1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje jo të rregullta në Rumani

Robert Schwarz3 Nëntor 2014

Në zgjedhjet presidenciale në Rumani shumë rumunë, që jetojnë jashtë, s'patën mundësi të votojnë. Para pesë vitesh vota e tyre ishte vendimtare. Qeveria s'mund të sillet kështu me shtetasit e vet, mendon Robert Schwartz.

https://p.dw.com/p/1Dg0y
Wahlen Rumänien 2.11.2014
Fotografi: Reuters/B. Cristel

Llogaria e socialistëve në pushtet është realizuar - deri tani. Kandidati i tyre, kryeministri në detyrë Victor Ponta, e ka fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Por kontestuese është, nëse përparësia e tij prej rreth 10 % do të konfirmohet edhe në balotazh. Kandidati i opozitës liberale me origjinë gjermane, Klaus Iohannis, ka shanse reale për fitore. Vendimtare do të jetë, se kush do t'i marrë votat e 12 kandidatëve të tjerë, nëse do të krijohen grupime të mëdha politike pas dy javësh dhe kush do ta fitojë mbështetjen e atyre, që nuk kanë votuar në raundin e parë. Gjysma e rumunëve nuk kanë votuar.
Vendimtare edhe kësaj radhe si para pesë vitesh mund të jetë edhe vota e rumunëve, që jetojnë jashtë vendit. Me 2009 shumica dërmuese ka votuar për presidentin në largim, Traian Basescu, që ishte në kundërshtim të plotë me qëndrimet e socialistëve, të cilët flisnin për mashtrim. Kësaj radhe duket se qeveria socialiste është kujdesur që rumunët jashtë vendit të mos votojnë fare, ose të votojë një numër shumë i vogël. Mijëra rumunë në Perëndim nuk kanë mundur të votojnë, për shkak të një numri tepër të vogël të vendvotimeve dhe pritjeve tepër të gjata. Logjistika katatrofale ka bërë që të votojë vetëm një numër i vogël i dy-tre milionë rumunëve me të drejtë vote sa jetojnë jashtë vendit. Në momentin e mbylljes së vendvotimeve shumë prej tyre ishin duke pritur në radhë, por nuk u lejuan të votojnë.

Deutsche Welle Rumänisch Robert Schwartz
Fotografi: DW

Problemet e zgjedhësve jashtë vendit


Zgjedhjet fer në një demokraci perëndimore duken ndryshe. Para 25 vitesh rumunët kanë dalë në rrugë kundër diktaturës komuniste, në kërkim të zgjedhjeve demokratike. Kanë fituar një të drejtë, e cila u mohohet sot. E drejta e tyre po shkelet me këmbë. Ajo që ka ndodhur në shumë vende perëndimore, ka qenë thjesht pengim i votimit. Rumunët, që jetojnë në botën e jashtme dhe vit për viti dërgojnë shumë para për familjet e tyre në vend, nuk lejohen të votojnë. Qytetarë të rendit të dytë, të cilët denohen, vetëm pse nuk votojnë "si duhet".

Nëse kjo llogari në fund do të dalö si e mirë, do të tregojë balotazhi me 16 nëntor. Nëse qeveria nuk do që të shkelet e drejta elementare kushtetuese, atëherë duhet të mundësojë votimin e të gjithë rumunëve jashtë vendit. Ajo është përgjegjëse për organizimin e mirë të zgjedhjeve, që secili të ketë mundësinë të votojë. Edhe nëse ekziston rreziku që të mos votohet kandidati i saj. Të tilla janë rregullat e demokracisë. Përderisa këto rregulla nuk respektohen, Rumania do të renditet në rendin e vendeve me demokraci labile. Korrupsioni, nepotizmi, mediat e shtypura e tani edhe mosrespektimi i të drejtës elementare kushtetuese. Lista e veprimeve antidemokratike po zgjatet gjithnjë e më shumë. Nëse rumunët do ta durojnë këtë gjendje, do të shihet pas dy javësh. Shumë prej tyre janë ngopur me faktin që vendi i tyre përmendet në titujt kryesorö vetëm në konotacione negative. Ata duan të votojnë. E kanë thënë qartë edhe në rrjetet sociale. Edhe rumunët jashtë vendit. Që të mos trajtohen më si njerëz të rendit të dytë, thonë ata. Në Rumani apo diku tjetër në Evropë.