1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wolfsburg-u kampion i Gjermanisë në futboll

24 Maj 2009

Më në fund ia dolën mbanë! Wolfsburg-u për herë të parë në historinë e klubit, mori titullin e kampionit të Gjermanisë në futboll.

https://p.dw.com/p/HwBm
Lojtarët e ekipit të Wolfsburg-ut me trofeun e titullit kampion.
Wolfsburg-u i gëzohet titullit kampion i Gjermanisë në futboll.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Ekipi i trainerit Felix Magath ruajti gjakftohtësinë dhe fitoi bindshëm dhe pa rrezik me rezultatin 5:1 me Werder Bremen-in.

Traineri i Wolfsburg-ut Felix Magath
Traineri i Wolfsburg-ut Felix Magath përshëndet sportdashësit në tribuna, pas fitores 5:1 me Bremenin.Fotografi: picture-alliance/ dpa

"Eshtë një ëndërr që këtë sezon jo vetëm u bëmë kampion i Gjermanisë, por e morëm me meritë titullin. Ne ndoshta nuk kemi ekipin më të mirë por luajtëm futbollin më të mirë gjatë gjithë sezonit", u shpreh traineri Magath.

Në formë të shkëlqyer u paraqit sërish sulmuesi Grafite i cili shënoi përsëri dy herë duke e rritur në 28 bilancin e golave të shënuar prej tij gjatë kampionatit.

Bajerni i Mynihut me numrin më të madh të titujve kampion, arriti të paktën të siguronte vendin shumë të rëndësishëm në Ligën e Kampionëve. Bajerni fitoi në lojën me Stutgartin me rezultatin 2:1 dhe e mbylli sezonin duke u renditur në vend të dytë. Ashtu si dy vjet më parë, pra sërish një vit pa titull për Bajernin. Traineri Jupp Heynckes e pranoi me qetësi rezultatin:

"Mendoj se Wolfsburgu e fitoi me meritë titullin e kampionit dhe për këtë i shpreh urimet e mia. Ata ishin ekipi më i mirë gjatë gjithë sezonit dhe pra një kampion i merituar", u shpreh Heynckes.

Megjithë humbjen edhe ekipi i Stuttgart-it ishte i kënaqur në fund të këtij sezoni. Me vendin e tretë në tabelë, ekipi mund të marrë pjesë në kualifikimin për Ligën e Kampionëve dhe të shpresojë sezonin e ardhshëm për shumë para.

Fytyra të mërzitura ishin ato të ekipit të Berlinit, Hertha BSC. Kryeqytetasit humbën 0:4 me Karlsruhe-n dhe humbën kështu shansin për Ligën e Kampionëve. Vendi i katërt në tabelë i jep Hertës të drejtën të marrë pjesë në Ligën Evropiane e cila duke filluar nga sezoni i ardhshëm zëvendëson kupën UEFA.

Një betejë e vërtetë për vendin e dytë në Kupën e Evropës u zhvillua mes Dortmundit dhe Harmburgut. Në fund Hamburgu fitoi 3:2 në Frankfurt dhe siguroi vendin e pestë. Dortmundi humbi të drejtën për të marrë pjesë në Kupën e Evropës me barazimin 1:1 me Gladbach-un dhe u rendit i gjashti në tabelë.

Traineri Jürgen Klopp u shpreh: "Unë megjithatë jam krenar për atë çfarë arriti ekipi gjatë këtij viti. Jam krenar për kontributin e tifozëve. Unë mundem vetëm të premtoj se do të vazhdojmë aty ku na u desh ta ndërprisnim sot."

Ekipi Energie Cottbus mund të vazhdojë të shpresojë të mbetet në kategorinë e parë. Cottbus-i mundi Leverkuzenin 3:0 dhe arriti vendin 16-të, i cili i jep të drejtën për një ndeshje kualifikuese për mbetjen në kategorinë e parë. Për t'u përmendur ishte loja e Ervin Skelës, lojtar i kombëtares shqiptare, i cili me një formë të shkëlqyer kontribuoi në fitoren e ekipit.

Në datë 28 dhe 31 maj Cottbus do të luajë kundër të tretit në klasifikim në kategorinë e dytë, për të zënë vendin e 18-të pjesëmarrës në kategorinë e parë.

Për Mönchengladbach-un pika e fituar kundër Dortmundit kishte vlerën e arit. Kështu ekipi i Borussia-s arriti me forcat e veta të ruante mbetjen në kategorinë e parë.

Lot dhe zhgënjim pati tek ekipi i Bielefeld-it. Megjithë ndryshimin e trainerit - Jörg Berger zëvendësoi Michael Frontzeck-un - Arminia Bielefeld arriti vetëm barazim 2:2 me ekipin Hannover 96. Në fund mbeti vendi i 18-të, pra zbritja nga kategoria.

Në kategorinë e dytë zbret edhe Karlsruhe SC megjithë fitoren 4:0 me Berlinin.

Vetëm për plotësim të mozaikut luajtën Köln-i, Bochum-i, Schalke dhe Hoffenheim-i. Për këtë katërshe dita e fundit e lojës nuk ndryshonte më asgjë. Köln-i luajti 1:1 me VfL Bochum dhe FC Schalke 04 u mund 2:3 nga TSG 1899 Hoffenheim.

Autor: Benjamin Wüst/Eliana Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti