1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerplatte 75 vjet pas fillimit të luftës

Pia Schneider / exh31 Gusht 2014

Në 1 shtator 1939 anija gjermane "Schleswig Holstein" qëlloi mbi depon polake të armëve në gadishullin Westerplatte. Lufta e Dytë Botërore filloi. Si e përjetojnë polakët këtë ditë 75 vjet më vonë?

https://p.dw.com/p/1D4B6
Fotografi: Museum of the Second World War

Në qytetin port Gdansk në Poloni, në 1 shtator njerëzit ngrihen herët. Në orën 4:47 para plot 75 vjetësh, anija gjermane Schleswig-Holstein qëlloi kundër depos polake të municionit në gadishullin Westerplatte. Përfaqësues të qeverisë polake dhe njerëz, të cilët duan të kujtojnë tmerret do të mbajnë edhe këtë vit një minutë heshtje në orët e para të mëngjesit. Por jo vetëm në brigjet e Baltikut, në gjithë vendin do të mbahen ceremoni përkujtimore dhe mesha. Varrezat kthehen në një det dritash plot qirinj.

Në përvjetorin e 75-të të sulmit të Vermahtit kundër Polonisë pritet në gadishull edhe Presidenti gjerman Joachim Gauck. Robert Traba, historian dhe profesor në Institutin për Studime Politike në Akademinë Polake të Shkencave, e sheh vizitën e Gauck si një shenjë pozitive për marrëdhëniet gjermano-polake. Dita përkujtimore e 1 shtatorit në Poloni nuk krahasohet me atë në Gjermani, thotë Traba. Në Poloni 1 shtatori konsiderohet si një nga përvjetorët më të rëndësishëm të vitit. Në vende të tjera ai lihet shpesh në hije nga sulmet ruse dhe natyrisht më vonë nga Holokausti. Por në të vërtetë është 1 shtatori preludi i luftës shkatërrimtare.“

Museum of the Second World War Archivfotos Kriegsbeginn
Fillimi i luftës: Schleswig-Holstein bombardon WesterplatteFotografi: Museum of the Second World War

Dita e parë e shkollës në ditën e fillimit të luftës

Në Poloni nuk gjen thuajse asnjë që nuk e di se çfarë ka ndodhur në 1 shtator 1939. Kjo ka të bëjë ndër të tjera me faktin që çdo vit në 1 shtator fillon viti i ri shkollor dhe kështu edhe fëmijët gjashtë dhe shtatë vjeç duhet të përkujtojnë viktimat e luftës me një minutë heshtje.

Andrzej Hamada kujtohet personalisht për ngjarjet e asaj dite. Për të atë të premte të 1 shtatorit 1939 duhej të fillonte viti i ri shkollor. Hamada asokohe 14-vjeçar ishte rrugës për në shkollë kur nisën të binin sirenat. Atij i kujtohet shumë mirë se si u vendos në anën e djathtë nën harkun e parë në rrugën Karmelicka. "Atje qendronin ndërkohë shumë njerëz, por të gjithë besonin se ishte vetëm një alarm provë. Kur më vonë gjithnjë e më shumë njerëz bërtitën 'Ky është një alarm i vërtetë, është luftë!', të gjithë vrapuan në konfuzion." Nxënësi në fillin ishte gëzuar që atë atë nuk do bëhej mësim. Por ende nuk e dinte se çfarë e priste në vend të mësimit të munguar. Pak ditë më vonë ai bashkë me familjen braktisi Krakovën në drejtim të Lindjes.

Museum of the Second World War Archivfotos Kriegsbeginn
Ushtarët polakë pas një jave qendresë në WesterplatteFotografi: Museum of the Second World War

Jo vetëm një simbol i trishtimit por edhe i guximit

Robert Traba, i cili ndër të tjera shkruan edhe libra historie për nxënës polakë dhe gjermanë, e di se edhe nxënësit gjermanë informohen për 1 shtatorin. "Megjithëse data gjendet në librat gjermanë të historisë, kam ndjenjën se thjesht mësohet përmendësh, por askush nuk e di vërtet si kanë ndodhur ngjarjet.

Andrzej Zawistowski nga Gdansku është historian dhe që prej vitit 2012 drejtor i zyrës për arsimin popullor në Institutin e Kujtesës Kombëtare në Varshavë. Instituti i themeluar në 1998 studion krimet e pushtimit nacionalsocialist të Polonisë dhe të kohës së mëvonshme komuniste. Zawitowski e konsideron qendresën e javës së parë të shtatorit 1939 si veçanërisht të rëndësishme për ndërgjegjen polake. "Në ditët e para të luftës njerëzit dëgjonin në radio: 'Westerplatte mbron ende!' Kjo u jepte guxim njerëzve në Poloni. Westerplatte pra nuk është vetëm një simbol i trishtimit por edhe i guximit të ushtarëve që mbrojtën Poloninë."

Westerplatte Monument Polen Weltkrieg
Fotografi: Fotolia/Jan Deyk

Kjo mund të jetë edhe një arsye pse Westerplatte shihet si vendi i fillimit të luftës dhe jo Vielunin në rajonin Polonia e Madhe. Në të vërtetë ishte ai, pak minuta para bombardimeve në Westerplatte, sulmi i parë kundër Polonisë dhe që shkeli të drejtën ndërkombëtare të luftës, pasi ndër të tjera u bombarduan edhe një spital dhe objektiva të tjerë civilë. Ata nuk patën asnjë shans për t'u mbrojtur. Nga 16.000 banorët e Vielunit u vranë 1200. Në Westerplatte përkundrazi 182 ushtarë polakë bënë qendresë të hidhur një javë rresht. "3 shtatori ishte një ditë e shpresës", thotë Traba. "Kur Franca dhe Britania e Madhe i shpallën luftë Gjermanisë, në Poloni pritej mbështetje nga aleatët". Por ajo nuk erdhi.

Tabela e emrit me copëza rrënojash

Polakët vazhduan të bënin qendresë. Dhe kështu është ngulitur thellë në kujtesën kolektive të shoqërisë polake edhe qendresa e Varshavës e 1 gushtit 1944. Ushtria polake Armia Krajova ishte shtuar në 45.000 vetë deri në qendresë. 63 ditë ajo bëri qendresë të fortë së bashku me qytetarë të tjerë të guximshëm të Varshavës, derisa Vermahti gjerman e mundi ushtrinë dhe mori si të burgosur lufte, luftëtarët e mbetur. Dëbimi i trupave gjermane nga Ushtria e Kuqe e çliroi vërtet nga gjermanët Poloninë, por nuk i solli paqe, siç ndodhi në Perëndim. "Për këtë arsye ne në Poloni e kuptojmë krejt ndryshe nga Gjermania pushtimin", thotë Traba.

Sot në gadishullin në Balltik vijnë pushues dhe turistë për të bërë banjo dielli, thuajse njëlloj si para Luftës së Dytë Botërore. Por Westerplatte mbetet një destinacion turistik me një histori që nuk mund të harrohet. Një monument 23 metra i gjatë dhe shtatë flamuj mbi shtiza kujtojnë qendresën shtatëditore dhe ushtarët trima të gadishullit. Tabela me emrin "Westerplatte" në hyrje të portit është bërë me copëza rrënojash.