1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje në sfondin e krizës së refugjatëve

12 Mars 2016

E gjithë Gjermania pret të dielën me ankth rezultatet e zgjedhjeve të para për landet, prej fillimit të krizës së refugjatëve. Sepse, si do të reagojnë zgjedhësit, kjo është më e pasigurtë se kurrë, mendon Felix Steiner.

https://p.dw.com/p/1IBsQ
Bundeskanzlerin Angela Merkel
Fotografi: picture-alliance/dpa/H. Tittel

Rrallë kanë qenë zgjedhjet për parlamentet e landeve kaq të ngarkuara me politikën federale sa këtë të diel. Edhe jashtë Gjermanisë janë kureshtarë të mësojnë: a do të ndëshkohet CDU-ja e Angela Merkelit për hapjen e kufijve para më shumë se një gjysmë viti? Dhe nëse po, kush do të përfitojë nga humbjet? A do të ketë në të ardhmen në Gjermani një parti të fortë të drejtuar kundër të huajve dhe BE?

Tensioni është i madh edhe sepse praktikisht nuk mund të parashikosh asgjë me siguri për këto zgjedhje. Në asnjërin nga tri landet federale nuk parashikohet që të ketë fitimtarë të qartë - as për koalicionet në pushtet, dhe as për formacionet e dëshiruara të ish-opozitës së deritashme. Dhe ndryshimet përballë zgjedhjeve më të fundit janë vende vende të mëdha. Vullneti i gjermanëve për të votuar është vënë në lëvizje.

AfD - Partia e krizës së refugjatëve

Një shkak për këtë është "Alternativa për Gjermaninë". Partia që deri në verë merrej me luftën brenda saj, tani është pozicionuar krejt djathtas dhe në sajë të valës së refugjatëve po përjeton një valë suksesi. Edhe nëse e ke të vështirë të gjesh te AfD koncepte realiste politike - të pakënaqur nga të gjitha kampet politike sërish kanë dëshirë të japin "mësime". Rreth 10 përqind e zgjedhësve thuhet se janë këta, në Lindje të Gjermanisë madje gati 20 përqind. Dhe deri të dielën në mbrëmje madje ndoshta do të jenë më shumë: sepse zgjedhësit e partive të tilla të protestës, në anketimet para zgjedhjeve shpesh kanë frikë t'i deklarojnë hapur synimet e tyre.

Por jo vetëm për këtë lëkunden të gjitha parashikimet për rezultatet. Kështu për shembull nuk mund të parashikosh se kush do të përfitojë nga kontradiktat absurde të kësaj jave: a do të jetë kancelarja, e cila e arriti objektivin për ta ulur numrin e refugjatëve që vijnë në Gjermani me përpikmëri në ditën e zgjedhjeve - por e cila ankohet tani për mjetet, me të cilat të tjerët e bënë punën për të. A gëzohet në fakt pjesa më e madhe e gjermanëve për mbylljen e itinerarit ballkanik, apo më tepër vuan kur sheh pamjet e mjerueshme nga Idomeni? A do të ndëshkohen tani nga zgjedhësit të gjithë kandidatët e CDU-së, të cilët kaluan javët e shkuara shpesh në opozitë me Angela Merkelin?

Felix Steiner
Felix Steiner

Gjithçka është e mundur

Prandaj për CDU-në të dielën është absolutisht gjithçka e mundur: katastrofa absolute, nëse si në Baden-Vyrttemberg, ashtu edhe në Rheinland-Pfalz humbet statusi tradicional si partia më e fortë. Por edhe suksesi i madh, po të arrihet që në vend të njërit, të marrin mandatet tre kryeministra anëtarë të CDU-së. Vetëm tri gjëra janë të sigurta pak para zgjedhjeve:

1. Sa më e vogël të jetë pjesëmarrja në zgjedhje, aq më i lartë do të jetë rezultati i AfD-së. Sepse zgjedhësit e radikalizuar të protestës zgjedhin gjithmonë ndryshe nga zgjedhësit e pakënaqur.

2. AfD-ja - edhe po të marrë 25 përqind të votave - as javën e ardhshme nuk do të ketë ndikim në Gjermani. Sepse askush nuk ka dëshirë të formojë qeveri me të. Dhe është mirë që është kështu.

3. Angela Merkel do të jetë edhe në fund të javës së ardhshme Kancelare e Gjermanisë. Edhe nëse partitë unioniste do të pësojnë disfatë të bujshme, as në parti dhe as në qeveri nuk ekzistojnë alternativa që të mobilizojnë shumica kundër saj. Dhe nëse Julia Klöckner do të humbasë në Rheinland-Pfalz, CDU-së do t'i mungojë madje një shpresë për të ardhmen. Pra le të presim zgjedhje interesante.