Yuri Kim: Vendimin për muxhahedinët e merr qeveria e Tiranës
21 Qershor 2023Deklarata e ambasadores amerikane vjen një ditë pas përplasjes së policisë së shtetit me muxhahedinët iranianë, anëtarë të organizatës së njohur me inicialet MEK. Ata kundërshtuan policinë që u fut në kampin e tyre "Ashraf 3" të ngritur prej 10 vitesh në Manzë, në rrethin e Durrësit, në një sipërfaqjë prej 40 hektarësh, ku strehohen rreth tre mijë muxhahedinë.
Kontrolli i policisë në mjediset dhe zyrat e kampit u bazua në zbatimin e një vendimi të Gjykatës së Posaҫme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsioni.
Burime zyrtare pohuan të mërkurën, (21.06) se vendimi për të kontrolluar kampin e muxhahedinëve u mbështet në dyshime se anëtarët e organizatës MEK, të strehuar në këtë kamp, kanë kryer nga territori i Republikës së Shqipërisë sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit dhe disa institucioneve në shtetin iranian. Për pasojë Republika Islamike e Iranit kërcënon se do të ndërmarrë sulme kibernetike ndaj Shqipërisë dhe muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri" citojnë burimet vendimin e Gjykatës.
Në shtator të vitit të kaluar qeveria e Tiranës mori vendimin për ndërprerje me efekt të menjëhershëm të marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, bazuar në "prova të pakundërshtueshme për sulme kibernetike pas të cilave fshihej Irani", theksonte vendim i qeverisë.
Vitin e kaluar, për arsye sigurie nga kërcënime terroriste nuk u zhvillua në kampin e muxhahedinëve „Ashraf 3" në Manëz, Samiti Botëror i Iranit të Lirë.
Marrëveshja SHBA - Shqipëri në shërbim të paqes
Marrëveshja mes SHBA dhe Shqipërisë për pranimin e muxhahedinëve u nënshkrua në vitin 2012 kur qeveria amerikane e hoqi organizatën e muxhahedinëve nga lista e organizatave terroriste. Muxhahedinët u morën nën mbrojtjen e SHBA pas ndërhyrjes së tyre të armatosur në Irak në vitin 2003 dhe mbështetjes që muxhahedinët u dhanë operacioneve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe luftës kundër terrorizmit. Strehimi i tyre në Shqipëri filloi në vitin 2013 dhe u konsiderua nga autoritetet si „një shërbim ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon, angazhim i Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s."
Lidhur me mundësinë e prishjes së marrveshjes dhe dëbimin e muxhahedinëve nga Shqipëria, ambasadorja amerikane Yuri Kim, tha në konferencëm për shtyp që vendimi për këtë i takon qeverisë së Shqipërisë.
"SHBA mbështesin Shqipërinë në të drejtën e saj për të zbatuar ligjet e saj, në vendin e saj" - tha ambasadorja amerikane, Yuri Kim, e cila e ka përfunduar mandatin e saj në Shqipëri dhe nis detyrën e zëvendësndihmëse, sekretare kryesore për Çështjet Evropiane në Departamentin Amerikan të Shtetit.
MPJ e Iranit: Muxhahedinët kërcënim për sigurinë e Shqipërisë
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kana'ani, citohet nga mediat e Tiranës të ketë deklaruar që "muxhahedinët do të jenë gjithmonë një kërcënim për sigurinë e Shqipërisë pasi janë terroristë". Ai citohet gjithashtu t'u ketë bërë thirrje autoriteteve të Tiranës "ta marrin në konsideratë këtë kërcënim".
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) e ka përkrahur aksionin policor të Shqipërisë më 20 qershor, kur Policia e Shtetit kreu kontrolle në kampin e Manzës, ku janë strehuar pjesëtarë të opozitës iraniane.
DASH-mbështet Policinë e Shtetit
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) përmes një zëdhënësi të tij citohet të ketë thënë se "SHBA mbështesin të drejtën e qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit të saj”.
Zëdhënësi i DASH-it thekson që "SHBA-ja nuk e cilëson organizatën e muxhahedinëve, MEK, lëvizje opozitare të qëndrueshme dhe demokratike që përfaqëson popullin iranian”.