Zgjedhje në Tyringi e Saksoni: Migrantët të shqetësuar
1 Shtator 2024Nuk ka shumë kohë që në tren asaj i ndodhi përsëri. Gjatë kontrollit të biletave, konduktorja i kërkoi të gjithë pasagjerëve të tregonin biletën e trenit. Vetëm Nour Al Zoubi ishte e vetmja që duhej të paraqiste identifikim shtesë. Përndryshe, e kërcënoi ajo do të thërriste menjëherë policinë. Situata si këto kanë qenë prej kohësh normale për gruan me origjinë siriane, e cila punon si konsulente në Këshillin e Refugjatëve të Tyringisë. "Racizmi është i përditshëm,” thotë ajo në një intervistë për Deutsche Welle. "Por pas gjashtë vitesh në Gera, jam mësuar me të dhe më së shumti di si të përballem ”.
Largimi nuk është zgjidhje për Al Zoubin, edhe nëse AfD, të cilën Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës në Gjermani e ka klasifikuar si të dëshmuar ekstremiste të krahut të djathtë, fiton zgjedhjet shtetërore në Tyringi. Ky land është tanimë vatra e saj, shpjegon punonjësja sociale, e cila në vitin 2020 mori çmimin e integrimit të qytetit 95 mijë banorësh të Gerës për projektin e gazetës për refugjatët. Pas incidentit në tren, dy gra të moshuara e mbështetën atë - ndoshta edhe kjo është arsyeja pse ajo ndjehet e inkurajuar të qëndrojë. "Numri i votuesve të AfD-së është rritur, por është rritur edhe numri i gjermanëve që janë pro një kulture mikpritëse”.
Al Zoubi njeh edhe njerëz që mendojnë të largohen nga Tyringia, nëse AfD fiton zgjedhjet. "Po jo të gjithë migrantët kanë mundësinë ta bëjnë këtë. Refugjatët dhe azilkërkuesit janë të detyruar të qëndrojnë në Tyringi për tre vjet për shkak të kufizimeve në vendqëndrim."
Frika e migrantëve
Toni ndaj emigrantëve është bërë gjithnjë e më i ashpër në land, dhe sulmi me thikë në Solingen javën e kaluar me tre të vdekur ka të ngjarë të ndezë edhe më shumë situatën kundër refugjatëve.
Për Al Zoubi, kjo do të thotë kujdes kur, si në dhjetor 2023, drejtuesi i degës së AfD-së për landin, Björn Höcke lejoi publikun në Gera të thërrasë parrulla naziste ose kur organizon çdo të hënë një marsh proteste nëpër rrugët e qytetit të vogël kundër migrimit. Çfarë e frikëson atë nëse ka një zhvendosje të qartë djathtas të dielën? "Ne pastaj do të përjetojmë edhe më shumë racizëm në hapësirat publike, në nivel më të lartë. Se nuk do të ketë vetëm sharje, por edhe dhunë fizike. Kjo është ajo që kam frikë, veçanërisht kur dëgjova se çfarë ndodhi në Southport në Britaninë e Madhe”.
Al Zoubi nuk është e vetme me këtë pesimizëm për të ardhmen. 150 kilometra më në lindje, Ismail Davul në Dresden ka po këto mendime. Ismail Davul ka lindur në Turqi, në Saksoni ai erdhi për të studiuar në vitin 2006 dhe punon në Këshillin e të Huajve të qytetit për gati njëmbëdhjetë vjet. Ai kujdeset kryesisht për emigrantët e rinj, por gjithashtu dëgjon shqetësimet e prindërve në takimet me ta. "Disa njerëz më kanë pyetur tashmë, në cilin drejtim po shkojnë gjërat këtu në Saksoni? Çfarë do të thotë nëse fiton AfD? A do të ndryshojë situata jonë e jetesës atëherë? Gjendja është shumë e qartë: njerëzit në fakt janë të gjithë të frikësuar."
Davul gjithashtu e di, se ka njerëz që duan të largohen nga Dresdeni, nëse AfD fiton zgjedhjet e landit në Saksoni. Ai dhe ekipi përpiqen të qetësojnë njerëzit, duke thënë, se partitë demokratike në këshillin e qytetit do të luftonin kundër zhvendosjes në ekstremin e djathtë, se situata nuk do të ndryshonte brenda natës dhe se Këshilli i të Huajve dhe shumë organizata të shoqërisë civile do të ishin ende në terren. Por tek realiteti i trishtuar bën pjesë, edhe se ka gjithnjë e më shumë sulme kundër emigrantëve, thotë punonjësi social për DW. "Në të kaluarën ishin raste shumë të rralla kur sulmohej një emigrant. Në atë kohë kishte edhe vëmendje shumë më të madhe mediatike që diçka e tillë të mos ndodhte. Reagimet që marrim sot janë se çdo ditë ndonjë emigrant apo emigrante sulmohet, ofendohet ose pështyhet për shkak të pamjes së jashtme, ngjyrës së lëkurës ose dialektit. Fatkeqësisht, kjo është pothuajse si e vetëkuptueshme sot në rrugë."
Partia që lufton migrantët do edhe votën e tyre
Ndërsa shumë emigrantë janë të shqetësuar për një fitore zgjedhore të AfD-së në Tyringi dhe Saksoni, ka të tjerë që duan të votojnë për partinë e ekstremit të djathtë. në pjesë të saj Pikërisht partia që vazhdimisht agjiton kundër refugjatëve dhe e ka bërë termin "Ri-migracion” të pranueshëm shoqërisht. Si përshtaten këto së bashku? AfD synon veçanërisht votuesit me origjinë turke që i ia japin votën Erdoganit dhe gjermanëve nga Rusia, tha për DW, Özgür Özvatan, një sociolog politik në Universitetin Humboldt në Berlin: "Mesazhi është, kryesisht të bëhen për vete njerëzit duke përdorur krenarinë e tyre kombëtare dhe se nuk është në thelb e gabuar ta kesh atë. Një video pro-Erdogan, për shembull, synon të arrijë rezonancë emocionale me njerëzit nga Turqia. Dhe për ruso-gjermanët narrativa është: Se atyre iu desh të hiqnin dorë nga gjuha e tyre, se u kërkohej të flisnin gjermanisht si duhet sa më shpejt që të ishte e mundur, se ata janë ende të padukshëm këtu dhe se duhet të hiqnin dorë nga gjithçka 30 vjet më parë."
Historia e AfD-së për votuesit emigrantë është: Ju duhej të punonit shumë për gjithçka në atë kohë, kurse refugjatëve të rinj gjithçka iu dhurohet. Kjo nuk i reziston asnjë kontrolli faktesh, shpjegon Özvatan, por i shërben të vërtetave të perceptuara personalisht si të tilla. AfD po bën fushatë masive për votat e migrantëve të rinj, veçanërisht në mediat sociale si Tiktok, me shumë para dhe gjithashtu me ndihmën e influencerave me origjinë migrante. Llogaria është e thjeshtë: vetëm me votat e njerëzve me prejardhje migrimi kjo parti mund të bëhet parti popullore, sipas politologut.
"AfD ka mësuar të shënjestrojë në platformat mediave sociale në mënyrë specifike grupet e synuara. Dhe e ka kuptuar shumë mirë që algoritmi i rekomandimeve lejon që pozicione pothuajse kontradiktore të përhapen në këtë botë të mediave sociale në të njëjtën kohë. Mbi të gjitha për partitë antidemokratike ka një avantazh strukturor konkurrues: përmbajtja e shkurtuar dhe e pasaktë ka një potencial më të lartë për virulencë."