1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një planet i ngjashëm me Tokën: Proxima Centauri B

Stefanie Zobl29 Gusht 2016

Observatori Evropian Jugor njofton se ka zbuluar një planet të ngjashëm me Tokën. Shkencëtarët e kanë pagëzuar atë Proxima Centauri B.

https://p.dw.com/p/1JrHC
Fotografi: picture-alliance/dpa/ESO/M. Kornmesser

Me sa duket, ne nuk jemi të vetëm në univers. Observatori Evropian Jugor në Garching pranë Mynihut, njoftoi se ka zbuluar një planet të ngjashëm me Tokën, i cili përshkon orbitën më të afërt yjore të diellit tonë. Shkencëtarët e kanë pagëzuar këtë planet të ngjashëm me Tokën Proxima Centauri B dhe besojnë se në të është e mundur jeta.

Gëzim i madh tek astronomët

Proxima B ka shkaktuar një gëzim të madh tek astronomët. Planeti përshkon një yll në një zonë, që shkencëtarët e konsiderojnë si të banueshme. Kjo zonë nuk është as tepër e ngrohtë dhe as tepër e ftohtë për ujin e rrjedhshëm - që është një ndër parakushtet më të rëndësishme për lindjen e jetës.

Observatorium La Silla in Chile und Proxima Centauri und Alpha Centauri AB
Fotografi: picture-alliance/dpa/Y. Beletsky (LCO)/ESO/ESA/NASA/M. Zaman

Por kjo nuk është veçanta e vetme e Proxima B. "Ne besojmë plotësisht se planeti me një masë prej 1.3 e masës së Tokës është i ngjashëm me Tokën si në formë edhe në përbërje. Ai nuk është një top gazi, por ka sipërfaqe shkëmbore." - thotë astrofizikanti Ansgar Reiners.

Vetëm katër vite-dritë larg Tokës

Kjo galaktikë gjendet vetëm katër vite-dritë larg galaktikës sonë, gjë që për relatat astronomike do të thotë tepër afër. Zbulimi i planetit Proxima B përbën pikën kulmore të projektit "Pale Red Dot" të Observatorit Evropian Jugor, për të cilin kontribuojnë 16 vende, shumica anëtare të BE-së. Planeti i ri u zbulua nga teleskopët e këtij instituti në La Silla të Kilit.

Afër, me madhësinë e duhur, sipërfaqe shkëmbore dhe me sa duket edhe me ujë të rrjedhshëm. Proxima B mund të bëhet kandidati perfekt për jetën jashtëtokësore. Me sa duket ne banorët e Tokës duhet të përgatitemi tani për marrëdhënie të mira fqinjësore.