1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje në Brandenburg - Garë e ngushtë mes SPD dhe AfD-së

22 Shtator 2024

Brandenburgu - historikisht i rëndësishëm, ekonomikisht i suksesshëm, i qeverisur nga e njëjta parti prej 1990-s. Do e ndryshojnë vijimësinë politike zgjedhjet e 22 Shtatorit? Gara mes SPD e AfD është mjaft e ngushtë.

https://p.dw.com/p/4kva3
Pllakate zgjedhore të SPD
Fotografi: IMAGO/Sabine Gudath

Pse Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) është e rëndësishme për Brandenburgun? Përgjigja është e thjeshtë: Landi federal që kufizohet me Poloninë është qeverisur prej SPD vazhdimisht që nga bashkimi i Gjermanisë në vitin 1990. Dhe sipas sondazheve, SPD mund të shpresojë të vazhdojë koalicionin e saj me Kristiandemokriatët e CDU dhe të Gjelbërit pas zgjedhjeve shtetërore të 22 shtatorit.

Megjithëse Alternativa për Gjermaninë (AfD) mund ta kapërcejë SPD-në si forca më e fortë politike, askush nuk dëshiron të hyjë në një koalicion me partinë e vëzhguar nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe e klasifikuar në disa lande federale si "sigurtë si ekstremiste e djathtë”.

Pllakate zgjedhore të Aleancës Sahra Wagenkencht, BSW dhe AfD në Brandenburg
Fotografi: Sascha Steinach/IMAGO

Garë e ngushtë mes AfD dhe SPD

Në sondazhe, AfD dhe SPD janë shumë pranë njëra-tjetrës. Të dyja partitë mund të presin rezultate mbi 25 përqind. Shumë pas tyre renditen Kristiandemokratët (CDU) dhe Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW), të cilat, sipas parashikimeve, janë në nivelin 15 për qind. Kurse Të Gjelbrit dhe të Majtët janë të shqetësuar a do të arrijnë të jenë pjesë e parlamentit të landit në Potsdam, pasi rrezikojnë mos e kapin nivelin prej pesë për qind. Demokratët e Lirë (FDP), të cilët bashkëqeverisin në nivel federal, nuk kanë luajtur një rol për një kohë të gjatë në këtë land, ku nuk janë të përfaqësuar në parlament që nga viti 2014.

Demonstrata kundër ekstremizmit të djathtë në Brandenburg, qytetarë me pankarta në duar
Demonstrata kundër ekstremizmit të djathtë në BrandenburgFotografi: Patrick Pleul/dpa/picture alliance

Tre kryeministra në 34 vjet

SPD do që të ruajë bastionin e saj të Brandenburgut. Kryeministri Dietmar Woidke synon mandatin e tij të katërt në detyrë. Në rast se ai fiton, do t'i kapërcente dy paraardhësit e tij, Manfred Stolpe dhe Matthias Platzeck, të cilët ishin të suksesshëm tre herë.

Kjo vazhdimësi politike në Brandenburg është unike në shtetet e Gjermanisë Lindore: tre kryeministra në 34 vjet, të gjithë nga e njëjta parti, dhe asnjë importim nga perëndimi, siç u bë e zakonshme në Saksoni dhe Tyringi pas ribashkimit të Gjermanisë. Kjo është po ashtu diçka unike në një land që është më shumë se një e treta i mbuluar nga pyjet.

Berlinezët zhvendosen në zonat përreth

Natyra e harlisur është një pasuri që Brandenburgu e përdor për të lulëzuar ekonomikisht: peizazhe të pasura me liqene, rezerva të biosferës si pylli Spree, Oderbruch në kufirin gjermano-polak. Nuk është çudi që që nga rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989, gjithnjë e më shumë njerëz kanë lëvizur nga kryeqyteti gjerman në zonën përreth.

Tabela e aeroportit 'Willy Brandt (BER) -Berlin Brandenburg
Fotografi: Florian Gaertner/photothek.de/picture alliance

Me gati 2.6 milionë banorë, Brandenburgu është në vendin e dhjetë në krahasim me 16 shtetet federale dhe, me një mesatare prej 87 njerëz për kilometër katror, ​​shtë më pak i populluari në Gjermani pas Mecklenburg-Pomerani. Pothuajse 12% përqind e njerëzve kanë prejardhje migracioni, në mbarë Gjermaninë kjo shifër është 30 përqind.

E në një kohë që shumë lande lindore kanë humbur qindra mijëra banorë, që janë larguar për shkaqe ekonomike, numri i popullsisë së Brandeburgut ka mbetur gati i pandryshuar. Kjo edhe falë afërsisë me Berlinin. Falë kësaj afërsie, Brandenburg ka edhe aeroportin e tretë më të madh të Gjermanisë, BER, Berlin Brandenburg.

Elon Musk krijon tek Tesla 7000 vende pune

Makinat elektrike të markës Tesla prodhohen në fabrikën Tesla Gigafactory Berlin-Brandenburg që nga viti 2022. Në Grünheide u vendos fabrika e parë e miliarderit amerikan Elon Musk në Evropë. Me rreth 7,000 punonjës nga 50 vende, Tesla u bë shpejt punëdhënësi më i madh privat në Brandenburg.

Miting i AfD në Brandenburg, qytetarë me flamuj gjermanë dhe të AfD
Miting i AfD në BrandenburgFotografi: Daniel Lakomski/IMAGO

Tesla gjithashtu përfiton nga peizazhi i larmishëm shkencor dhe kërkimor. Ashtu si në Berlinin fqinj, ka shumë universitete, studentët e të cilëve vijnë nga e gjithë bota. Universiteti Evropian Viadrina në Frankfurt an der Oder është me fokus ndërkombëtar, rreth 30 përqind e studentëve aty janë të huaj. Ai ndodhet direkt në lumin kufitar midis Gjermanisë dhe Polonisë. Por universiteti më i madh gjendet në Potsdam, kryeqytetin e landit. Jetës kulturore dhe shkencore prej shekujsh i kanë vënë vulën mbretërit prusianë dhe Friedrich der Große. Karakteristike dhe magnet turistik janë kështjellat dhe parqet e mëdha, sidomos Parku Sanssouci. Kështjella Cecilienhof ka hyrë në histori, pasi në korrik dhe gusht 1945 u takuan aty forcat fituese të Luftës së Dytë Botërore. Në Konferencën e Potsdamit SHBA, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik ranë dakord që Gjermania dhe Berlini të ndahej në katër zona pushtimi. Kjo epokë përfundoi 45 vite më vonë me bashkimin e Gjermanisë.

Deutschland | Eröffnung der Tesla Gigafabrik in Grünheide
Hapja e fabrikës së Teslas në Brandenburg, kancelari Scholz, kryeministri i landit, Woidke dhe miliarderi i Teslas, Elon MuskFotografi: Patrick Pleul/pool/AP/picture alliance

Spiunë në Urën Glienicke

Kur Gjermania ishte e ndarë, Ura Glienicke mes Potsdamit dhe Berlinit Perëndimor u kthye në simbol të Luftës së Ftohtë mes kampeve politike ndërluftuese. Këtu u shkëmbyen spiunët e kapur. Regjisori Steven Spielberg xhiroi edhe filmin "Ura e Spiunëve", për këtë, i cili u shfaq në kinema në vitin 2015. Studioja më e madhe e filmit në Evropë në zonën Babelsberg të Potsdamit luajti një rol kyç në prodhimin e filmit. Dhe është ajo studio, ku Marlene Dietrich qëndroi para kamerës në filmin klasik "Engjëlli blu" në vitin 1929. Po në këtë vend dy vjet më parë Fritz Lang kishte prodhuar filmin e tij ekspresionist pa zë "Metropolis" . Dhe që nga viti 2017, pjesë të mëdha të filmit serial "Babylon Berlin", i cili është shitur në mbi 60 vende, janë xhiruar në Babelsberg.

Kështjella e njohur Sanssouci, muret e verdhë, skulpturë e bardhë
Kështjella e njohur SanssouciFotografi: Karl-Heinz Spremberg/CHROMORANGE/picture alliance

Merr fund më 22. Shtator një traditë?

Për gati 100 vjet sukseset globale të industrisë së filmit gjerman kanë ardhur nga Potsdami  Ky është vetëm një shembull i asaj se çfarë mund të ofrojë Brandenburgu si land kulturalisht dhe ekonomikisht. Shumë gjëra kanë një traditë të gjatë këtu. Kjo vlen edhe për politikën, e cila ka mbi 30 vjet që dominohet nga SPD. Nëse do të qëndrojë kështu vendoset të dielën në zgjedhjet e 22 shtatorit.

 

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore