë e thjeshtë, por jo e pamundur. Që të merresh me politkë vecanërisht kur je grua dhe duke jetuar në një vend siç është Shqipëra, pra një vend që nuk t'i ofron të gjitha mundësitë për angazhimin në politikë, duhet pa dyshim të sakrifikosh nga vetja. Shembull për këtë është Jozefina Topalli, një politikane e një karriere të gjatë si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë për tetë vjet dhe promovuese e fushatave të ndryshme si ajo e kancerit të gjirit, luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Ajo ka besim në forcën e gruas dhe këtë otpimizëm ajo e tregoi edhe gjatë fushatës zgjedhore. “Unë besoj në të gjithë forcën e gruas, unë besoj se gruaja ia del. Unë besoj se gruaja është më e fortë, më e sakrificës, më efiçiente. Unë mendoj se edhe më shumë gra duhet të jenë në politikë, në krye të biznesit, më shumë gra të jenë në çdo fushë, në art dhe kulturë, në fermë e kudo, në çdo fushë të jetës”.
Shoqëria shqiptare në përgjithësi i konsideron gratë si më pak të korruptuara, më të prirura për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të fëmijve, të varfërve apo të kategorive në nevojë. Pjesëmarrja e tyre në politikë po ashtu do ta afronte më shumë Shqipërinë në anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Këtë ndoshta votuesit do ta kenë më shumë parasysh kur të japin votën e tyre më 23 qershor.