1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje në Hesen: Hija e gjatë e politikës së Berlinit

8 Tetor 2023

Edhe në landin Hesen në Gjermani votohet më 8 Tetor. Politika e landit u intereson më pak votuesve. Ata e lidhin dhënien e votës me atë çfarë ndodh në qeverinë e Berlinit.

https://p.dw.com/p/4XEgQ
Të dielën votohet për parlamentin e landit Hesen, 08.10 Letra e votimit hidhet në kuti
Të dielën votohet për parlamentin e landit Hesen, 08.10.Fotografi: Arne Dedert/dpa/picture alliance

Një grerëz i vjen vërdallë Tarek Al-Wazirit dhe duket sikur do e pickojë. Ministri i Gjelbër i Ekonomisë dhe Transportit ka dalë para qytetarëve në Frankfurt mbi Main dhe shpjegon, se çfarë ka realizuar konkretisht partia e tij në koalicion me CDU që nga viti 2014. Al Wazir përpiqet ta injorojë grerëzën. Pas renditjes së temave tipike për Të Gjelbrit, si transportin urban dhe mbrojtjen e klimës, 52 vjeçari flet për ekonominë. Në Hesen përkundër një trendi gjerman ka pasur rritje ekonomike, thekson ai. Politikani i gjelbër ka zgjedhur një lojë fjalësh për veten; "Eko. (kujto ekologji, shën red.) Si në Ekonomi."

Tarek Al-Wazir duke folur para votuesve
Tarek Al-Wazir duke folur para votuesveFotografi: Sabine Kinkartz/DW

Në Aeroportin e Frankfurtit punojnë njerëz nga 90 kombe

Me 0,4% rritja ekonomike e Hesenit është margjinale, por parimisht duhet thënë, se Heseni në vëllimin ekonomik të 16 landeve qëndron lart në renditje. Motori ekonomik i landit është rajoni metropol i Frankfurtit me aeroportin më të madh gjerman. Rreth 81.000 vetë nga 90 kombe punojnë aty. Hesen ka 17% të banorëve të huaj, por ka dallime të mëdha mes qyteteve dhe zonave rurale. Në Frankfurt 29% e banorëve kanë një pasaportë të huaj, në Ofenbah kjo kuotë kap shifrën e 37%.

Fushata zgjedhore me pllakate në Hesen
Fushata zgjedhore me pllakate në HesenFotografi: Jan Huebner/IMAGO

"Në rast se myslimanët marrin pushtetin"

Tarek Al-Wazir ka lindur në Ofenbah si djalë i një gjermaneje dhe një jemeniti. Me emrin e tij arab, ai është përballur në karrierën politike me racizëm dhe diskriminim. Edhe nga CDU. Në fund të viteve 90-të, një deputet i CDU në parlament i tha të thoshte një fjalë të mirë "në rast se myslimanët marrin pushtetin". Por marrëdhënia me CDU aktualisht është e mirë. Ne punojmë pa probleme së bashku, thotë politikani i gjelbër që është edhe zëvendëskryeministër landi. Ai është krenar që mes qytetarëve është madje më i popullarizuar se kryeministri i CDU, Boris Rhein. Por Të Gjelbrit si parti nuk kanë përfituar nga simpatia për të.

Berlin: 500 kilometra larg dhe kaq pranë

Zhgënjim ka jo vetëm me Të Gjelbrit, por edhe SPD e FDP në të gjithë Gjermaninë. Në koalicionin federal të tre partitë qeverisin së bashku. Por pavarësisht nëse bëhej fjalë për mbrojtjen e klimës, ligjin për sistemet e ngrohjes, politikat për azilin dhe refugjatët, grindja ka qenë e pashmangshme brenda koalicionit trepartiak. As çdo i dyti gjerman nuk është i kënaqur me punën e qeverisë në Berlin.

Pllakate zgjedhore në Hesen
Pllakate zgjedhore në HesenFotografi: KIRILL KUDRYAVTSEV/AFP

Kjo hedh hije në fushatën zgjedhore në Hesen. Për çdo të dytin votues politika federale luan rol më të madh në dhënien e votës se politika e landit, sipas një sondazhi të institutit të opinionit, infratest-dimap. Sipas këtyre sondazheve në zgjedhjet e landit Hesen, CDU mund të llogarisë me 30% të votave. SPD që ka dalë në garë me ministren e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser qëndron nën 18%. Të Gjelbrit kanë pësuar rënie të ndjeshme dhe janë në një nivel me AfD, 17%. Partia liberale FDP mezi arrin të kapë kufirin e 5% për të hyrë në parlament, kurse partia e Majtë duket se nuk do ta kalojë këtë kufi.

Zemërim për grindjet në koalicion

Grerëza vazhdon të vërtitet rreth Tarek Al-Wazir. Me kujdes politikani i gjelbër përpiqet ta largojë dhe më në fund ia del. "Kombinimi i zi-i verdhë është që në natyrë një rrezik", thekson me ironi politikani i gjelbër duke iu referuar ndoshta një koalicioni mes CDU (të zinjtë) dhe FDP( simbol i verdhë). Por gjendjen e vështirë të partisë së tij ekologjike ai nuk mund ta shpëtojë, megjithëse e thekson herë pas here, se në koalicionin e Berlinit, ku pjesë janë edhe të Gjelbrit po bëhen gabime. "Të qeverisësh si duhet për mua do të thotë të debatosh me partnerët e koalicionit dhe të kërkosh zgjidhje." Dallimet në qëndrimet politike nuk duhet të manifestohen si në skenë. "Në Hesen nuk e keni përjetuar një cirk të tillë me mua asnjëherë", thekson Al-Wazir.

Ministrja e Brendshme dhe kandidate e SPD, Nancy Faeser për landin dhe kancelari Scholz në një miting zgjedhor në Baunatal - përqafim miqsh
Ministrja e Brendshme dhe kandidate e SPD, Nancy Faeser për landin dhe kancelari Scholz në një miting zgjedhor në BaunatalFotografi: Andreas Arnold/dpa/picture alliance

Politikania e SPD-së, Nancy Faeser, pjesëtare e kabinetit në Berlin si ministre e Punëve të Brendshme e mbron këtë aleancë dhe e sheh të mundur edhe për Hesenin koalcionin e kuq, të gjelbër të verdhë- SPD, Të Gjelbër, FDP. Mjaft e mirëpritur kjo nga nga CDU që kundërsulmon konkurrencën me sloganin "Jo semafor për Hesenin" dhe "Kurs në vend të kaosit". Madje edhe në SPD po pyesin nëse ardhja e Faeser si kandidate për këtë parti ishte zgjidhja e duhur. Ministrja e Brendshme ka thënë, se vetëm në rast të fitores do të shkonte në Hesen. Por për shkak të krizës migracionit ajo është mjaft e angazhuar në Gjermani. Kurse CDU e quan Faeser "rrezik sigurie për Gjermaninë dhe Hesenin". Nga kjo parti dëgjohet, se Faeser injoron punën si ministre në favor të fushatës zgjedhore.

Ministrja e Brendshme u kundërpërgjigj. Kryeministri i landit i CDU, Boris Rhein nuk distancohet sa duhet nga forcat djathtiste, akuzoi Faeser në një takim elektoral me kancelarin Scholz në Baunatal. "Hesen ka një problem me ekstremizmin e djathtë", ishte shprehur Faeser që në vitin 2022. Vërtet Mbrojtja Kushtetuese ka konstatuar rritje të dhunës ekstremiste të djathtë. Sulmi në Hanau në vitin 2020, ku u vranë tetë meshkuj dhe një grua është vetëm një atenat i rëndë në një seri krimesh me sfond ektremist të djathtë.

Boris Rhein, CDU duke biseduar me qytetarët në rrugë
Boris Rhein, CDU do të krijojë imazhin e politikanit të afërt me popullin dhe të balancuarFotografi: Sabine Kinkartz/DW

Boris Rhein ngjitet në karusel

Sa më shumë bien në sondazhe socialdemokratët dhe Të Gjelbrit aq më shumë përmirësohet atmosfera tek CDU. Në pranverën e vitit 2022, Boris Rhein mori postin e kryeministrit nga paraardhësi Volker Bouffier, që u tërhoq për arsye shëndetësore. Rhein konsiderohet si konservator por edhe i komunikueshëm dhe balancues. Problemi i tij më i madh është se ai nuk njihet aq shumë. Madje edhe në fushatën zgjedhore njerëzit kalojnë pranë tij pa qëndruar as një sekondë. Por Rhein-in nuk e tremb kjo. 51 vjeçari vazhdon turin e tij nëpër land, që të krijojë imazhin e politikanit të afërt me popullin dhe të balancuar. Rhein ngjitet në karusel në festa popullore, bën selfie me të rinjtë dhe flet me libraret se cilat romane duhen lexuar aktualisht.

Krahas temave të rëndësishme për landin si reduktimi i taksës së truallit apo vendosja e "një prange elektronike për ata që rrahin gratë", politikani i CDU trajton edhe tema të rëndësishme për federatën. Në politikën e migracionit ai kërkon më shumë kontrolle dhe mbrojtje të kufijve të brendshëm, ofensivë dëbimi për azilkërkuesit e refuzuar dhe zgjerimin e shteteve origjinë të shpallura të sigurta edhe me Algjerinë, Marokun, Tunizinë dhe Indinë. Rhein-i nuk shprehet, se cilin partner koalicioni do të preferojë pas zgjedhjeve. "Po ne kemi punuar mirë dhe me dëshirë me Të Gjelbrit, por unë kam kontakte të mira edhe me socialdemokracinë e Hesenit." Ai përjashton kategorikisht bashkëpunimin me AfD në landin e tij.