1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wikileaks Guantanamo

26 Prill 2011

Platforma ndërkombëtare e internetit Wikileaks jeton dhe është mirë kështu. Sepse zbulimet e fundit lidhur me kampin e Guantanamos janë rrënqethëse.

https://p.dw.com/p/114D8
Fotografi: picture-alliance/dpa

Zbulimet e fundit të Wikileaks konfirmojnë atë për çfarë kanë dyshuar gjithmonë njohësit e lëndës. Në shumicën e rasteve hetuesit e terrorit në SHBA nuk kanë pasur të dhëna, që bazuar në kriteret e shtetit ligjor të justifikonin burgimin e ndokujt në kampin e të burgosurve Guantanamo. Në vitet e para pas sulmeve monstruoze terroriste të 11 shtatotir 2001 mjaftonte vetëm një tur i caktuar udhëtimi për në Afganistan për t' i shndërruar të dyshuarit në të burgosur të përhershëm të burgut të sigurisë së lartë në bazën ushtarake të SHBA-s në Kubë. Për disa të tjerë mjaftonte si arësye burgimi vizita në ndonjë xhami të dyshimtë apo posedimi i ndonjë ore dore të një marke të caktuar. Ata ishin bujq apo burra që kërkonin nuse, madje edhe fëmijë, të cilët kishin fatin ters që të kapeshin në zonën e ndonjë shpërthimi, për t' u izoluar për një kohë të papërcaktuar në Guantanamo.

Rreth 800 të burgosur janë arrestuar atje. Vetëm rreth dyqind prej tyre mund t' u provoheshin me fakte lidhjet me rrjetet terroriste. Dokumentat e burimeve të shërbimeve sekrete të SHBA-së të zbuluara nga Wikileaks konfirmojnë: Hetuesit e terrorit në nivel global kanë vepruar në përgjithësi me histeri duke mos bërë dallime dhe duke u rëmbyer për vite të tëra lirinë njerëzve të pafajshëm. Guantanamo ishte dhe është në pjesën më të madhe edhe sot një sistem i arbitraritetit, të cilit i mungon baza e shtetit ligjor dhe shpërbërja e tij rrezikon të mbetet një nga premtimet deri tani të papërmbushura të presidencës së Barack Obama-s.

Por nga ana tjetër dokumentat e zbuluara tani tregojnë edhe se rreziku nga terrorizmi ka qenë dhe është edhe sot real. Udhëheqja e El Kaidas ishte e fiksuar jo vetëm në sulmet terroriste të inskenuara prej saj, por ajo planifikonte edhe krime të tjera - qoftë në aeroportin e Londrës apo në botën arabe. Vetëm se superfuqia Amerikë nuk e dinte, se si duhej të vepronte me këtë rrezik. Ajo reagoi pa plan dhe nuk i njihte sa duhet rajonet e prekura. Një superfuqi në panik, së cilës i shpëtuan prej duarsh jo vetëm kriteret e zbardhjes solide të krimit, por edhe abc-ja e kriminalistikës.

Sot autorët relevantë të sulmeve të 11 shtatorit ndodhen në burg në Guantanamo. Ndonëse tani ata janë nën kontroll, me përjashtim të Osama bin Laden-it dhe Mullah Omar-it, edhe nën presidentin Obama ata nuk mund të llogarisin me një proces korrekt juridik. Përveç kësaj dokumentat e zbuluara shtrojnë pyetje të reja. Si: Çfarë roli luan shërbimi sekret pakistanez ISI në luftën kundër terrorit në rajon. Ka kohë që ekspertët hamendësojnë, se ky shërbim e di dhe e mbron vendndodhjen e Osama bin Laden-it. SHBA-ja - edhe këtë e dëshmojnë dokumentat e publikuara - këtë shërbim sekret gjoja miqësor e klasifikon tani si organizatë terroriste. Një bombë e fortë kjo, zbulimi i së cilës mund t'i verë para një sprove të re marrëdhëniet gjithësesi të tensionuara mes SHBA-së dhe Pakistanit.

Autor: Daniel Scheschkewitz

Redaktoi: Pandeli Pani