"Siguria e porteve detare në Detin e Zi çelës për paqen"
26 Korrik 2023Përfaqësues të 31 vendeve anëtare të NATO-s dhe ata nga Ukraina takohen sot në formatin e ri të krijuar, këshillin NATO-Ukrainë pas lutjes së drejtuar nga presidenti Zelenski. Arsye për takimin e këshillit të krijuar për të diskutuar situatën në situata krize është skadimi i marrëveshjes për drithërat e refuzimi rus për zgjatjen e marrëveshjes për eksportimin e drithërave nga Ukraina. Në fokus të takimit do të jetë siguria e porteve ukrainase dhe eksporti i drithërave.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski këmbëngul për perspektivën e eksportimit të drithërave përmes porteve në Detin e Zi. "Bota e di, që siguria e porteve të Detit të Zi është çelësi për paqe dhe stabilitet në tregun global të artikujve ushqimorë." Rusia refuzoi së fundmi të zgjasë marrëveshjen për drithërat të arritur para një viti, gjë që i mundësonte Ukrainës të eksportonte drithëra. Vitin e kaluar, Ukraina megjithë sulmin rus, arriti të eksportojë 33 milionë tonë drithëra përmes rrugës detare dhe tokësore në vende të tjera. Pas skadimit të marrëveshjes, Rusia bombardoi me ditë të tëra, portin e qytetit Odesa.
Para takimit të këshillit NATO-Ukrainë, vjen mbështetja për shoqërimin ushtarak të anijeve me drithëra në Detin e Zi nga politikani gjerman liberal, (FDP) për çështjet e mbrojtjes, Marcus Faber. Për median gjermane ai tha se "kjo është diçka që e quaj realiste." Ajo që duhet të sqarohet është, se cilat vende do të vendosin në dispozicion anijet për shoqërim. Turqia ka thënë, se ndër të tjera mund ta përfytyroj këtë. "Mendoj, se edhe vende të tjera pranë Detit të Zi duhet të pozicionohen: Bullgaria Rumania." Sips Faber, ato do t'i vinin në dispozicion për çdo rast edhe ujërat e tyre territoriale e do të kishin kështu anije për kontrolle në kufijtë e tyre. Bullgaria dhe Rumania janë anëtare të NATO-s, ka thënë Faber.
Por politikani gjerman nuk e sheh si realist shoqërimin ushtarak nën kupolën e NATO-s. Edhe Gjermania nuk mund të marrë pjesë me anijet e saj, për shkak se marina ndodhet në kufi të kapaciteteve. Detyrimin e parë e kanë shtetet e Detit të Zi, ka theksuar Faber.
Këshilli NATO-Ukrainë u takua për herë të parë në nivel të krerëve shtetërore në samitin e NATO-s në Vilnë. Ai takohet për herë të parë në nivel përfaqësuesish të shteteve anëtare në Bruksel.
la/ag